Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur sot takim pune me kryeprokurorët e prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit, të cilëve u ka kërkuar t’u rikthehen rasteve të vrasjeve të personave publikë dhe të gjinden identitetet e kryerësve të tyre
Në këtë takim kryeprokurori Lumezi kërkoi nga udhëheqësit e prokurorive, që të kenë bashkëpunim të mirëfilltë mes vete, me qëllim të unifikimit të praktikave nëpër prokurori dhe ngritjes së efikasitetit të punës së Prokurorit të Shtetit.
Po ashtu, kryeprokurori Lumezi kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët që t’i trajtojnë me prioritet lëndët e korrupsionit, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet tjera të zbatimit të ligjit.
Ndër të tjera gjatë këtij takimi u bisedua edhe për ecurinë e rasteve më të ndjeshme, gjatë gjithë kohës sa lënda është në procedurë. Lidhur me këtë çështje kryeprokurori Lumezi kërkoi nga kryeprokurorët që të jenë sa më efikas në punën e tyre, që t’i mbikëqyrin prokurorët e prokurorive që i drejtojnë në trajtimin sa më efikas të rasteve dhe në afat sa më të shkurtër kohor hetimet të mbyllen, të pezullohen, të pushohen apo të ngritën aktakuza.
Gjatë këtij takimi u vendos që me qëllim të unifikimit të praktikave dhe legjislacionit në fuqi të nxirret udhëzim i detyrueshëm për të gjithë prokurorët, të cilët në rast të tërheqjes nga aktakuzat, hudhjet, pushimet e hetimeve apo kërkesave për ndërprerjen e paraburgimeve ta njoftojnë kryeprokurorin e prokurorisë përkatëse.
Kryeprokurori Lumezi kërkoi që të gjithë prokurorët t’i identifikojnë lëndët afër parashkrimit dhe të veprohet me urgjencë në ato raste për shkak të eliminimit të mundësisë së parashkrimit.
Poashtu gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, që çdo muaj t’i raportojnë për punën e tyre dhe në ato raporte të përfshihet numri i lëndëve në punë, numri i lëndëve të pranuara, të kryera dhe të mbetura dhe poashtu statistikat për punën e secilit prokuror.
Kryeprokurori Lumezi poashtu kërkoi që në takimin e radhës secili kryeprokuror të prezantoi planin e punës, në të cilin të përfshihen sfidat dhe objektivat për secilën prokurori.
Ndër të tjera gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi sërish kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët e prokurorive Themelore dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që të rishikojnë lëndët e vrasjeve të personave publik dhe të ndërmarrin veprime të nevojshme për zbardhjen e këtyre rasteve, edhe pse shumica nga këto raste janë trajtuar në kohën e kryerjes së veprave penale dhe nuk është arritur të zbulohet identiteti i kryesve të këtyre veprave penale.
Pikë tjetër e diskutimit në këtë takim ishte edhe ndarja e lëndëve nëpër prokurori. Kryeprokurori Lumezi kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët kujdes të veçantë gjatë ndarjes së lëndëve tek prokurorët, duke e zbatuar dhe duke u mbështetur në rregulloren për ndarjen e lëndëve, e cila rregullore ka për qëllim rregullimin e sistemit të ndarjes së lëndëve në institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Në fund të këtij takimi u diskutua edhe për identifikimin e prokurorëve, të cilët në bazë të punës së treguar, performancës dhe guximit do të kenë vullnet të punojnë prokurorë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pasiqë siç u shpreh kryeprokurori Lumezi PSRK-ja duhet të forcohet edhe më tutje me prokurorë të tjerë, në mënyrë që të ketë efikasitet më të madh të punës së kësaj prokurorie ku trajtohen lëndët më të ndjeshme nga gjitha prokuroritë tjera.