Mbi këngën “Mulla Jakupi” të Adem Ramadanit

Në janar të këtij viti u bënë dhjetë vite nga ndarja fizike e hoxhës Jakup Asipi. Pas vdekjes së tij shoqata edukative “Vllaznia”, shoqatë e themeluar nga hoxha në vitet e nëntëdhjeta, ka realizuar një sërë projektesh për ta nderuar emrin e veprën e Jakup Asipit. Është bërë dokumentar, janë riprodhuar libra të pasautoruara me emrin e tij, e së fundmi – gjegjësisht në datëvdekjen e tij të dhjetë – shoqata edukative “Vllaznia” organizoi akademi përkujtimore me atë rast. Deri më tani ka pasur edhe projekte individuale nga dashamirë të hoxhës si dhe artistë të pavarur, me qëllimin për të vënë në pah vlera të hoxhës së nderuar famëmadh. Projekti më i fundit relevant është kënga me titull “Mulla Jakupi”, e shkruar e e meloduar nga liriku Adem Ramadani.

Që në hyrje të kësaj kritike të tërheqim paralele se këto vargje nuk mund të konsiderohen “ilahi”. Sipas konfirmimit gojor që hoxha Qenan Ismaili ma ka thënë në një rast, “ilahi” mund të quhen ekskluzivisht vargjet që kanë të bëjnë me Zotin e Madhërueshëm. Gjithçka tjetër bie në kategori të mëposhtme. Duke qenë se hoxha Jakup Asipi, pavarësisht vlerave të larta humane, kombëtare e fetare, është megjithatë krijesë e vdekshme njerëzore – kujtoj se nuk mund t’i quajmë këto vargje të thurura si “ilahi”. Duhet të fillojmë këto lirika t’i quajmë “këngë”. Duhet ta thyejmë këtë tabu të pabazë se “nuk bën t’i quajmë këngë për shkak se këto kanë tematikë fetare”. Duhet shlyer këtë mendësi të paargumentueshme. Për vetë faktin se këto vargje këndohen. Pra, të gjitha përpjekjet letrare që këndohen – janë këngë. Edhe “ilahia” është këngë. ILAHIA ËSHTË LLOJ KËNGE QË KA TË BËJË ME ZOTIN E MADHËRISHËM. Është lloj kënge, jo zëvendësues subkulturor i këngës!

Asgjëmangut, kënga “Mulla Jakupi” e A. Ramadanit bëri bujë të konsiderueshme në aspekt të 1) numrit të herave të dëgjuara për kaq kohë, edhe pse nuk mund të konsiderohet faktor kyç në trajtë të përgjithshme; 2) bukurisë së kulluar artistike-letrare – që është boshti i kësaj kritike; dhe 3) realizimit të mirëfilltë në aspektin tingullor e elementeve të tjera përcjellëse – që mund të jenë gjykim më subjektiv…

Kënga në fjalë ka 16 vargje të papërsëritura, të derdhura në dy strofa tetëvargore duke e pasur ndërmjet refrenin, dhe 8 vargje të përsëritura në trajtë refreni, të përsëritur një herë ndërmjet dy strofave dhe dy herë në fund.

Në stofën e parë katërvargore flet në përgjithësi për humbjen e jetës së hoxhës dhe reagimin që kjo gjë ka shkaktuar në mesin e dashamirëve të tij dhe në përgjithësi të shoqërisë që e ka rrethuar, duke e përfunduar me faktin se “i shkretë paska mbetur minberi”. Në këtë rast autori ka mëtuar të thotë se duke e pasur parasysh nivelin e tij të diturisë dhe shkathtësisë oratorike e bën hoxhën të pazëvendësueshëm kuptohet në trajtë relative.

