Madhërimi i teksteve fetare dhe nënshtrimi ndaj tyre

Hoxhë Ismail Bardhoshi

Madhërimi i teksteve fetare dhe nënshtrimi ndaj tyre

Themeli i fesë islame të cilin Allahu e ka zgjedhur dhe e ka pëlqyer për robërit e tij besimtarë është dorëzimi dhe nështrimi ndaj Allahut. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kthehuni tek Zoti juaj dhe dorëzojuni Atij.” Ez-Zumer: 54.
Realiteti i dorëzimit është madhërimi i urdhërit të Allahut të Lartësuar dhe ndalimit të Tij, nënshtrimi ndaj tyre dhe qëndrimi në kufijtë e asaj që Allahu e ka zbritur mbi Muhamedin (salallahu alejhi ue selem). Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Pra kështu. Kush madhëron atë që Allahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për të tek Zoti i vet. Juve ju janë lejuar kafshët, përveç atyre që u lexohen (në Kur’an), pra largohuni nga ndyrësitë e idhujve dhe fjalës shpifëse.” El Haxh: 30.
“Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë devotshmërie.” El haxh: 32.
Detyra jonë ndaj fjalës së Allahut dhe të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem) është t’i madhërojmë, t’i pranojmë plotësisht, t’u nënshtrohemi atyre dhe t’i respektojmë, sepse vetëm kjo është rruga e shpëtimit dhe e ngadhënjimit, siç ka thënë Allahu:
“Fjala e vetme e besimtarëve të vërtetë kur ata thirren tek Allahu (te fjala e tij Kur’ani) dhe i Dërguari i Tij për të gjykuar mes tyre, është që të thonë: ‘Dëgjuam dhe u bindëm’. Dhe mu ata janë ata që fitojnë lumturinë (xhenetin e pasosur). Dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i frikësohet Allahut dhe i përkushtohet Atij, tamam këta janë të fituarit.” En-Nur 51-52.
Allahu e ka ndaluar t’i japim përparësi dikujt apo diçkaje tjetër, para Allahut, të Dërguarit të Tij dhe fjalës së tyre. Ai ka thënë:
“O ju që keni besuar! Mos vendosni para se të vendosë Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe kini frikë Allahun. Vërtet që Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.” El Huxhurat: 1.
Kur na vjen një urdhër prej urdhërave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, atëherë nuk ka më hapësirë pë të zgjedhur apo për të hezituar. Allahu ka thënë:
“Nuk është as për besimtarin dhe as për besimtaren, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, që ata të kenë zgjedhje tjetër në vendimin e tyre. Dhe kushdo që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, padyshim që ka humbur në gabim të qartë.” El Ahzab: 36.
Allahu ia ka mohuar besimin krejtësisht atij që shmanget nga gjykimi i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), apo ndjen në zemrën e tij pakënaqësi ndaj tij:
“Por jo për Zotin tënd! Ata nuk mund të kenë aspak besim përderisa të të bëjnë ty (o Muhamed) gjykues për të gjitha mosmarrëveshjet e tyre derisa të mos mbetet në vetvetet e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato plotësisht të nënshtruar.” En-Nisa: 65.
Allahu i ka paralajmëruar për sprovim dhe ndëshkim ata që i kundërshtojnë urdhërat e të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem):
“Dhe kushdo që kundërshton të Dërguarin, pasi t’i jetë treguar qartë atij Rruga e Drejtë dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne do ta mbajmë në atë drejtim që ai ka zgjedhur dhe do ta djegim atë në zjarr, e sa përfundim i keq.” En-Nisa: 115.
“Mos e bëni thirrjen ndaj të Dërguarit (Muhamedit) mes jush, siç thërrisni njëri-tjetrin. Allahu i di ata të cilët shkëputen vjedhurazi duke u fshehur (pas ndonjë arsyeje pa marrë leje për t’u larguar nga i Dërguari). Dhe le ta kenë mendjen ata që nuk pajtohen me urdhërin e të Dërguarit (sunetin e tij, rrugën e tij, zbatimin në jetë të urdhrave të Allahut, të Islamit, me fjalën e këshillat e tij), që të mos bjerë mbi ta ndonjë fitne (mosbesim, sprovë, vështirësi ose fatkeqësi, tërmet, vrasje, nënshtrim nga tiranë etj.), ose t’u jepet një ndëshkim i dhembshëm.” En-Nur: 63.
Shkaku i shmangies nga respektimi i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) është ndjekja e epshit dhe dëshirave të nefsit. Për këtë dëshmon fjala e Allahut në Kur’an:
“Por nëse ata nuk të përgjigjen ty (nuk të besojnë ty dhe Mesazhin tënd të besimit islam, as nuk të ndjekin ty), atëherë dije pra se ata ndjekin vetëm dëshirat e tyre. Dhe kush është më i gabuar sesa ai i cili ndjek dëshirat e veta pa udhëzim nga Allahu? Sigurisht që Allahu nuk e udhëzon popullin Dhalimun (politeist, mosbesimtar, keqbërës e të pabindur ndaj Allahut).” El Kasas: 50.
