LSDM-ja po shqyrton vërejtjet e para nga BDI-ja dhe LR-PDSH-ja sa i takon propozimeve të partisë së Zoran Zaevit për kushtet e formimit të Qeverisë së re.
Kreu i LSDM-së deklaroi se nuk do të kundërshtojnë asnjë kërkesë që është në pajtim me Kushtetutën dhe në shërbim të nevojave të përditshme të shqiptarëve.
“Materialet erdhën dje vonë diku para mesnate. Grupet tona të punës i shqyrtojnë dhe sapo të kemi informacione do t’ju njoftojmë. Për ne është e pranueshme gjithçka që është në korniza të Kushtetutës dhe ajo që përfaqëson përdorim praktik të qytetarëve të përkatësisë shqiptare, gjithsesi duke pasur parasysh edhe aspektin e nevojave të qytetarëve edhe të bashkësive tjera. Besoj se do të gjendet zgjidhje. Nuk mund të them se sa do të zgjasë sepse në këtë mes nuk jemi ne ata që duhet të vendosim por presim vendim final nga BDI-ja”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së, shkruan Alsat M.
Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi thotë se presin reflektim korrekt nga LSDM-ja dhe vlerëson se në përgjithësi, ka vullnet të përbashkët për t’u arritur një marrëveshje.
“Normalisht që çështja e përdorimit të gjuhës por edhe e platformës së partive politike shqiptare është shumë e rëndësishme jo vetëm për BDI-në por për të gjitha partitë shqiptare dhe shpresojmë që të ketë reflektim të drejtë duke pasur parasysh faktin që integrimi euro-atlantik i vendit varet shumë nga ajo se si do të ecë formimi i Qeverisë së ardhshme. Unë këtë atmosferë të bisedimeve e kam vlerësuar si konstruktive. Ka zgjatur më shumë meqenëse ka pasur shumë detaje dhe dëshira në kuptimin e tejkalimit të dallimeve por jam shumë e bindur se vullnet të përbashkët ka për të arritur një marrëveshje”. tha Teuta Arifi, nënkryetare e BDI-së.
Profesori Osman Kadriu, një nga ekspertët e angazhuar nga partitë politike për të shqyrtuar propozimin e LSDM-së vlerëson se ai ka nevojë për përpunim të mëtejmë. Kadriu thotë se ndryshimet e ligjit për gjuhën nuk mund të arrihen pa rishikim të Kushtetutës sepse edhe nëse kalojnë si ligje, do të shfuqizohen nga Gjykata Kushtetuese. Sipas Kadriut disa nga vërejtjet e tij për këtë draft propozim janë që aktet e Parlamentit që destinohen jashtë tij, të jenë në dy gjuhë, poashtu edhe tabela e Parlamentit, vulat dhe vulat katrore për aktet që vinë nga jashtë, vendimet që Qeveria në qarkullim juridik ia dërgon Parlamentit, të jenë në dy gjuhë, dhe vërejtje të tjera.
Megjithatë Kadriu thotë se partive u ka propozuar edhe ndryshime që kërkojnë edhe rishikim të Kushtetutës si dygjuhësia në kartëmonedha dhe miratimi në Kuvend i këtyre propozimeve me shumicë të thjeshtë. Sipas Kadriut, këto propozime duhet të miratohen një nga një dhe jo njëherësh me qëllim që rreziku për t’u hedhur poshtë të jetë më i ulët.