10 vjeçari nga Hotla e Likovës, vuan nga një deformim në këmbë, apelon për ndihmë

10 vjeçari Suejb Kurtishi, nga fshati Hotël i Komunës së Likovës, vuan nga një deformim në këmbë, si pasojë e gjakderdhjes në tru. Këmba e tij e djathtë është e deformuar nga gjuri e poshtë, më saktë ai ka dëmtim në kockat tarzale , duke bërë që shputa e këmbës të mos jetë në pozicion normal.

“Gati dy tre herë në ditë ja lyej, sa herë që kërkon. Ashtu edhe problem më madh është kur e pastroj sepse banja është me kushte të vështira”, u shpreh nëna e djalit.

Vogëlushi nuk është në gjendje të flasë, por as edhe të kuptojë.

Nëna e vogëlushit 10 vjeçar, Valdete Kurtishi, e ka dërguar të birin e saj në kontroll mjekësor. Ajo ka shpresë se anomalia e këmbës së djalit të saj mund të rregullohet, mirëpo shuma financiare për operim është e papërballueshme për këtë familje që jeton në kushte të rënda materiale . Valdetja lutet se një ditë mirësia do të prekë zemrat e njerëzve dhe do të ndihmojnë që i biri i saj të operohet.

“Ju kisha apeluar për ndihmë për fëmijën për një operim jashtë shtetit. Dëshira ime është që edhe terapinë fizike mos ti ndali sepse edhe shkollën ja ndërpreva sepse nuk po kemi para”, tha Valdete Kurtishi, nëna.

Jetesa në një shtëpi pa kushte të përshtatshme bëhet akoma më e vështirë për vogëlushin Suejb Kurtishin. Shtëpia në të cilën jetojnë të katër anëtarët e familjes, është e vjetër, ndërsa brenda saj mund të shihni muret e plasaritura.

Familja Kurtishi u gëzua disa kohë më parë kur bashkëfshatarët grumbulluan të holla për t’ua ndërtuar atyre një shtëpi të re. Megjithatë, të hollat u janë mbaruar, ndërsa shtëpia e tyre ka mbetur karabina. Kryefamiljari – Sevdail Kurtishi bën thirrje për ndihmë, në mënyrë që këtë stinë të dimrit ta kalojnë në shtëpinë e re.

“Më tutje na duhen dritaret, dyert , qeramikat. I kisha apeluar të më ndihmoj. Nëse ka shpirte të mirë që ketë dimër të hy në shtëpi të re. Sepse shtëpia e vjetër nuk është e banueshme rrjedh nga të gjitha anët. Të paktën për dy djemtë, ti rregulloj dy dhoma ti lyejmë me çimento ”, tha Sevdail Kurtishi, kryefamiljar.

Subejdi i vogël na përcolli me një buzëqeshje të ëmbël, duke na lënë me shpresë se do të vijë dita kur edhe ai, do të luajë dhe do të shkojë në shkollë ashtu si bashkëmoshatarët e tij.Flaka

Artikulli paraprak“Një e ardhme me vizion për BE-në është e mundur vetëm me Turqinë”
Artikulli vijuesJa çfarë thotë djali i Ukshin Hotit për gazetën Express