Marrëveshja me Zotin në botën e shpirtrave

Risill në kujtesë kur Zoti yt nxori nga bijtë e Ademit, nga ijët e tyre, pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë për vetet e tyre: “A nuk jam Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmuam.”
وَإِذْ أَخَذَ رَبُّكَ مِن بَنِيۤ ءَادَمَ مِن ظُهُورِهِمْ ذُرِّيَّتَهُمْ وَأَشْهَدَهُمْ عَلَىٰ أَنفُسِهِمْ أَلَسْتُ بِرَبِّكُمْ قَالُواْ بَلَىٰ شَهِدْنَآ
(Surah el-A’raf 7,172)
Ky ajet lidhet me konceptin kuranor të fitra-s, natyrshmërisë së lindur me të cilën janë të pajisura që në fillesë të gjitha qeniet njerëzore. Kjo tregon se aftësia e natyrshme e njohjes së njësimit të Zotit përbën thelbin e të qenurit njeri. Ndonëse qeniet njerëzore nuk e kujtojnë këtë marrëveshje paraekzistenciale, është e kuptueshme se dëshmimi i sundimit të Zotit, i dhënë nga ana e tyre, ka lënë një vulë të pashlyeshme mbi shpirtrat e tyre dhe ka rrënjosur përgjegjësi morale mbi ta. Kur këta shpirtra futen në trupat tokësorë dhe arrijnë moshën e të kuptuarit dhe të përgjegjësisë morale, atëherë dija e rrënjosur qysh në krijim rizgjohet tek ata që besojnë sapo të hasin me mësimet profetike, me shkrimet e shenjta dhe me ligjet hyjnore, të cilat shërbejnë si përkujtues e si përtëritës të marrëveshjes së tyre fillestare me Zotin.
Kur ky ajet shihet në një kontekst më të gjerë kuranor dhe vendoset përbri historisë profetike kuranore, ky pranim paraekzistencial i sundimit të Zotit mund të kuptohet se ka krijuar një prirje të lindur në qeniet njerëzore për ta njohur e për t’ju robëruar Zotit përgjatë jetës së kësaj bote, si dhe për t’i pranuar profetët dhe mesazhet që ata sjellin si “përkujtesë” të asaj që ato e dinë tashmë brenda tyre, por që thjesht e kanë harruar. Si pasojë, ata që nuk i pranojnë profetët konsiderohen si të paditur të vetëdijshëm, për shkak se mohojnë disa të vërteta që në çdo shpirt të sinqertë dhe jo të shthurur moralisht do të duhej të kumbonin me një dije të thellë, por të harruar, rreth Zotit, e cila sidoqoftë ekziston ende brenda tyre.
Në këtë kuptim, ai që i mohon e që i hedh poshtë mesazhet profetike të dërguara për të cilësohet si kafir, një fjalë që rëndom përkthehet si “jobesimtar”, por që kuptimi etimologjik i së cilës është: “të mbulosh diçka”. Në kuptimin fetar, kjo i referohet mbulimit të vetëdijes së lindur të së vërtetës të sundimit dhe të njësimit të Zotit, të asaj të vërtete të cilën qeniet njerëzore e mbartin brenda vetes. Në këtë mënyrë, marrëveshja paraekzistenciale, së bashku me të dërguarit e sjellë prej Zotit për të gjithë popujt, shërbejnë si “provë” kundër jobesimtarëve, të cilët në mënyrë kapriçoze a cinike i mohojnë mesazhet profetike, për vërtetësinë e të cilave ata janë të bindur thellë brenda veteve të tyre.

Artikulli paraprakArabia Saudite është ndër shtetet më të lumtura në botë
Artikulli vijuesRreth 40 doganierë të dyshuar për korrupsion në vitin 2015