–Lëvizja Besa shpreh shqetësimin në lidhje me buxhetin e planifikuar të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të R. së Maqedonisë, një buxhet që edhe një herë u dëshmua si diskriminues për shqiptarët dhe i cili, duke marrë para sysh vitin e kaluar dhe mjetet e planifikuara për atë vit, nuk po e përmirëson sistemin shëndetësor në Maqedoni.
Sa i përket diskriminimit të shqiptarëve me këtë buxhet, mund të themi se po bëhen manipulime me kriteret e shpërndarjes së drejtë të buxhetit. Këtë mund ta vërtetojmë nëse i analizojmë buxhetet e ndara për spitalet klinike të Manastirit dhe Tetovës. Për spitalin klinik të Manastirit janë ndarë 602 milionë denarë (9.7 milionë €) edhe pse ai ka 97.000 të siguruar, ndërsa për spitalin klinik të Tetovës janë ndarë 460 milionë den (7.4 milionë €) edhe pse ka 155.000 të siguruar. Kjo i bie se Tetova merr 2.3 milionë € më pak mjete financiare, edhe pse ka 58.000 të siguruar më shumë.
Po ashtu nëse analizohen mjetet e shpërndara nëpër qytete veçmas, do të vërejmë diskriminim edhe aty. Nëse i analizojmë mjetet e shpërndara në spitalin klinik të Shtipit, që janë 338 milionë denarë dhe kemi 30.000 të siguruar, i vjen që secilit të siguruar i takojnë nga 11.200 den, në Manastir secilit të siguruar i takojnë nga 6.200 den, ndërsa në Tetovë secilit të siguruar i takojnë nga 2.960 den. dhe në Gostivar secilit të siguruar i takojnë nga 3.522 den .
Përveç anës diskriminuese, në këtë buxhet ka dyshime të mëdha edhe për anën realizuese. Nëse e analizojmë buxhetin e vitit 2015, i cili ishte plot 24,2 miliardë denarë (393,5 milionë €) dhe i vizitojmë institucionet shëndetësore dhe i pyesim shfrytëzuesit e shërbimeve shëndetësore publike, do të marrim një pasqyrë krejtësisht negative për gjendjen e sistemit shëndetësorë në Maqedoni. Edhe pse në vitin 2015 u shpenzuan ato mjete financiare, gjendja e klinikave dhe spitaleve është e mjerueshme, pacientët të cilët shtrihen nëpër spitale janë të detyruar të marrin me vete kaloriferët për ngrohje dhe batanijet, si dhe të blejnë ilaçe, ndërsa ushqimi që u ofrohet është i kualitetit më të ulët, inventari është i kohës së ish Jugosllavisë e shërbimi shëndetësorë është nën çdo standard.
Kjo na bën të dyshojmë se edhe ky buxhet, që paraqitet si historik për nga madhësia – 25, 6 miliardë denarë (416,2 milionë €), mund ta përmirësojë sistemin shëndetësor në Maqedoni dhe t’u ofrojë qytetarëve shërbime me të mira shëndetësore, ndërsa kur kësaj i shtohet edhe karakteri diskriminues që ka, bëhet i papranueshëm për shqiptarët.