Mbaroi protesta “Dita D”: Duam Maqedoni që do t’i takojë të gjithëve 

Me kërkesën kryesore për integrim në NATO dhe BE, poshtë regjimit VMRO-BDI si dhe duke kërkuar puna e prokurorisë speciale në Maqedoni të vazhdojë, Këshilli Opozitar sot mbajti protestën e tyre në ditën e 9 majit që simbolizon rënien e fashizmit.
Lideri i “BESËS”, Bilall Kasami kreu i Lëvizjes Besa ka mbajtur fjalim para masës së protestuesve.
“Ne jemi këtu që të tregojmë rrugëtimin e shqiptarëve. E rruga jonë është Europa si partner të barabartë. Ky vend është shndërruar në një vend ku presidenti fal kriminelët, kryeministri është kriminel kryesor,… vend ku kryeparlamentari tallet me përfaqësuesit e popullit. Kjo më nuk do të tolerohet. Sot shqiptarët flejnë burgjeve. Ne jemi këtu t’i japim përkrahje Prokurorisë Speciale Publike. Këta politikanë shqiptarë vasal të pushtetit nuk janë zëri jonë. Jemi sot këtu kundër rasteve të montuara: Sopotit, Monstrës, Kumanovës … Koha këtij pushteti i ka mbaruar. Zëri i vërtetë i shqiptarëve është sot këtu para kësaj godine të kriminelëve”, tha mes tjerash Kasami, raporton Portalb.
Orhan Murtezani në emër të Këshillit opozitar ka shpalosur kërkesat e këtij këshilli.
“Jemi mbledhur para Qeverisë nga revolta e akumuluar ndër vite, dëshirojmë kësaj qeverie anti evropiane t’ia përcjellim disa mesazhe. Shqiptarët duan alternativën evropiane. Askush nuk guxon ta pengojë punën e Prokurorisë Speciale Publike dhe Ivanovin ta tërheqë vendimin për abolim. Është nevojë imediate edhe formimi i Gjykatës Speciale. Zgjedhje duhet të ketë vetëm kur do të përmbushen të gjitha kushtet. Për shqiptarët e Maqedonisë janë të papranueshme pa zërin e vërtetë të shqiptarëve. Zëri i vërtetë i shqiptarëve është këtu në këtë protestë. Duhet të fillojë procesi i ridefinimit të shtetit, ky proces është i pashmangshëm”, tha Murtezani, raporton Portalb.
“Duam Maqedoni që do t’i takojë të gjithëve. Por Maqedonia nuk ndërtohet me shqiptarë të burgosur, sepse kjo Maqedoni do të kalbet.”, kështu është shprehur publicisti Kim Mehmeti.
18:52- Protestuesit kanë arritur para objektit të Qeverisë. Ku është vendosur një binë, nga ku pritet që organizatorë t’i drejtohen masës.

Artikulli paraprak“Zëri i vërtetë i shqiptarëve është sot këtu para kësaj godine të kriminelëve” (FOTO)
Artikulli vijuesKIM MEHMETI: MAQEDONIA ME SHQIPTARËT TË BURGOSUR DO TË KALBET!