Allahu i Lartësuar i ka dënuar e qortuar ata që nuk e madhërojnë dhe nuk i zbatojnë urdhërat e Tij, dhe të cilët nuk u përmbahen ndalesave:
“Ç’është me ju (që nuk e keni frikë Allahun për ndëshkimin e Tij dhe) që nuk shpresoni për shpërblim (nga Allahu ose që nuk besoni në Njëshmërinë e Tij)?” Nuh: 13.
Metoda e të parëve të mirë, në madhërimin e teksteve të Sheriatit
Të parët e Umetit tonë kanë dhënë shembujt më të shkëlqyer në zbatimin dhe madhërimin e urdhërit të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe në mostejkalimin e caqeve të caktuar prej tij, pa e tepruar dhe pa i mangësuar ato.
Dëshmitë që tregojnë për këtë shfaqen në disa aspekte, prej të cilave veçojmë këto që vijojnë:
1- Madhërimi i fjalës së Profetit (salallahu alejhi ue selem).
Rrëfen ebi Katade i cili thotë: “Ishim te Imran ibn Husejn, ndërkohë që mes nesh ishte i pranishëm edhe Bushejr ibni Ka’b. Atë ditë Imrani na tregoi se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: ‘Turpi është i gjithi i mirë’, ose ka thënë: ‘turpi i gjithë është i mirë’. ‘Ne gjejmë të shënuar në disa libra urtësie, se ka një lloj turpi që është i lavdëruar, është qetësi, dhe i tillë që përmban madhërim ndaj Allahut të Madhëruar, por ka edhe një lloj turpi që është dobësi’ – , i tha Bushejri. Atëherë Imrani u nevrikos aq shumë sa iu skuqën sytë dhe i tha: ‘Mos të ndodhë më që të të flas për atë që e ka thënë Profeti (salallahu alejhi ue selem), dhe ti ta kundërshtosh’. Transmetuesi rrëfen se Imrani e përsëriti hadithin, por Bushejri tha përsëri të njëjtën gjë. Atëherë Imrani u nevrikos më shumë, aq sa ne menduam se po dyshonte për të, prandaj vazhduam t’i thoshim: ‘Ky është prej nesh o ebu Nuxhejd, është njeri që nuk ka asgjë të keqe (d.m.th. nuk është munafik)’.” Transmeton Muslimi.
Muslimi transmeton se Abdullah ibn Umer ka dëgjuar Profetin (salallahu alejhi ue selem) duke thënë: “Mos i pengoni gratë tuaja që të shkojnë në xhami, në qoftë se ato ju kërkojnë leje.”
Kur e dëgjoi këtë fjalë, Bilal ibn Abdil-lah tha: “Uallahi do t’i ndalojmë!” Atëherë Abdullah ibn Umer u kthye drejt tij, e qortoi dhe e shau aq keq, sa nuk e kam dëgjuar të shante ndonjëherë ashtu. Pastaj i tha: “Të lajmëroj nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe thua uallahi do t’i ndalojmë!?”
Një herë Abdullah ibn Abbasi tha: “Profeti e ka bërë haxhin ‘temetuë’.[1] Atëherë Urvetu ibn Zubejr tha: “Ebu Bekri dhe Umeri e kanë ndaluar të kryhet haxhi në këtë mënyrë.”
“Çfarë tha Urve?”, – i pyeti të pranishmit ibn Abasi.
“Thotë se ebu Bekri dhe Umeri e kanë ndaluar të kryhet haxhi në mënyrën ‘temetuë’.” – iu përgjigjën.
Ibn Abasi tha: “Siç vërej po shkatërrohen. Unë them se ka thënë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), kurse ai më thotë se ebu Bekri dhe Umeri e kanë ndaluar.” Transmeton imam Ahmedi në “Musnedin” e tij dhe Ahmed Shakir e ka vlerësuar të saktë.
Transmetohet se Abdullah ibni Mugaffel pa njërin prej shokëve të tij duke gjuajtur gurë me gishtërinj dhe i tha: “Mos gjuaj, sepse i Dërguari i Allahut e ndalonte të hedhësh gurë, ngaqë kështu as nuk gjuhet gjahu dhe as nuk plagoset e vritet armiku, por kjo lloj gjuajtjeje thyen dhëmbin dhe nxjerr syrin.” Pas një farë kohe e pa përsëri duke gjuajtur dhe i tha: “Të kam lajmëruar që i Dërguari i Allahut e ka ndaluar të gjuash me gurë, dhe përsëri të vërej të gjuash. Nuk të flas për kaq e aq kohë!” Transmeton Muslimi.
