Mbrëmë (e enjte) situata në Maqedoni u tensionua dhe u bë e dhunshme kjo erdhi pasi në krye të Kuvendit u zgjodh, Talat Xhaferi.
Dhjetëra huliganë maqedonas hynë në ndërtesën e Kuvendit ku po mbahej mbledhja dhe rrahen deri sa përgjakën deputetët dhe gazetarët që ishin aty.Mirëpo, një reagim i tillë, sipas publicisti Shkëlzen Maliqi, ishte i pritshëm pasi situata në Maqedoni kishte kohë që është përkeqësuar, mirëpo thotë, se dhuna nuk arsyetohet.
“Është për të ardhur keq që ka ndodhur dhuna ndaj deputetëve të zgjedhur dhe gazetarëve. Edhe pse është pritur një reagim i tillë. Ka kohë që kriza po ashpërsohej dhe tani që deputetët u mblidhen që të konstituojnë organet e legjislativit, si hap i parë i përmbushjes së vullnetit të zgjedhësve dhe koalicionit që i ka numrat për të krijuar qeverinë e re, forcave që bllokonin procesin nuk u mbeti asgjë pos që të ndërhyjnë militantet e vet që bllokadën ta vazhdojnë me dhunë”, tha ai për lajmi.net.Maliqi, i cili është edhe këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, tha se dhuna u nxit nga Gruevski dhe forcat që e mbështesin atë.“Ish kryeministri Gruevski me forcat që e mbështesin, ndër ta edhe një pjesë e policisë dhe të shërbimeve sekrete.
Ata e kanë paralajmëruar hapur se nuk do të lejojnë konstituimin e Kuvendit, dhe si pretekst e kanë shfrytëzuar zgjedhjen e një shqiptari për kryetar të Kuvendit”, ka thënë ai.Ndërsa, i pyetur, se si e shihni zgjedhjen e Telat Xhaferit në krye të Kuvendit maqedonas, Maliqi u përgjigj: “Zgjedhjen e Telat Xhaferit e shoh si avancim të demokracisë koncesuale në Maqedoni, për të cilën është angazhuar i ndjeri Arben Xhaferi. Maqedonia është edhe shtet i shqiptareve dhe është qëndrim raciste dhe poshtërues nëse nuk u lejohet të zgjedhën në pozita udhëheqëse, jo vetëm të kryetarit të Kuvendit, por edhe të Kryeministrit dhe Presidentit”.Më pas, Maliqi deklaroi, se zgjedhja e Talat Xhaferit ishte legjitime dhe po njihet ashtu nga demokracitë e avancuara.
“Talat Xhaferi është zgjedhur me votat e shumicës dhe atë kanë filluar ta njohin si legjitim demokracitë e avancuara. Reagimi i egër i nacionalisteve maqedonas nuk mund të ndryshojë realitetin”, deklaroi ai.Maliqi në fund tha, se shqiptarët nuk duhet të provokohen, as të fiksohen, e as të pajtohen më idenë e të drejtave të kufizuara.“Forcat shqiptare në këtë situatë nuk kanë nevojë që të provokohen dhe edhe ata të përgjigjen me dhunë. Por as të frikësohen dhe të pajtohen me idenë e të drejtave të kufizuara. Maqedonia do të jetë shtet i përbashkët por po e vë në rrezik ekzistencën e vet si shtet”, tha Maliqi.