Në Kosovë mund të ketë luftë, por do të jetë për ekzistencë

0
275

Diskutimet e fundit, të nisura nga deklarimet e zyrtarëve opozitarë, që lufta me Malin e Zi dhe më pas një luftë e madhe në Ballkan duken të jenë të pashmangshme, janë deklarata të cilat nuk përputhen me gjendjen reale. Kështu vlerësojnë analistët politikë, sipas të cilëve problemet si çështja e demarkacionit nuk mund të zgjidhen me luftë.

Njohësi i çështjeve politike, Belul Beqaj, tha për KosovaPress se problemet e tilla si demarkacioni, nuk mund të zgjidhen me luftë. Beqaj ka deklaruar se mund të ketë individë të caktuar, jo vetëm në Kosovë, por gjithkund nëpër botë, të cilët e perceptojnë çështjen e kufirit si mundësi për hapjen e konfliktit, por kjo është çështje e cila nuk përkon me disponimin real të faktorëve kyçë, që munden me qenë bartës të konfliktit, konkretisht as nga ana e Malit të Zi dhe as nga ne në Kosovë.

“Deklaratat e fundit nuk janë në përputhje me gjendjen reale. Besoj se Mali i Zi, e edhe më pak Kosova, është e përgatitur për skenarë të luftës. Qëndrimet zyrtare të pushtetit malazias dhe qëndrimet zyrtare të Kosovës, flasin vetëm për mundësinë e tejkalimit të dallimeve, e jo për ashpërsimin e dallimeve. Nuk mund të zgjidhet problemi i vogël siç është i demarkacionit duke krijuar probleme të mëdha siç është lufta. Kjo s’do të thotë se nëse nuk zgjidhet kjo çështje apo nëse zgjidhet në formën si është aktualisht, nuk do të ketë konflikte sporadike dhe nuk do të rrezikohet siguria në rripin kufitar. Kjo është e mundur jo vetëm në Mal të Zi por është e mundur dhe në brezat tjerë kufitarë, varësisht nga interesi i qarqeve të caktuara politike, për ta tendosur situatën në Kosovë. Besoj se pas luftërave shkatërrimtare kemi nxjerr një mësim dhe nuk është mirë t’i fryjmë erës së luftës”, thotë ai.

Beqaj thotë se kësaj çështje duhet t’i kundërvihen me argumente që janë reale. E përgjegjës kryesor për tendosje të situatës, sipas tij, është Qeveria e Kosovës.

“Përgjegjës kryesor për tendosjen e situatës, edhe nëse kalon edhe nëse nuk kalon marrëveshja, është Qeveria e Kosovës. Përgjegjëse për faktin që më shumë se një vjet me qëndrimet e saj, e ka tendosur situatën deri në nivel të konfliktit brenda kombëtar. Por edhe nëse zgjidhet në formën si është sot, nuk është zgjidhja adekuate. Sepse ekzistojnë kundërshtimet, të cilat kanë edhe fakte edhe dilema. Mënyra më e mirë ka qenë që të bëhet tejkalimi i kundërthënieve dhe konflikteve, përmes një marrëveshje të faktorëve kyçë, të cilët e stabilizojnë apo destabilizojnë situatën në Kosovë. Kjo nuk ka ndodh deri tash. Zgjidhja duhet me qenë në shtyrjen e mundësisë për ratifikimin e marrëveshjes, meqenëse ratifikimi i marrëveshjes potencialisht nënkupton me të vërtetë dhe hapjen e konfliktit, i cili mund të inskenohet edhe nga njerëzit me të thjeshtë, për arsye të caktuara që përkojnë me interesin për çështje të caktuara politike”, thotë ai.

Edhe Lumir Abdixhiku, njohës i çështjeve politike, deklaratat për luftë të mundshme me Malin e Zi, i quan të parëndësishme dhe të paqena. Ai thotë në Kosovë mund të ketë vetëm një luftë, e ajo do të jetë lufta për ekzistencë, dhe diskutimet tjera janë vetëm për mobilizim në adresë të përkrahësve partiakë.

“Për mendimin tim, diskutimet tjera për një luftë të mundshme, janë tërësisht të parëndësishme dhe të paqena për brengen e kosovarëve. Meqenëse muhabetet e luftërave, në një shtet nuk duhen bërë nga diskutimet individuale të regjioneve, por bëhen në bazë të strukturave organizative të një vendi. Kosova është shtet, ka ushtri të veten, atë që e kemi, atë që këta politikanë e kanë ndërtuar tash e sa vite. Kosova ka forcat e veta të sigurisë. Ka inteligjencën, ka policinë. Ka një strukturë mirë të organizuar. Dhe nëse duhet me bë luftë janë institucionet përkatëse, që taksapaguesit e këtij vendi i mbajnë me forca të tyre. Diskutimet për luftë dhe sjellja e diskursit të luftës në situatën e tanishme të Kosovës, është jashtë rendit politik dhe ekonomik të Kosovës. Po them edhe njëherë, brengat e qytetarëve janë tërësisht tjera prej përplasjeve për demarkim, ose prej politikave të përplasjeve partiake. Do të ketë vetëm një luftë në Kosovë. Ajo luftë është për mbijetesë. Është për sigurimin e vendit të punës. Për sigurimin shëndetësor dhe për edukim. Kjo është lufta që kosovarët do ta bëjnë. Diskutimet tjera janë vetëm për mobilizim të përkrahësve partiakë të liderëve në fjalë”, tha Abdixhiku.