Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë dje në fshatin Vaksincë të Kumanovës ka ardhur deri tek përleshja mes migrantëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin bëhet e ditur se dje në ora 22:35 në stacionin policor në Mateç, personi H.A., nga fshati Vaksincë lajmëroi se po në këtë fshat, 10 deri 15 persona, me siguri migrantë, janë rrahur mes veti.
Më pas thuhet se nga spitali i Kumanovës është lajmëruar se në repartin e kirurgjisë është sjellë S.R (25) nga Pakistani. I njëjti është sjellë me lëndime në pjesën e anës së djathtë të gjoksit të shkaktuar me mjet të fortë, pas çka si rast urgjent menjëherë është dërguar në Qendrën urgjente – Shkup.
Në vendngjarje ka dalë një ekip hetues nga SPB-Kumanovë.
Ndërkaq, në njoftimin e MPB-së, thuhet se janë ndërmarrë masa për zbardhjen e rastit.