Në strofën e dytë katërvargore autori flet për ndjenjat dhe quajtjet e tij që i ka për hoxhën. Në vargun e dytë të kësaj strofe e quan “trim i umetit” dhe me të sikur mëton të thotë se hoxha ka qenë mjaft i guximshëm në shumë plane vështrimi. Gjykimi im subjektiv është se ka pasur ndër mendë të thotë se ka pasur guxim intelektual të thyejë shumë gjëra negative të shoqërisë për kohën sa ka jetuar… Më pas autori konstaton se “para veprës heshtin fjalët”, me atë që përpjekjet tona që i bëjmë për njerëzit e mirë janë thjesht definim i vetes sonë se a mundemi t’i vërejmë apo jo, përndryshe “s’kanë nevojë [për] mbështetje malet”.

Pas këtyre dy strofave vjen refreni i derdhur në tetë vargje, gjegjësisht në dy strofa të ngjitura katërvargore. Në fillim këtu autori sërish shpreh subjektivizmin e tij se “ka mbetur e thatë kursia kur thërret ezani te xhamia”.

Në vargun e tretë të refrenit mësa thotë logjika letrare, nuk është dashur të përdoret folja në trajtë urdhërore “hajde”. Është e kuptueshme se ngushtësia leksikore është gjithmonë e pranishme në vargje poetike, sidomos në këngë, e sidomos kur autori dëshiron të ketë metrikë simetrike e rimë të natyrshme (siç do të thoshte poeti Ilmi Rexhepi), por gjithashtu duhet pasur parasysh se letërsia e mirëfilltë do korrespondencë logjike të rregullt. Hoxha ka vdekur. Këngë po i thuret mu për shkak të rastit të vdekjes. Dhe korrespondenca logjike e rregullt thotë se nuk thirret i vdekuri. Në vend të kësaj foljeje mund ta kishte përdorur përemrin kundrinor “ty”, me atë që rasa e emrit vijues “hoxhë” sërish do të mbetej thirrore. Pra: “ty, o hoxhë, të pret xhemati”. Në të dyja rastet “drejtimi është kah personazhi”, po me përpjekjen e dytë të sugjeruar nuk prishet korrespondenca. Vetëm tregohen ndjenjat e “publikut” dhe rrëfimi lihet me aq… E këtu pastaj autori thur fjalë lavdie se “fjalët i ka si mjalti që rrjedh”.

Në strofën e dytë të ngjitur katërvargore autori miraton veprën e lartë të bërë nga hoxha, që e përmbledh të gjithën duke i dhënë “lavdi”, e pastaj jep element identifikues gjeografik të hoxhës. Në vargun e dytë të kësaj strofe e quan “dijetar i Ballkanit”. Këtu duhet një shpleksje më të madhe. Pavarësisht se ky konsiderim është subjektiv, që kuptohet se është në suaza të lejesës artistike-stilistike, autori shprehet i matur për faktin se fjalën “dijetar” nuk e thotë në trajtën e shquar. Kjo është shumë me rëndësi. Pra, e lavdëron pa e tepruar, duke i thënë se ti je në atë piedestal, po së bashku me dijetarë të tjerë, pa e marrë guximin ta bëjë ky hierarkinë. Sikur ta kishte lënë në trajtë të shquar, do të nënkuptonte se Jakup Asipi është në krye të të gjithëve dhe kjo thënie do të ngjallte polemikë të panevojshme. Për fat të mirë, metrika nuk e ka lënë autorin ta bëjë këtë. Refrenin e përfundon me tezën pothuajse qind për qind të saktë se “kurrë nuk iu lodh shpirti, as trUPI” dhe e përfundon me rimë të përkryer se po bëhet fjalë për “hoxhën e madh mulla JakUPI”.

Në katër vargjet e para të strofës së fundit tetëvargore autori shënon atribute të Jakup Asipit. E quan “det i mbushur me dije”, se ligjëratat e tij janë plot me “shije”, kurse me fjalët “ujë i freskët n’mes shkretëtire” e “flakadan n’mes errësire” vë në pah dy elemente shumë të rëndësishme metaforike. Mbase ka dashur të thotë se shoqëria jonë, që i është nxënë fryma aq shumë me probleme të ndryshme, nga ato psikologjike e tutje, ishte hoxha ai që mundohej t’ua rikthente shpresën për përmirësim të gjendjes. Por, a mjafton kjo? Nuk mjafton kjo. Sipas autorit, hoxhë Jakupi ishte edhe “flakadan” – që gjykoj se ka dashur të thotë se roli i hoxhës nuk ka qenë vetëm të gjejë zgjidhje lokale a të përkohshme dhe t’i lërë njerëzit me aq, po të shërbejë edhe si flakadan – pra, që t’i udhëzojë njerëzit me vizion afatgjatë. Shënim. Bashkëveprimtarët e hoxhës që unë personalisht i njoh janë të gatshëm në çdo kohë ta nënshkruajnë këtë pohim.

