VIDEO: Imamë të Myftinisë së Shkupit kundërshtojnë Ibrahim Shabanin

0
231
Shumica e imamëve të Myftinisë së Shkupit i dolën në krah reisit Sulejman Rexhepi. Tre ditë nga uzurpimi i selisë së BFI-së, imamët shprehën qëndrimin se ish myftiu i Shkupit Ibrahim Shabani, ish Sekretari i Përgjithshëm Afrim Tahiri dhe të tjerë, po tentojnë të rrënojnë Bashkësinë Fetare Islame. Imamët bëjnë thirrje për dhënien fund të kaosit të krijuar, që sipas tyre po dëmton imazhin e Myftinisë së Shkupit dhe mbarë BFI-së.
 
“Jemi këtu për të demonstruar kompaktësi si imamë që t’ua bëjmë me dije të gjithëve se nuk lejojmë përçarje në mesin e myslimanëve të Shkupit dhe i dënojmë të gjitha aktet e dhunës. Ju bëjmë me dije se fuqishëm qëndrojmë pas vendimeve të Riasetit të BFI-së dhe Reis Ulemasë Sulejman Rexhepi si dhe respektojmë Kushtetutën e BFI-së dhe të gjitha aktet normative të saj. Çdo përpjekje që është në kundërshtim me kushtetutën e BFI-së dhe organit më të lartë të Riasetit për ne është e papranueshme”, deklaroi Nevzat Ahmeti, imam i xhamisë së Kondovës.
 
Ndërkohë përmes një kumtese, ka reaguar e ashtuquajtura “Udhëheqësi e përkohshme e BFI-së”. Sipas tyre, kriza që ka përfshirë BFI-në është si rezultat i formës jo legjitime të përmbushjes së detyrës “Reis ul-ulema” nga ana e Sulejman Rexhepit.
 
“Pas skadimit të mandatit të reisit të deritanishëm Sulejman Rexhepi, në shtator të vitit 2011, autorizimet e tij në këtë funksion sipas Kushtetutës kanë përfunduar. Sulejman Rexhepi nuk ka kryer obligimet e tij për ç’ka edhe është zgjedhur, angazhimi i tij si Reis ka qenë në kundërshtim me normat dhe parimet islame që nga momenti kur ai parandaloi zgjedhjen e reisit të ri të BFI-së”, thonë nga udhëheqësia e përkohshme e BFI-së.
 
Selia e BFI-së për të tretën ditë me radhë vazhdon të kontrollohet nga grupi i myftiut të shkarkuar Ibrahim Shabani.  Udhëheqësia e përkohshme e shikon zgjidhjen e vetme të problemit, te dorëheqja e kryetarit të BFI-së, Sulejman Rexhepi. Nga ana tjetër, tabori i Sulejman Rexhepit e cilëson aktin e grupit të Shabanit, si “puç” që ka si qëllim përçarjen e besimtarëve. Nga MPB-ja e cila edhe sot po siguron objektin e BFI-së, thonë se po veprojnë në përputhje me ligjin./Alsat-M