Maqedoni: Integrimi, nën hijen e aferës së përgjimeve

0
177

Afera e përgjimit të mijëra qytetarëve të Maqedonisë, akuzat ndaj liderit të opozitës për komplot shtetëror për shkak të publikimit të këtij skandali dhe shumë zhvillime tjera në raportet ndëretnike të përcjella me protesta, kanë larguar edhe më shumë vendin nga integrimi euroatlantik, vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare.

 

Ata thonë se çështja e pazgjidhur e emrit, edhe pse është thelbësore për integrimin në NATO dhe BE, sikur ka mbetur në hije të problemeve që paraqiten thuajse çdo ditë në të gjitha sferat, por afera e përgjimeve të paligjshme, sipas tyre, ka vendosur institucionet para një testi shumë të vështirë.

 

Malinka Ristevska nga Instituti për politikë Evropiane, thotë se Maqedonia ndodhet para një bllokimi edhe më të ashpër të procesit euro-integrues.

 

Ajo thotë se mungesa e dialogut është theksuar në të gjitha raportet e Brukselit, në të cilat Maqedonia ka marrë epitetin e shtetit me mungesë të kapaciteteve demokratike për zgjidhjen e problemeve.

 

“Gjithsesi se dialogu mes pozitës dhe opozitës apo funksionimi i institucioneve demokratike është një ndër çështjet kyçe ku duhet të shënohet përparim në procesin e integrimit. Këto ishin pikat kritike të konkluzioneve të Këshillit të Evropës. Mungesa e dialogut vetëm sa do t’i përkeqësojë edhe më shumë shanset tona për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike”.

 

“Do të ketë një qasje më pasive të bashkësisë ndërkombëtare dhe ne ndodhemi para një rreziku të izolimit të plotë, në kuptimin e mosinteresimit të ndërkombëtarëve për këtë proces, për shkak të trajtimit të Maqedonisë si shtet që nuk ka kapacitete demokratike, por vetëm si potencial për gjenerimin e krizave“, thotë Ristevska.

 

Mersim Pollozhani, ekspert për çështje juridike, thotë se afera e përgjimeve është ndër më të mëdhatë në periudhën e fundit, me të cilën dëshmohet se Maqedonia, përveç çështjes së pazgjidhur të emrit, përballet edhe më shumë sfida tjera.

 

“Gjithë këto, gjithsesi se do të reflektohen negativisht në shanset e Maqedonisë në procesin euro-integrues. Megjithëse deklarohet verbalisht, në fakt, unë te pushteti aktual nuk shoh aspak interesim për t’i përshpejtuar këto procese, apo përmbushjen e kritereve të shumta për anëtarësim, përveç asaj për çështjen e emrit“, vlerëson Pollozhani, duke shtuar se kjo aferë ka dëshmuar se në Maqedoni nuk respektohen ose shkelen në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

 

“Kjo ka marrë një dimension të paparë, pasi në interes të partisë përgjohet secili dhe për çdo gjë. Është cenuar privatësia dhe siguria e qytetarëve. Kjo ka nxitur një frikë kolektive të të gjithë atyre që nuk mendojnë si partitë në pushtet“, thekson Pollozhani.

 

Lideri i opozitës, Zoran Zaev, ka denoncuar afera të shumta kriminale të pushtetit aktual që janë siguruar nga përgjimi i mbi 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë, në mesin e të cilëve është edhe vetë ai, liderë të partive tjera opozitare, por edhe të partive në pushtet.

 

 Janë përgjuar të gjithë kryetarët e partive shqiptare, ndërsa në shënjestër të shërbimit sekret kanë qenë edhe njerëzit e afërt të kryeministrit Nikolla Gruevski.

 

Janë përgjuar edhe mediat, në mesin e të cilave edhe zyra e Radios Evropa e Lirë në Shkup, drejtues të sektorit civil, klerikë, e madje edhe qytetarët të thjeshtë, apo siç ka deklaruar opozita, janë përgjuar të gjitha ata, për të cilët pushteti ka vlerësuar se nuk pajtohen me politikat e saj.

 

Qeveria nuk ka komentuar përgjimet që janë të ndaluara pa lejen e organeve gjyqësore, por në reagimin e saj, ajo u përqendrua në akuzat se përgjimet, lideri i LSDM-së, i ka siguruara nga shërbimet sekrete të huaja, andaj edhe e akuzon për tradhti kombëtare.

 

Lidhur me këtë aferë kanë reaguar edhe partitë shqiptare, në veçanti Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e Qeverisë. Ajo kërkon ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar për zbardhjen e plotë të rastit./evropaelire