Lunaçek kritikon Thaçin: Fajësimi i BE’së për vizat, mënyrë e gabuar

Kosovarët e kanë marrë një sinjal nga Bashkimi Evropian se viti i ardhshëm mund të jetë koha kur ata mund të udhëtojnë pa viza në shtetet që bëjnë pjesë në zonën Shëngen, ndërsa
Nënkryetarja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunacek tani e fton qeverinë e Kosovës që t’i bëjë të gjitha përpjekjet për t’i përmbushur kriteret e kërkuara.

Në ditën kur Komisioneri i Bashkimit Evropian për Çështje të Brendshme, Dimitris Avramapoulos, publikoi raportin me të cilin Kosovës i kërkohet edhe pak punë për ta fituar liberalizimin e shumëkërkuar, Lunacek tha për KALLXO.com se sinjali i dhënë nga Brukseli ishte shumë i qartë.

“Tani i përket qeverisë së Kosovës që t’i bëjë të gjitha përpjekjet për t’i zbatuar kriteret e mbetura dhe t’i bindin ministrat e brendshëm të shteteve anëtare dhe Parlamentin Evropian që të pajtohen për heqjen e vizave”, tha ajo.

Duke qenë pjesë e Parlamentit Evropian, Lunacek tah se ky institucion i BE-së do ta mbështesë fuqishëm Kosovën.

Por ajo lë të kuptojë që rezistencë mund të ketë kur propozimi të shkojë te ministrat e brendshëm të shteteve anëtare të BE-së

“Për shkak të situatës me refugjatë në BE, tani do të duhet punë e madhe për t’i bindur ata”, tha Lunacek.

“Unë jam optimiste dhe do ta mbështes Kosovën me të gjitha mjetet, por u bëj thirrje qeverisë së Kosovës dhe liderëve politikë, sidomos Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, të cilët tani duhet të investojnë në një përpjekje të përbashkët me shoqërinë civile dhe opozitën për ta përçuar një imazh pozitiv për Kosovën te shtetet anëtare të BE-së”, tha eurodeputetja nga Austria e cila për disa vjet ishte raportuese për Kosovën e Parlamentit Evropian.

Por Lunacek nuk i ka pritur mirë komentet e mëhershme të Zëvendës Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi rreth BE-së.

“Fajësimi i BE-së është mënyra e gabuar, do të jetë kundërproduktive dhe unë nuk pajtohem me këtë”, tha ajo për KALLXO.com.

“Unë e ndaj frustrimin me qytetarët e Kosovës se raporti i fundit nuk ka dhënë rezultatin e pritur por jemi më afër se kurrë te suksesi. Shumë pak kritere janë për t’u përmbushur dhe unë besoj fuqishëm se me një përpjekje të përbashkët të qeverisë së Kosovës do të bëhet e mundur zbatimi i këtyre tetë kritereve në fillim të vitit 2015”, u shpreh ajo.

Edhe më e ashpër ajo ishte ndaj deklaratës së Thaçit se kosovarët kanë të drejtë të protestojnë para Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Protestat dhe ndjenjat negative ndaj BE-së e bëjnë shumë të vështirë për mua dhe mbështetësit tjerë të Kosovës që të punojmë për një imazh pozitiv i cili është shumë i nevojshëm që Kosova përfundimisht ta marrë liberalizimin e vizave”, tha Lunacek.

Artikulli paraprak10 Gjëra që Nëna yte asnjëherë nuk t'i tha
Artikulli vijuesAi momenti kur një fëmijë mëson se Babagjyshi nuk ekziston