Në prani të Harun Rreshidit, ebu Muavijetu ed-Darir ka përcjellë hadithin e ebi Hurejres rreth dialogut mes Ademit dhe Musës. Njëri prej të pranishmëve tha: “Si mund të ndodhte kjo gjë, ndërkohë që ndërmjet Ademit dhe Musës ka pasur një periudhë të gjatë kohore?” Atëherë Haruni brofi i nevrikosur duke thënë: “Të flet për atë që e ka dëgjuar nga i Dërguari i Allahut, kurse ti e kundërshton duke thënë si!?” Vazhdoi t’ia thoshte këto fjalë derisa kundërshtari heshti.
Një burrë i tha imam Zuhriut: “O ebu Bekër, çfarë thua për fjalën e Profetit ‘nuk është prej nesh ai që godet faqet’, ‘nuk është prej nesh ai që nuk respekton të madhin tonë’, e të tjera hadithe si këto?” Imam Zuhriu e uli kokën për një farë kohe, pastaj e ngriti dhe tha: “Prej Allahut na ka ardhur dija, detyra e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) ka qenë përcjellja e saj, kurse detyra jonë është t’i dorëzohemi.” (Këtë thënie e ka përmendur Buhariu në “Sahihun” e tij, pa pyetjen në fillimin e saj, ndërsa së bashku me pyetjen e ka transmetuar el Halalu në “Es-Suneh”.)
Ebu Saib thotë: “Ndërkohë që ishim te Veki ibnil Xherrah, ai i tha një burri të pranishëm prej atyre që merren me analogjitë dhe mendimet e njerëzve (err’j): ‘I Dërguari i Allahut i ka bërë shenjë kurbanit në njërën prej dy anëve të gungës, duke ia prerë ose çarë lëkurën me gërshërë në mënyrë që të dilte gjak dhe të njihej që ishte për kurban, kurse ebu Hanife thotë se ai është gjymtim (d.m.th. shenja që i bëhet kurbanit për t’u njohur). Atëherë burri i tha: ‘Është transmetuar nga Ibrahin en Nahai se shenjimi i kurbanit është gjymtim’.[2] Transmetuesi thotë se Vekiu u nevrikos shumë nga fjalët e tij dhe tha: ‘Të them se ka thënë i Dërguari i Allahut dhe më thua ka thënë Ibrahimi!? Sa e meriton ti që të burgosesh dhe pastaj të mos dalësh nga burgu derisa të tërhiqesh nga ky mendim’.” (Është përcjellë në “El fekih vel mutefekih”.)
2- Të sigurohesh përpara se ta veprosh një sunet, derisa të merret vesh mirë që është i tillë.
Selefët e këtij Umeti siguroheshin mirë në veprimin e Sunetit dhe ruheshin nga bidatet. Ata nuk bënin asgjë veçse me dije, dhe nuk mbështeteshin në mendimet e tyre, apo të vlerësonin si të ligjshëm me logjikë një ibadet ose një forme ibadeti që nuk e ka praktikuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem).
Nga ngjarjet ose rastet e çuditshme që tregojnë qëndrimin e tyre ndaj sunetit të të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) janë këto që vijojnë.
Një burrë që ishte pranë Abdullah ibn Umerit teshtiu dhe pas teshtimës tha “elhamdulil-lah ues selamu ala resulil-lah”. Ibn Umer i tha: “Edhe unë them ‘elhamdulil-lah ues selamu ala resulil-lah’, por Profeti nuk na ka mësuar të themi kështu pas teshtimës. Ai na ka mësuar të themi ‘elhamdulil-lah ala kuli hal’ (falenderimi i takon Allahut për çdo gjendje).” Transmeton Tirmidhiu, i cili thotë se hadithi është hasen.
Ibnu Xhurejxhi rrëfen se Tavusi e ka lajmëruar se ka pyetur Abdullah ibni Abasin për dy rekatet pas ikindisë, dhe ai e ka ndaluar t’i falte.[3] Tavusi rrëfen se i tha: “Nuk do t’ilëpa falur!” Atëherë ibnu Abasi i përmendi fjalën e Allahut të Lartësuar: “Nuk është as për besimtarin dhe as për besimtaren, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, që ata të kenë zgjedhje tjetër në vendimin e tyre. Dhe kushdo që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, padyshim që ka humbur në gabim të qartë.” El Ahzab: 36.
E ngjashme me atë që kaloi, është ajo që ka ndodhur me Said ibnil Musejjib, i cili pa një person që fali pas agimit të sabahut më shumë se dy rekate, në të cilat shpesh bënte ruku dhe sexhde, dhe ai e ndaloi. Atëherë personi i tha: “A do të më ndëshkojë mua Allahu sepse fal namaz, o ebu Muhamed!?” “Jo, – i tha ai, – por të ndëshkon për kundërshtimin e Sunetit.” Transmeton Abdurrezzaku me isnad të mirë.
