“Pasi që Komuna e Tetovës e tejkaloi afatin që i ishte dhënë për pastrimin e mbeturinave në deponinë e Drenovecit, njoftojmë opinionin se të dielën, me datë 20 mars, me fillim në ora 11.00, Lëvizja BESA përmes një aksioni vullnetar, do të bëjë largimin e këtyre mbeturinave. Prandaj i ftojmë të gjithë qytetarët, si edhe OJQ-të që të na bashkohen në mbrojtjen e mjedisit, që bashkërisht ta realizojmë këtë aksion vullnetar” thuhet në njoftimin e Lëvizjes Besa, transmeton Portalb.
Rikujtojmë se më 8 mars, Lëvizja Besa bëri një paralajmërim për rastin në fjalë:
“Duke pasur parasysh ankesat e shumta nga ana e qytetarëve të Tetovës në lidhje me deponinë në hyrje-dalje të qytetit, e më së shumti banorëve të lagjes Drenovec, duke qenë të dëshmitarë të gjithë ne se pavarësisht kërkesave të shumta të qytetarëve për largimin e mbeturinave, kërkesa të cilat në vazhdimësi janë neglizhuar nga ana e autoriteteve komunale, Lëvizja BESA ka vendosur që përmes një aksioni vullnetar të bëjë pastrimin e mbeturinave të kësaj deponie e cila rrezikon seriozisht shëndetin e banorëve të lagjes. Lëvizja BESA njofton se e le të hapur mundësinë që deri me datë 12 mars 2016, e shtunë, autoritetet përgjegjëse të Komunës së Tetovës të merren me këtë çështje, përndryshe, siç thonë ata, do të obligohen që partia e tyre ta ndërmerr këtë aksion vullnetar dhe t’i pastrojë këto deponi”, thanë nga Lëvizja Besa.
Për këtë të fundit, për Portalb reagoi Komuna e Tetovës:
“Së pari duhet të sqarohet për opinionin publik, se vendi në fjalë që gjendet te kazerma e Qytetit të Tetovës nuk është deponi, sepse deponia edhe si nocion, por edhe si realitet nënkupton tërësisht diçka tjetër”, reaguan nga Komuna e Tetovës për Portalb në lidhje me akuzat e Lëvizjes Besa.
Nga Komuna e Tetovës shtuan se lokacioni për të cilën bisedohet në afërsi të kazermës, siç thonë ata, keqpërdoret fatkeqësisht nga banorë të viseve periferike, të cilët hedhin sasi të madhe të mbeturinave dhe materialeve dhe mbetjeve ndërtimore.
“Ndërmarrja Publike komunale “Tetova” ka pastruar menjëherë dy lokacione të tilla: Njëra tek varrezat ortodokse dhe tjetra tek kazerma e qytetit. Komuna e Tetovës me Ndërmarrjen e sajë Komunale bën mirëmbajtjen sistematike të të gjitha hapësirave të cilat keqpërdoren nga qytetarë të papërgjegjshëm. Njëherit apelojmë deri tek qytetarët që të kujdesen më shumë për hapësirat në fjalë dhe ruajtjen e ambientit në përgjithësi, si dhe rastet e tilla ti paraqesin deri tek Inspektorati Komunal për Ambient jetësorë, që të merren masa për ndotësit në fjalë. Komuna e Tetovës bashkë me Ndërmarrjen Publike komunale edhe në të ardhmen do të vazhdojë në mënyrë sistematike të ofrojë shërbime sa më cilësore për qytetarin”, reaguan nga Komuna e Tetovës. /Portalb