Njëzetekatër migrantë janë mbytur pranë ishullit grek Samos, pasi anija e tyre është fundosur.
Në mesin e viktimave janë raportuar edhe fëmijë.
Kjo është anija e dytë që është fundosur këtë javë në këtë rajon. Të mërkurën, shtatë njerëz janë mbytur në incidentin pranë ishullit Kos.
Nacionaliteti i viktimave të fundit nuk dihet ende.
Shumica e atyre që rrezikojnë jetët, në përpjekje për të arritur në Evropë nga Turqia, janë shtetas të Sirisë, Irakut dhe Afganistanit.
Vetëm vitin e kaluar, mbi 850,000 njerëz kanë arritur në ishujt grekë nga Turqia.
Gjatë këtij muaji, ndërkaq, 46,000 veta tashmë kanë arritur në Greqi.