Mbetet në udhëkryq çështja e emrave të shkollave në Tetovë

Komuna e Tetovës ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret në drejtim të ndërrimit të emrave të shkollave të mesme të qytetit. Edhe pse vitin e kaluar, nga komuna e Tetovës pranuan se këtë çështje e kanë pasur edhe në platformën parazgjedhore dhe se ajo do të jetësohet së shpejti, prapëseprapë asnjë hap. Kryetarja e komunës Teuta Arifi konfirmoi për Alsat-M se një gjë e tillë do të ndodh, por pa precizuar se kur.

“Realisht në këtë fazë nuk kemi kërkesa të asaj natyre por gjithsesi që kemi thënë që angazhimi ynë do të jetë që emrat e institucioneve, emrat e rrugëve, emrat e objekteve publike të reflektojnë përbërjen, identitetin kulturën e popullatës në këtë vend”, deklaroi Teuta Arifi, Kryetare e komunës së Tetovës.

Por e pyetur se kur planifikohet të ndodh një gjë e tillë, Arifi nuk dha përgjigje precize, por thjesht garantoi se po punohet në këtë drejtim.

“Mendoj që ajo është një çështje e cila do të ketë rrjedhën e vet”, u përgjigj Teuta Arifi, Kryetare e komunës së Tetovës.

Muaj më parë, kreu i këshillit të komunës së Tetovës Isen Xhemaili, theksoi se edhe nëse një kërkesë e tillë nuk dorëzohet nga drejtorët e shkollave, atë iniciativë do e ndërmarrë vetë komuna në seancën e radhës, gjë e cila në fakt nuk ndodhi. Deri tani, vetëm në njërën shkollë të mesme të Tetovës, atë “Mosha Pijade” ka filluar iniciativa për ndërrimin e emrit të saj, iniciativë kjo nga vetë ministri i arsimit Abdilaqim Ademi, por edhe ajo nuk mori epilog. Shkolla e mesme tekstile ka dërguar një kërkesë të tillë në komunën e Tetovës, dy herë, në mandatet e kaluara të komunës, por ato kërkesa nuk janë futur as në procedurë. Të pesta shkollat e mesme të Tetovës mbajnë emra heronjsh të periudhës së komunizmit. /alsat-m                                           

Artikulli paraprakTurqi, në automjetin me targa shqiptare gjenden rreth 51 kg heroinë, arrestohen 5 persona
Artikulli vijuesEgjipti i kërkon BE-së mbylljen e kanaleve të transmetimit të Vëllazërisë Muslimane