Një burrë e pyeti imam Malikun: “O ebu Abdil-lah, që nga të bëj ‘ihram’ (të bëj nijetin për haxh ose për umre dhe të vesh rrobat e ihramit)?” “Që nga Dhil hulejfe, – iu përgjigj Maliku, – atje ku ka bërë ihram i Dërguari i Allahut.” “Unë dua të bëj ihram që nga xhamia te varri”, – i tha ai. ‘Mos e bëj këtë, – ia ktheu Maliku, – se kam frikë mos të prek fitneja (sprova, ndëshkimi).” “Çfarë fitneje ka në këtë gjë?, – ia priti ai, – unë nuk po bëj gjë tjetër veçse po shtoj disa milje (disa kilometra)!” Maliku i tha: “Cila sprovë është më e madhe se sa të mendosh që ke paraprirë në një të mirë, bërjen e së cilës e ka neglizhuar i Dërguari i Allahut?! Allahu i Lartësuar ka thënë: ‘Mos e bëni thirrjen ndaj të Dërguarit (Muhamedit) mes jush, siç thërrisni njëri-tjetrin. Allahu i di ata të cilët shkëputen vjedhurazi duke u fshehur (pas ndonjë arsyeje pa marrë leje për t’u larguar nga i Dërguari). Dhe le ta kenë mendjen ata që nuk pajtohen me urdhërin e të Dërguarit (sunetin e tij, rrugën e tij, zbatimin në jetë të urdhrave të Allahut, të Islamit, me fjalën e këshillat e tij), që të mos bjerë mbi ta ndonjë fitne (mosbesim, sprovë, vështirësi ose fatkeqësi, tërmet, vrasje, nënshtrim nga tiranë etj.), ose t’u jepet një ndëshkim i dhembshëm.’ (En-Nur: 63.)” Transmetohet në “El fekih” dhe “El mutefekih.”
Në të gjithë këta shembuj vërejmë se kundërshtarët e Sunetit niseshin nga pikëpamja e rezervimit apo dëshirës për të shtuar në ibadet. Por megjithëkëtë, dijetarët e selefëve e theksuan madhërimin e teksteve dhe respektimin e caqeve të tyre. Qëndrimet e tyre mbështeteshin në një bazë madhështore për pasimin e Sunetit, të cilën e ka përmendur Said ibni Xhubejr në fjalën e tij: “Vërtet shumë mirë ka vepruar ai që kthehet tek ajo që e ka dëgjuar.”
Sufjan eth-Theuri ka thënë: “Nëse mundesh të mos e kruash kokën veçse duke pasur një shembull të cilin e pason, kështu vepro.”[4]
Buhariu ka thënë: “Prijësit pas Pejgamberit, konsultoheshin me dijetarët e besueshëm për gjërat e lejueshme, në mënyrë që të merrnin atë që është më e lehtë. Por kur u qartësohej kufiri ose rregulli i Kur’anit dhe Sunetit, nuk e tejkalonin. Kështu ata merrnin për shembull atë që e bënte Profeti (salallahu alejhi ue selem).”
Ibnu Tejmije ka përmendur se Ahmed ibni Hambeli e preferonte haxhin “temetuë” (d.m.th. fillimisht të përfundohej umreja, pas së cilës njeriut i lejohet të përjetojë të gjitha kënaqësitë e ndaluara për shkak të ihramit gjatë umres. dhe në ditën e tetë të dhilhixhxhes të fillojë haxhin), aq sa ai dhe të tjerë prej dijetarëve të hadithit preferonin që ta kthente nijetin për umre edhe ai që e kishte filluar haxhin “mufrid” ose “karín”,[5] dhe kështu të përjetonte kënaqësitë e ndaluara për shkak të ihramit, nga përfundimi i umres, deri kur të fillonte haxhin në ditën e tetë. Kjo për arsye se kanë ardhur disa hadithe të sakta që e mbështesin këtë mendim. Për këtë arsye Selemetu ibni Shebib i tha imam Ahmedit: “I ke forcuar zemrat e rrafidijve o ebu Abdil-lah, ngaqë u ke dhënë fetva banorëve të Horasanit për t’u kënaqur në periudhën pas umres dhe para fillimit të haxhit!” Imam Ahmedi i tha: “O Selemeh, mua më vinin lajme që ti je i marrë, por nuk i besoja dhe të mbroja, por tani e vërtetova që ti je me të vërtetë i tillë. Kam njëmbëdhjetë hadithe të sakta nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) në lidhje me këtë çështje, e si mund t’ilëpër mendimin tend!?” Marrë nga “Minhaxhus-Suneh.”
Prandaj ibnul Kajim ka thënë: “Selefët e ndienin shumë të rëndë të kundërshtoheshin argumentet e Kur’anit e të Sunetit me mendimet e njerëzve, dhe nuk e pranonin një gjë të tillë.”
Nga shembujve që vlejnë të përmenden në këtë temë është ai që e përcjell Abdullah ibnu Zubejr el Humejdi i cili rrëfen: “Një ditë Imam Shafiiu transmetoi një hadith, kështu që unë i thashë: ‘A i referohesh këtij hadithi për argumentim?’ “Mos vallë po më shikon duke dalë nga ndonjë kishë, apo po shikon të kem shtrënguar brez priftërinjsh në mes, – më tha ai, – aq sa kur të dëgjoj një hadith nga i Dërguari i Allahut të mos punoj me të?!”
