Maqedonia, varrezë masive për emigrantët, pse ndodh kjo?

Emigrantët e lindjes së afërm të cilët kalojnë nëpërmjet Maqedonisë për të gjetur një jetë më të mirë në vendet perëndimore, ballafaqohen me vështirësi të mëdha në vend, ku as vdekja nuk është përjashtim. Rastësi apo jo, mbetet fakti që deri më tani, edhe pse nuk dihet numri i saktë i të vdekurve, sipas shifrave të policisë 26 emigrantë kanë humbur jetën në Maqedoni. Rrethanat e vdekjes mund të jenë të dyshimta, madje lideri i partisë “Dinjiteti”, Stojançe Angellov ngriti këtë çështje duke pyetur se a vriten ata qëllimisht, megjithatë duhet një hulumtim më i thellë për të zbuluar se çfarë realisht ndodh.
 
Përpos kësaj, emigrantët të cilët kalojnë transit nëpër Maqedoni, ankohen për keqtrajtime dhe vjedhje që ju bëhen gjatë rrugëtimit të tyre. Suad Missini, aktivist për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut thotë se pa marrë parasysh rrethanave, emigrantët duhet të mbrohen në territorin e Maqedonisë.
 
“Emigrantët duhet të gëzojnë të drejtat të cilat janë të garantuara nga ndërkombëtarët lidhur me normat e civilizuara morale dhe të drejtën e jetës dhe integritetit personal. Këto të drejta hynë në të drejtat dhe liritë e njeriut dhe pa marrë parasysh rrethanave dhe faktit që ata kalojnë në mënyrë ilegale në Maqedoni, ata duhet të mbrohen, po asgjë nga kjo nuk zbatohet në Maqedoni”, tha për Portalb, Missini.
 
Ai shtoi se beson që shumica e fatkeqësive që ju ndodhin emigrantëve janë realisht vrasje.
 
“Shokuese janë të dhanët për persekutimin e këtyre personave nga ana e grupeve dhe qytetarëve të cilët prezantohen në mënyra të ndryshme. Jam i sigurt që shumica e këtyre ‘fatkeqësive’ janë realisht vrasje. Pa marrë parasysh statusit  të pa rregulluar të tyre, ata gëzojnë të drejtën e jetës dhe sigurisë dhe askush nuk mund të ju mohojë këto. Shteti ka obligim këtë dhe duhet t’i mbroj. Mendoj se duhet në mënyrë urgjente të organizohet një qendër pranimi për këta persona të cilat plotësojnë kushtet për qëndrimin e tyre si dhe të mundësojnë ë drejtët e atyre që duan të kërkojnë azil”, shtoi Missini.
 
Profesoresha e Institutit për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike Mirjana Najçevska, thekson se kushtetua e shtetit dhe këto marrëveshje kushtëzojnë qeverinë që të mbroj të gjithë njerëzit në territorin e saj.
 
“Maqedonia është nënshkruese e shumë marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat i referohen mbrojtjes të së drejtave dhe lirive të njeriut. Kushtetua e shtetit dhe këto marrëveshje kushtëzojnë qeverinë që të mbroj të gjithë njerëzit në territorin e saj nga shkelja e këtyre të drejtave dhe të mundësojë praktikimin e këtyre të drejtave”, tha për Portalb, Najçevska.
 
Ajo shtoi se fatkeqësitë dhe kushtet jo të përshtatshme të emigrantëve flasin shumë për nivelin e ulët të respektimit të të drejtave të njeriut në Maqedoni.
 
“Numri i madh i emigrantëve të vdekur në Maqedoni dhe kushteve jo të përshtatshme të qëndrimit të tyre si dhe mungesën e të drejtave elementare si emigrant, flasin shumë për nivelin e ulët që ka Maqedonia për të drejtat e njeriut dhe mos plotësimin e përgjegjësive me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, shtoi Najçevska.
 
Juristi Osman Kadriu po ashtu vlerëson se në Maqedoni, emigrantët po keqtrajtohen dhe po ju mohohet e drejta e tyre e sigurisë.
 
“Numri i emigrantëve veç sa shkon e rritet dhe kjo çështje është mjaft aktuale, ata kalojnë nëpërmjet Maqedonisë, do me thënë që kalojnë transit sepse nuk e kanë ndërmend të rrinë në Maqedoni. Përderisa ata janë në Maqedoni ata keqtrajtohen dhe fatkeqësisht shteti nuk i mbron. Maqedonia është shtet demokratik dhe juridik, dhe duhet të mbrojë të gjithë njerëzit që janë në këtë shtet, përderisa ata nuk janë të rrezikshëm për vendin, përderisa nuk janë grupe kriminale apo të armatosura. Është për tu brengosur fakti që disa nga emigrantet po përjetojnë vdekje të tmerrshme andaj ata duhet të mbrohen nga shteti dhe sa janë në territorin e Maqedonisë të ndjehen të sigurt dhe të mbrojtur”, tha Kadriu.
 
Ndërkaq vetëm disa ditë më parë një tren që udhëtonte nga Velesi në Shkup ka goditur një grup të madh emigrantësh, të cilët po lëviznin përgjatë hekurudhës, ku humbën jetën 14 persona.
Artikulli paraprakVdes palestinezi të cilin mbrëmë e plagosën ushtarët izraelitë
Artikulli vijuesVlorë, konflikt me armë mes 4 të rinjve; në polici dy prej tyre