Video-agjencia ruse e lajmeve “Ruptly”, që i takon rrjetit televiziv “RussiaToday”, dhe që financohet nga Qeveria ruse, për ngjarjet e djeshme në Kosovë ka raportuar sikur ato të kishin ndodhur në Serbi dhe jo në Kosovë.
Në një video të shpërndarë në Youtube, të titulluar “Serbi: Arrestohet lideri opozitar Albin Kurti pas manifestimit masiv në Prishtinë”, “Ruptly” ka raportuar përmes videos për arrestimin e deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe bastisjen e zyrave të Vetëvendosjes nga Policia e Kosovës.
“Lideri i partisë opozitare Vetëvendosje, Albin Kurti, është arrestuar së bashku me disa anëtarë të tjerë të partisë dhe aktivistë pasi morën pjesë në një protestë në Prishtinë. Kurti u arrestua me rreth 70 aktivistë të tjerë pasi policia bastisi zyrat e partisë”, shkruhet në përshkrimin e videos.