Një herë e e një kohë, jetonte një molusk i vogël dhe i bukur në thellësinë e errët të oqeanit. Ai qëndronte mbi rërë me guaskat e vet të hapura, në pritje të ushqimit. Në atë çast, pranë tij kalon një peshk më i madh se ai, i cili për shkak të shpejtësisë, ngriti një valë rëre përreth. Menjëherë, molusku mbylli guaskat e tij për të mos lejuar papastërtitë të depërtojnë brenda, por… një kokërr rëre arriti të hyjë. Guaskat ishin mbyllur pasi rëra kishte zënë vend brenda.
Të gjithë ne e dimë sa i urrejnë molusqet papastërtitë brenda vetes, sidomos atë rërën e ashpër, e cila ia nxin jetën dhe e pengon në kryerjen e funksioneve të saj të përditshme.
Sigurisht, molusku u mërzit shumë nga kjo gjëmë që i kishte rënë mbi kokë, por kjo mërzi nuk i zgjidhte asnjë punë. Prandaj dhe vendosi të bëjë diçka të dobishme dhe pozitive. Menjëherë, disa qeliza të posaçme u vunë në aktivitet dhe filluan të prodhojnë një lëndë të bardhë plot shkëlqim, me të cilën e rrethonin kokrrën e rërës. Me kalimin e kohës, kjo kokërr rëre shndërrohet në një perlë dhe margaritar të çmuar. Nga një problem që i rrezikonte seriozisht jetën, ky butak apo molusk, krijoi një gur të çmuar, një kryevepër.
Nëse Zoti e paska pajisur këtë butak dhe molusk të vockërr me mekanizma dhe mjete, me të cilat përballet dhe triumfon ndaj vështirësive dhe vuajtjeve të jetës, ç’mund të themi për njeriun, të cilin e ka favorizuar dhe privilegjuar ndaj të gjitha krijesave të tjera, duke i besuar përgjegjësinë e mbarëvajtjes të jetës në tokë?
Nëse një guaskë e vogël dhe e harruar në errësirat e oqeaneve të thellë, e shndërroka dhimbjen në një kryevepër, si është e mundur që ti o njeri me gjithë këto kapacitete fizike dhe mendore, të biesh pre e demoralizimit?
Mos lejo që të bësh një jetë çfarëdo, thjesht të plotësosh nevojat e tua fiziologjike dhe kaq. Caktoji vetes një mision dhe një mesazh në jetë, për të cilin do të punosh derisa ta realizosh. Dije se çdo njeri që i vë vetes një qëllim në jetë dhe bën çmos për ta realizuar, Zoti do e pajisë me aftësi dhe do ia mundësojë realizimin e tij.
Mbushu plot shpresë në rrugët e tua të jetës, mbështetu tek Zoti dhe bëj ç’është e mundur që ëndrrën tënde ta shohësh të përmbushur. Edhe nëse dështon, dije se nuk është turp të dështosh, por turp është ta shohësh dështimin si fundin e gjithçkaje. Dështimi është thjesht një testim dhe jo fundi.
Kij besim tek Zoti, kij besim tek vetja dhe aftësitë e tua. Kije parasysh se ai që ka besim, është ai që hedh hapa gjithmonë përpara. Nëse kapiteni i anijes nuk do të kishte besim në aftësitë e anijes para rrebeshit dhe aftësitë e tij për të manovruar në kohë të këqija, nuk do të bënte dot para qoftë dhe një milje.
Merr vendim që tani se do të ndryshosh jetën dhe se shpresën do e kesh gjithmonë para syve.