Masa preventive kundër etheve hemoragjike

Në zonat e identifikuara endemike me rriqra si Malisheva , Rahoveci, Suhareka dhe Klina, ka filluar spërkatja.
 
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku futet edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit, kanë filluar zbatimin e planit operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemoragjike.
 
Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, tregon për masat preventive që tashmë janë ndërmarrë.
 
“Edhe sivjet, ne në prognozë mund të presim numër të madh të pickimeve nga rriqrat për shkak të pakujdesit të qytetarëve në vendin ku punojnë, jetojnë apo edhe ata që merren me kujdesin e kafshëve. Janë ndërmarrë masa dhe tashmë kanë filluar aksionet konkrete si dezinsektimi i kafshëve dhe shtallave. Më vonë do të bëhet edhe trajtimi i stafit tjetër për edukim shëndetësor dhe promovim shëndetësor”.
 
“Do të bëhet edhe dezinsektimi lokal nga Ministria e Bujqësisë në arra, shkurre dhe aty ku mendohet se do të ketë rriqra, dhe do të përcillet nga Instituti Kombëtar, duke përcjellë çdo pickim të dyshimtë dhe diagnostikim të saktë për të gjitha rastet e sëmundjes”, ka shtuar Ramadani.
 
Problemi mjedisor me të cilin është ballafaquar Kosova prej vitesh, me pickimin e rriqrave dhe ethet hemorragjike, sipas profesionistëve shëndetësorë, është bërë një problem kronik.
 
Zyrtarë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, kanë bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë bashkë me Qeverinë e Kosovës dhe institucionet tjera relevante, kanë ngritur një komitet ndërministror, i cili ka shërbyer për parandalimin e etheve hemoragjike.
 
Si rezultat, vitin e kaluar nuk ka pasur vdekje të personave nga ethet hemorragjike, “krime kongo”.
 
Ndryshe, nga ethet hemorragjike vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5.200 qytetarë.
 
Lamir Thaçi, zyrtar për informim në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se agjencia në fjalë tashmë ka filluar me spërkatjen e kafshëve, si masë preventive kundër sëmundjes së etheve hemoragjike.
 
“Në bazë të planit nacional nga Këshilli Kombëtar për luftimin e etheve hemoragjike, krime kongo, është përfaqësuar zona e Malishevës si zonë endemike dhe më e prekura, ku ka pasur edhe viktima në njerëz. Ne si agjenci, kemi marrë për obligim si masë parandaluese të bëjmë spërkatjen e kafshëve, sidomos në sezonin e pranverës ku dihet se në këtë periudhë bëhet edhe shumimi i rriqrave dhe kafshët janë vatra më e favorshme pasi që rriqrat qëndrojnë dhe ushqehen me gjakun e kafshëve”.
 
“Si masë preventive për çrrënjosjen e kësaj sëmundje, ne kemi bërë projekt tre vjeçar me mundësi vazhdimi, që të ndihmojmë këtë zonë që të parandalojmë sa më shumë që mundemi përhapjen e kësaj sëmundje”, ka theksuar Thaçi.
 
Ndërkaq, Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Besim Zogaj, ka bërë të ditur se në Malishevë si zonë endemike me rriqra , tashmë është filluar me fushata vetëdijësuese, ku po mbahen edhe ligjerata për nxënës, se si të mbrohen nga rriqrat.
 
“Ka filluar spërkatja e kafshëve që është në kuadër të strategjisë për parandalimin e etheve hemoragjike në nivel kombëtar. Kjo është strategji e përpiluar nga këshilli ndërministror, e që praktikohet edhe nga shtetet e tjera. Është një eksperiencë e marrë nga vendet jashtë Kosovës. Spërkatja e kafshëve së bashku me masat tjera parandaluese paraqesin efekt pozitiv kundër kësaj sëmundjeje”, ka theksuar Zogaj.
 
Sidoqoftë, vetëdijësimi i popullatës, konsiderohet si shumë i rëndësishëm në uljen e numrit të njerëzve që pickohen nga rriqrat.
Artikulli paraprakGashi dërgon Baselin në finale
Artikulli vijuesSelmani: Liburn Aliu më fyeu mbi baza familjare, kërkohet dorëheqja e tij