Nisma e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për transformimin e rolit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, nga këndvështrimi i përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Kosovë, është një ide joserioze, e cila nuk i kontribuon paqes, vlerësojnë përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet qendrore të Kosovës.
Slavko Simiq, drejtuesi Listës Serbe dhe shef i grupit parlamentar të këtij subjekti në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë rast Lista Serbe nuk do t’i mbështesë ndryshimet ligjore për transformimin e misionit ose zgjerimin e kompetencave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pa ndryshimet e nevojshme kushtetuese.
“Pasi që Kuvendi i Kosovës tashmëia ka proceduar projektligjin Qeverisë, unë po shpresoj që Qeveria do të heqë dorë që t’ia procedojë sërish Kuvendit, sepse dje kemi pasur reagimet konkrete të Ambasadës amerikane dhe të NATO-s, si dhe të shumë zyrtarëve të huaj. Jam i sigurt që Qeveria do ta marrë përgjegjësinë dhe atë projektligj nuk do ta procedojë në Kuvend. Është e dukshme që dikush këtu po përpiqet të krijojë fuqi politike”, ka thënë Simiq.
Por, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një komunikatë të dërguar për media nga Qeveria e Kosovës, ka theksuar se “avancimi i rolit të FSK-së në ushtri është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.
Sipas tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një bisede telefonike, ka kërkuar nga ai që të rishqyrtohet ndryshimi i mandatit të FSK-së përmes ligjit.
Në anën tjetër, autoritetet e Serbisë e kanë kundërshtuar idenë për avancimin e FSK-së në ushtri. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se këtë kundërshtim ia ka shprehur edhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një bisede telefonike.
“A jemi pajtuar për ndonjë çështje qenësore? Jo. Pra, para së gjithash nuk jemi pajtuar rreth krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Unë këtu pres ndihmën dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Federatës Ruse dhe gjithë të tjerëve. Thjesht, kjo do të ishte shkelje dhe shembje e Rezolutës 1244”, ka thënë Vuçiq.
Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i vendosur për realizimin e nismës së tij. Ai ka theksuar se Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur, të njëanshëm apo të pakoordinuar, dhe asnjë veprim antiligjor apo antikushtetues.
“Shteti i pavarur i Kosovës, thjesht po bën një akt ligjor dhe kushtetues, i cili është themel i funksionimit të çdo shteti demokratik në botë. Ne, si institucione demokratike të shtetit të pavarur kemi vendosur që FSK-së t’i japim misionin dhe detyrat e një ushtrie moderne, profesionale, shumetnike, e cila do të jetë në gjendje për të mbrojtur sovranitetin shtetëror të vendit tonë”.
Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se nisma për transformimin e FSK-së në ushtri, i jep edhe më tej shkas Listës serbe që të mos kthehet në institucionet qendrore, në të cilat e ka ngrirë pjesëmarrjen që nga tetori i vitit të kaluar. Por, sipas tij, në këtë situatë, pikërisht çështja e transformimit të FSK-së mund të jetë adut për autoritetet e Kosovës, që ta kushtëzojnë kthimin e tyre në institucione.
“Mendoj që Qeveria në Prishtinë nuk do të heqë dorë nga kërkesa për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe në anën tjetër, tash do të ketë këtu lojë dhe shantazh lidhur me formimin e Bashkësisë së komunave serbe. kjo do ta detyrojë Listën Serbe që të hyjë në institucione, por kjo nuk nënkupton se ata do të votojnë në këtë apo atë mënyrë”, tha Nojkiq.
Në komunikatën e Qeverisë së Kosovës thuhet se ekzekutivi i vendit, “posa të marrë nga Kuvendi Projektligjin me të cilin propozohet që FSK-së t’i jepet roli i ushtrisë, do ta trajtojë atë sipas rregullores së dikastereve qeveritare, në mënyrë që ai të jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të ketë mbështetje buxhetore”.