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ibnu Huzejmen, i cili pasi ka transmetuar një hadith i është thënë: “A bazohesh në këtë hadith?” Ibnu Huzejme ia ktheu: “Mos vallë po shikon të kem shtrënguar brez priftërinjsh në mes!? Mos thuaj për hadithin e Profetit ‘a punon me të?’ por thuaj ‘a është i saktë ai?’, sepse kur hadithi vjen i saktë nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), unë e pranoj atë, dua apo nuk dua.”
Nga kjo që sqaruam mësojmë se Kur’ani dhe Suneti janë kriteri me të cilin vlerësohen mendimet dhe “ixhtihadet”. Askush nuk mund të ketë besim të vërtetë, veçse duke i madhëruar argumentet e Kur’anit dhe Sunetit, duke besuar atë që ka ardhur në to, dhe duke zbatuar thëniet e veprat që tregojnë për to. Imam Tavaviu e ka përmbledhur metodën e “ehli sunetit” me fjalën e tij: “Nuk mund të bëhet njeriu musliman, veçse përmes nënshtrimit dhe dorëzimit (ndaj asaj që e ka thënë Allahu dhe i Dërguari i Tij). Cilindo që synon të arrijë atë dije që i është ndaluar ta hulumtojë, dhe nuk është i bindur të dorëzohet, ky qëllim do ta pengojë nga Teuhidi i pastër, njohuria e kulluar dhe besimi i saktë.”
El Berbehari në “Sherhus-Suneh” ka thënë: “Nëse e dëgjon personin të flasë kundër haditheve të Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe thënieve e gjurmëve të transmetuara nga selefët, t’i refuzojë ose t’i referohet diçkaje tjetër, atëherë akuzoje në Islamin e tij, sepse ai është pasues i epshit dhe bidatçi.”
Shejhul islam ibn Tejmije ka thënë: “Prej mirësive më të mëdha që Allahu ia ka bërë “ehli sunetit” është bazimi në Kur’an dhe në Sunet. Prandaj prej parimeve në të cilat janë pajtuar sahabet dhe pasuesit e tyre më të mirë, është që të mos pranohet prej asnjërit të kundërshtojë Kur’anin me mendimin e tij, as me shijen e midenë e tij, as me logjikën e tij, as me kijasin (analogjinë) e tij, dhe as me ndjenjat e preferencat e tij. Kjo sepse argumentet e prera dhe faktet e qarta tregojnë se Profeti (salallahu alejhi ue selem) erdhi me udhëzimin dhe fenë e drejtë, dhe se Kur’ani udhëzon për atë që është më e mirë dhe e përsosur.”
Gjithashtu ai ka thënë: “Ai që i mbështet sqarimet dhe diskutimet lidhur me çështjet e besimit dhe çështjet praktike në Kur’an, Sunet dhe gjurmët e transmetuara nga të parët, e ka qëlluar rrugën e drejtë të Profetit (salallahu alejhi ue selem). Po ashtu edhe ai që i bazon punët e zemrës, të cilat janë themelet dhe burimet e punëve të jashtme, dhe punët e gjymtyrëve në besimin, Sunetin dhe udhëzimin me të cilin erdhi Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) dhe shokët e tij, ai është në rrugën e profecisë.”
3- Mbështetja në hadithet e sakta
Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar t’i bindemi të Dërguarit të Tij, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), në shumë ajete:
“Çdo gjë që t’jua japë i Dërguari merreni atë dhe çdo gjë që ai jua ndalon juve hiqni dorë prej saj.” El Hasher: 7.
“Kushdo që i bindet të Dërguarit ai i është bindur Allahut.” En-Nisa: 80.
“O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të Dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për një çështje, parashtrojeni atë tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, po qe se i besoni Allahut dhe Ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” En-Nisa: 59.
“Dhe kur u thuhet atyre: ‘Ejani tek ajo që ka shpallur Allahu dhe i Dërguari (Muhamedi (salallahu alejhi ue selem))’, ata thonë: ‘Neve na mjafton ajo që gjetëm e që ndiqnin baballarët tanë’, megjithëse baballarët e tyre nuk kishin asnjë dije dhe asnjë udhëheqje.” El Maide: 104.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë në hadithin e saktë që ka transmetuar ebu Daudi në “Sunenin” e tij: “Mua më është dhënë Kur’ani dhe së bashku me të edhe një gjë tjetër si ai.”
Çdo gjë që na ka ardhur nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është e drejtë dhe e vërtetë padyshim. Allahu i Lartësuar ka thënë:
“As nuk flet ai nga dëshira (e vetë atij). Është vetëm Shpallje që i frymëzohet.” En-Nexhm: 3-4.
Gjithashtu i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kam lënë tek ju dy gjëra, pas të cilave nëse do të kapeni, nuk do të humbni kurrë, Librin e Allahut dhe sunetin tim.” Transmeton Maliku. Albani në “Sahihul xhami” e ka vlerësuar hadithin të saktë.
