Më 9 e 23 qershor, provimi i maturës

– Rreth 35 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimit shtetëror të maturës, i cili sivjet për herë të parë do të organizohet në dy ditë të ndara

Dita e parë e provimit do të jetë më 9 qershor, ku testi do të përmbajë 120 pyetje, ndërsa dita tjetër më 23 qershor, ku testi do të ketë 80 pyetje. Njësia për Vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit, në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtar, kanë punuar që sivjet të shmangen problemet e viteve të kaluara.

Provimi shtetëror i maturës për vitin 2012 do të ketë disa ndryshime, në krahasim me vitet e kaluara. Njësia për Vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit, ka vendosur disa rregulla që do të zbatohen në provim, në mënyrë që të eliminohet dukuria e kopjimit ndërmjet nxënësve. Udhëheqësi i divizionit të kësaj njësie, Mustafë Kadriu, tha për Radio Kosovën, se hapësira ku do të mbahen testet, është paraparë të mos ketë më shumë se 150 nxënës, ndërsa mbikëqyrësit nuk do të kenë më shumë se 12 nxënës në monitorim.

Maturantët do të kenë në dispozicion gjithsej 180 minuta për plotësimin e testit të parë dhe po aq për pjesën e dytë. Ndërkohë, kushti për të kaluar provimin e maturës është 50 për qind nga numri total i pikëve. Maturantët që nuk e kalojnë përqindjen e pragut, do të kenë mundësi t?i nënshtrohen provimit shtetëror në afatin e gushtit.

Artikulli paraprakKlonimi
Artikulli vijuesAfrika ‘noton’ mbi ujë