Një nga kushtet themelore për normalizimin e Maqedonisë, e cila duhet fuqishëm të diskutohet në këtë krizë të thellë politike dhe që duhet të jetë objekt trajtimi nga Prokurori Special, duhet të jetë hetimi i pavarur ndërkombëtar i rasteve të montuara politike.
Pas shtyrjes të marrjes së vendimit nga Gjykata e Apelit për rastin “Monstra”, Lëvizja BESA vlerëson se këto hamendësime në bindin edhe një herë se pa zbardhjen e tërësishme të këtij rasti nuk mund të flitet për situatë stabile ndëretnike dhe kthim të besimit në institucionet e vendit.
Po ashtu, vlerësojmë se me rastin e montuar politik “Monstra” nuk duhet bërë kalkulime ditore politike ose pazare, sepse ndërkohë të dënuarit në këtë rast po vuajnë padrejtësisht burgjeve. BESA nuk do të heshtë derisa me këto çështje të ndjeshme të vuajnë shqiptarë të pafajshëm dhe, siç dëshmuam konkretisht me protestën e 13 qershorit, ashtu do të veprojmë deri në zbardhjen e tërësishme të këtyre rasteve të padrejta dhe tragjike.
Është koha e fundit kur të gjithë bashkërisht duhet të reflektojmë që Maqedonia të kthehet binarëve të duhur, me çka do të bëhej një shtet i drejtë, funksional dhe i pranueshëm për të gjithë. Ndryshe, me fshehje krimesh dhe përbuzje nga të gjitha format ndaj etniteteve të tjera, mendojmë se kriza vetëm sa do të thellohet në të gjitha aspektet.