Suneti i Profetit (salallahu alejhi ue selem) është ai që sqaron Kur’anin, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:
“(Ne i çuam të dërguarit) me shenja të qarta dhe me Libra, ndërsa edhe ty (o Muhamed) me përkujtuesin me këshilla (Kur’anin), që ti të mund t’u shpjegosh njerëzve qartë se çfarë u është zbritur atyre dhe që të mund të mendojnë.” En-Nahl: 44.
“Allahu ka përgatitur për ta ndëshkim të ashpër. Kini pra frikë Allahun dhe përmbushni detyrimin ndaj Tij, o njerëz të brymosur me mendje të shëndoshë që keni besuar! Tashmë Allahu me të vërtetë ju ka zbritur juve Përkujtues (Kur’anin). (Ai ju ka çuar edhe) të Dërguar (Muhamedin), i cili ju këndon vargjet e Allahut (Kur’anin) që përmbajnë shtjellime të qarta, me qëllim që Ai të nxjerrë ata që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi nga errësira (e politeizmit, mohimit) në dritë (në besimin e vërtetë islam). Dhe kushdo që beson Allahun dhe punon mirësi dhe drejtësi, Ai do ta shpjerë në kopshtet e Xhenetit nën të cilët rrjedhin lumej, për të banuar aty përgjithnjë. Allahu vërtet që i ka siguruar atij Rrizkun (furnizimin e mirësinë) më të shkëlqyer.” Et-Talak: 10-11.
Allahu u ka dhuruar mirësi të madhe besimtarëve me dërgimin e të Dërguarit të tij Muhamedit (salallahu alejhi ue selem):
“Vërtet Allahu derdhi mbi besimtarët mirësi të madhe kur Ai çoi ndërmjet tyre një të dërguar (Muhamedin, salallahu alejhi ue selem) nga mesi i tyre, duke ju lexuar atyre Vargjet e Tij (Kur’anin), duke i pastruar ata (nga gjynahet e tyre duke e ndjekur atë) dhe duke u këshilluar atyre Librin (Kur’anin) dhe Hikmetin (urtësinë dhe sunetin e Pejgamberit, rrugën e tij të zbatimit të rregullave të Islamit, fjalët, veprimet e faljes etj.), edhe pse para kësaj ata kanë qenë në gabim (humbje) të qartë.” Ali Imran: 164.
“Ai është i cili çoi mes analfabetëve një të dërguar (Muhamedin, salallahu alejhi ue selem) nga vetë mesi i tyre duke u kënduar atyre Vargjet e Tij, duke i pastruar ata (nga ndyrësitë e mosbesimit dhe politeizmit) dhe duke u mësuar atyre Librin (Kur’anin, Islamin dhe ligjet e tij) dhe Hikmetin. Dhe vërtet që më parë qenë në gabim e humbje të qartë.” El Xhumuah: 2.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) e ka dënuar veprimin e atyre të cilët lenë atë që ka ardhur në sunetin e tij: “Është afruar koha kur një burri të ulur mbi kolltukun e tij, i arrin hadithi im dhe ai thotë: ‘Mes nesh dhe mes jush është libri i Allahut, atë gjë që e gjejmë në të hallall, e konsiderojmë hallall, dhe atë që e gjejmë në të haram, e konsiderojmë haram.’ Nuk ka dyshim se ajo që e bën të ndaluar i Dërguari i Allahut është si ajo që e ka ndaluar Allahu i Lartësuar.”
Prej qëndrimeve të vyera (të shkëlqyeshme) të sahabëve në lidhje me sunetin e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) janë këto që vijojnë:
– Ndërkohë që Imran ibn Husejni ishte i ulur me shokët e tij, njëri prej tyre tha: “Mos na fol veçse me Librin e Allahut.” “Afrohu”, – i tha Imrani, dhe ai u afrua. “Çka mendon ti, sikur të liheshit ti dhe shokët e tu për të marrë çdo sqarim nga Kur’ani? A do të gjeje në të se farzi i drekës është katër rekate, i ikindisë katër rekate dhe i akshamit tri rekate, ku në dy të parat lexohet me zë? Çka mendon sikur të liheshit ti dhe shokët e tu për të marrë çdo sqarim në Librin e Allahut? A do të gjenit në të se tavafi rreth Kabes është shtatë herë, dhe a do të gjeje në të ‘sa’jin’ (angazhimin, ecjen) ndërmjet Safasë dhe Mervas?” Pastaj vazhdoi e u tha: “O njerëz, merrni prej nesh, sepse betohem në Allahun, në qoftë se nuk do të merrni prej nesh do të humbni.”