Në katër vargjet e fundit të strofës së fundit tetëvargore autori thotë se Jakup Asipi i ka dhënë “gjithçka kësaj toke”, duke aluduar në atë se i ka dhënë dituritë që i ka tubuar përgjatë jetës së tij studimore, i ka dhuruar botëvështrimet e tij për probleme të ndryshme, kurse në momentin “kur u desh të mbrohej vatani”, hoxhë Jakupi qëndroi në vendin e duhur duke mos e lëshuar istikamin. Në mes gjithë këtyre autori thotë se këtë hoxha i nderuar e ka marrë nga edukata familjare, që për bazë ka vlerat fetare që gjithnjë janë nyjërisht të ndërlidhura e të lidhura me vlerat patriotike e kombëtare.

Si përfundim, gojaplot mund të konstatoj se gjithmonë mund të bëhet diçka shumë më e bukur, për këdoqoftë, nga kushdoqoftë, por edhe kjo përpjekje e A. Ramadanit është e arrirë sa u përket vlerave artistike-letrare. Ka rimë të natyrshme. Ka metrikë shumë, shumë simetrike. Ka përmbledhje shumë të madhe të elementeve kyçe të personazhit për të cilin ka thurur vargjet dhe e ka performuar me shumë shpirt e shkëlqim, si edhe këngët e tij të tanishme e të mëparshmet…

Do të thosha, me keqardhje, se shumica e ilahive aktuale të nënqiellit shqiptar në Ballkan (lexoje drejt: këngëve me tematikë islame) le që është e përsëritshme e jokreative, po as mesatare nuk është sa duhet të jetë arti islam shqiptar në trajtë kënge. Gjithsaherë po përsëriten tematika të njëjta, gjithsaherë me regji tekstuale viktimizuese duke mos ia bashkëngjitur elementin shpresëdhënës, pa zbatime e përdorime të spektrit të gjerë stilistikor dhe pa lëvizje dinamike përparuese nëpër dekada… Nëse nuk do të ishte e saktë për të gjitha shoqëritë shqiptare të Ballkanit, ka shumë kritikë letrarë të tjerë që bashkë me mua i vënë duart në zjarr se për Maqedoni është e saktë. Fatkeqësisht!

Sido që të jetë, Adem Ramadani me këtë ka shlyer borxhin e vet që ka pasur ndaj hoxhës Jakup Asipi, duke qenë se edhe hoxha ka pasur admirim për lirikun në fjalë.

Në mos mundshim ne ta shlyejmë borxhin tonë ndaj hoxhës duke shkruar e kënduar, le ta shlyejmë atë duke e lexuar/dëgjuar atë që dikush e ka shkruar/kënduar për të. Sidomos me vargje të bukura e të arrira si këto të Adem Ramadanit. Le ta shlyejmë borxhin edhe ndaj përparimit letrar të nënqiellit. Pjesa tjetër e botës (arabët, anglishtfolësit, boshnjakët e turqit) është shumë, shumë përpara nesh. Patjetër duhet të bëjmë diçka më shumë e më mirë në këtë drejtim.

Autori është filolog i diplomuar dhe është duke ndjekur studimet pasdiplomike në fushën e gjuhësisë së zbatueshme. Ka botuar dy libra autorialë me përmbajtje kryesisht letrare dhe ka bërë disa recensione letrare.

Shkruan: Arsim Jonuzi

Artikulli paraprakMbi 40 migrantë janë gjetur në një kamion me targa të Serbisë
Artikulli vijuesVajza iraniane dëshiron të martohet me të dënuarin me vdekje