– Abdullah ibn Mes’ud ka thënë: “Allahu i mallkoftë ato gra që bëjnë tatuazhe dhe ato që kërkojnë t’u bëhet tatuazhi, ato që i shkulin qimet e fytyrës (vetullat) dhe ato që i mprehin dhëmbët (që i ndajnë dhëmbët) për bukuri, të cilat ndryshojnë natyrën e krijesave që i ka krijuar Allahu.” Këto fjalë i mbërritën një gruaje nga fisi benu Esed, pseudonimi i së cilës ishte umu Ja’kub. Kështu që erdhi te Abdullahi dhe i tha atij: “Jam lajmëruar se ti ke mallkuar kështu e kështu.”
“E pse të mos i mallkoj ato që i ka mallkuar i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) dhe kjo gjendet edhe në Librin e Allahut?”, – i tha ibnu Mes’udi.
“E kam lexuar të gjithë Kur’anin dhe nuk e kam gjetur një gjë të tillë në të”, – tha ajo.
“Nëse e ke lexuar, patjetër që e ke gjetur, – ia ktheu ai, – a nuk e ke lexuar fjalën e Allahut: ‘Çdo gjë që t’jua japë i Dërguari merreni dhe çdo gjë që ai jua ndalon hiqni dorë prej saj’ (El Hasher: 7)?”
“Po, kjo gjendet në Kur’an”, – i tha ajo. “Përderisa kjo është në Kur’an, atëherë Profeti (salallahu alejhi ue selem) i ka ndaluar këto gjëra”, – i tha ibnu Mes’udi. “Por bashkëshortja jote e bën këtë”, – tha ajo.
“Shko dhe shikoje”, – i tha ai.
Kështu ajo shkoi, e pa dhe nuk vuri re asgjë. Atëherë ibn Mes’udi tha: “Sikur ajo ta bënte këtë, unë nuk do të kryeja marrëdhënie intime me të.” Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
Prandaj ibnu Tejmije ka thënë: “Sqarimi më i plotë dhe i përkryer është ai që ka bërë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), sepse ai është më i dituri i krijesave rreth së vërtetës, dhe këshilluesi më i sinqertë ndaj tyre, gojëtari dhe elokuenti më i aftë për sqarimin e saj. Kështu që sqarimi që i ka bërë emrave të Allahut, cilësive të Tij, lartësisë së Tij dhe shikimit tek Ai (nga besimtarët), ka arritur kulminacionin e mundshëm për sa i përket kësaj teme.” (Marrë nga “Minhaxhus-Sunneh”)
Gjithashtu ka thënë: “Shpërblimi arrihet duke vepruar atë që e ka sjellë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem). Ndihma dhe fitorja do të jenë për atë që e ndihmon atë. Lumturia do të jetë për atë që e ndjek atë. Salavatet e Allahut dhe të melaikeve do të jenë mbi ata që besojnë në të dhe u mësojnë njerëzve fenë e tij.[6] E vërteta sillet rreth tij ngado që ai të rrotullohet. Më i dituri i krijesave rreth së vërtetës dhe pasuesi më i përkushtuar i saj, është ai që e di më shumë sunetin e tij dhe që e ndjek më shumë atë. Çdo thënie (mendim) që kundërshton thënien e tij, është ose çështje fetare e abroguar, ose diçka e ndryshuar në fe, e cila asnjëherë nuk ka qenë e ligjshme.” (Marrë nga “Minhaxhus-Sunneh”.)
Meqenëse suneti i Profetit (salallahu alejhi ue selem) ka këtë gradë kaq të lartë, “ehli suneti” është interesuar shumë për mësimin dhe praktikimin e tij. Ai u interesua për mbrojtjen, mësimin e tij përmendësh dhe transmetimin e tij, për studimin dhe shqyrtimin e hollësishëm të tij, si dhe për dallimin e Sunetit të vërtetë nga i pavërteti, sidomos pas shfaqjes së trazirave, daljes së bidatçinjve dhe përhapjes së gënjeshtrës. Atëherë vëmendja e selefëve për Sunetin u shtua më shumë. Prandaj Abdullah ibn Abasi ka thënë: “Një herë e një kohë, kur ne e dëgjonim një burrë duke thënë: ‘Ka thënë i Dërguari i Allahut’, me shpejtësi i përqëndronim shikimet tek ai dhe e dëgjonim me vëmendje të madhe, por pasi njerëzit filluan të bënin çdo lloj gjëje, të thoshin të saktën e të pasaktën, dhe të ndërmerrnin çfardolloj mënyre e rruge (si shpifje, gënjeshtra, bidate e tjerë) për t’i realizuar, atëherë nuk merrnim prej askujt, përveç atij që e njihnim.” Trasmeton Muslimi në parathënien e “Sahihut” të tij.
Dijetari i madh Muhamed ibn Sirin ka thënë: “Njerëzit e interesuar për të mësuar e transmetuar hadithet, fillimisht nuk pyesnin për ‘isnadin’ (zinxhirin, vargun e transmetuesve), por kur ndodhën trazirat thanë: ‘Na i thoni burrat (transmetuesit) tuaj, në mënyrë që të merret vesh kush është i ‘ehli sunetit’ dhe të merret hadithi i tij, dhe kush është bidaçi që të mos merret hadithi i tij’.” Transmeton Muslimi në parathënien e “Sahihut” të tij.
Imam Malik ibn Enes ka thënë: “Kjo dije është gjaku yt dhe mishi yt, për të do të pyetesh Ditën e Gjykimit, prandaj shiko nga cili po e merr.”
Ibnu Tejmije e sqaron arsyen e studimit dhe shqyrtimit të hollësishëm të sunetit të Profetit (salallahu alejhi ue selem) duke thënë: “Ndërmjet nesh dhe Profetit janë qindra vite. Domosdoshmërisht dihet që në ato që i përcjellin njerëzit prej tij ka të vërteta dhe gënjeshtra. Është transmetuar nga Profeti se ai ka thënë: ‘Do të gënjehet rreth meje.’ Nëse ky hadith është i vërtetë, patjetër do të gënjehet rreth tij, dhe nëse është gënjeshtër, ai është fakt që është gënjyer. Meqenëse është kështu, atëherë nuk i lejohet asnjërit të bazohet në një hadith derisa të sqarojë atë që e bën të pranueshëm e të vlefshëm për t’u mbështetur në të (d.m.th. të provojë vlefshmërinë e hadithit për argumentim, sipas rregullave dhe parimeve të vendosura nga dijetarët e kësaj fushe).”
Dijetarët e hadithit kanë projektuar një metodë shkencore të qartë për rregullimin e parimeve të transmetimit dhe vendosjen e bazave të tij. Kështu e kanë mbrojtur Sunetin nga kotësitë dhe fallsifikimi. Pradaj ne u referohemi atyre për të njohur hadithin e saktë dhe hadithin e dobët. Ibnu Tejmije ka thënë: “Në ato që janë transmetuar ka shumë gjëra të vërteta dhe ka shumë gënjeshtra. Për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra u referohemi dijetarëve të hadithit, sikurse u referohemi gjuhëtarëve, për të dalluar gramatikën arabe nga ajo joarabe, për të dalluar atë që është prej gjuhës nga ajo që nuk është prej saj. Po kështu edhe dijetarëve të poezisë, mjekësisë etj. Çdo dije ka njerëzit e saj të njohur. Ndër të gjithë këta, dijetarët e hadithit janë më të nderuarit, më të vërtetët, më të lartët në pozitë dhe më të devotshmit. Ata janë ndër njerëzit më të vërtetë, më të besueshëm, më të ditur dhe më me përvojë, për sa i përket asaj që e përmendin në lidhje me ‘xherhin’ dhe ‘ta’dilin’,[7] si Maliku, Shu’ëbe, Sufjani… .” (Marrë nga “Minhaxhus-Sunneh”.)
Nga e gjithë kjo që sqaruam, mësojmë se argumentimi i saktë shkencor, mbështetet në hadithet e sakta dhe të mira, ndërsa me hadithet e trilluara dhe të dobëta nuk lejohet argumentimi dhe është detyrë të paralajmërojmë për t’u ruajtur prej tyre. Prandaj Abdullah ibnul Mubarek ka thënë: “Bazimi në hadithet e sakta të preokupon për të mos u marrë me hadithet e dobëta (d.m.th. mbështetja në hadithet e sakta e bën të panevojshme dhe të palejueshme të bazohesh në hadithet e dobëta).”
Jahja ibn Said el Kattan ka thënë: “Mos shikoni tek hadithi, por shikoni tek ‘isnadi’. Nëse ai është i vërtetë pranojeni hadithin, ndryshe mos u mashtroni me hadithin përderisa nuk është i saktë ‘isnadi’ i tij.”
Ibnu Kudame ka thënë: “Përsa i përket haditheve të trilluara të cilat i kanë shpifur zindikët, për t’ua errësuar e përzierë fenë muslimanëve, ose haditheve të dobëta, për shkat të dobësisë së transmetuesve, për shkak të të qenët e tyre të panjohur, ose për defekte të tjera, nuk lejohet të bazohesh në to dhe as të besosh atë që e përmbajnë, madje ekzistenca e tyre është njësoj si mosekzistenca.”
Shejhul islam ibn Tejmije ka thënë: “Është detyrë të bëhet dallimi mes hadithit të vërtetë dhe hadithit të rremë, sepse suneti i Profetit është e vërteta dhe jo e pavërteta. E vërteta janë hadithet e sakta dhe jo të trilluarat. Ky është një parim i madh te muslimanët në përgjithësi, dhe tek ata që pretendojnë ndjekjen e Sunetit në veçanti.”
Gjithashtu ai ka thënë: “Me pajtim të të gjithë dijetarëve, nuk lejohet bazimi në gjëra që nuk njihet saktësia e tyre, sepse kjo do të thotë të flasësh pa dije, gjë e cila është e ndaluar, bazuar në Kur’an, Sunet dhe ‘ixhmain’ e dijetarëve.”

Artikulli paraprakNamazi i bajramit në Qabenë e bekuar
Artikulli vijuesMbështetja në hadithet e sakta