Mehmet Görmez: Sot njerëzimi ka nevojë, të ri-gjejë përsëri njerëzimin

Görmez: “Profeti solli në botë parimet që mund ti quajmë si ‘Deklarata e të drejtave të fëmijëve’, por sot fëmijët janë viktimat dhe më të pafajshmit e luftës dhe akteve të dhunës”
 
 
ANKARA (AA) – Kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë, Prof. Dr. Mehmet Görmez, ka deklaruar se Profeti Muhammed solli në botë parimet që mund ti quajmë si “Deklarata e të drejtave të fëmijëve”, por sot sipas tij fëmijët janë viktimat dhe më të pafajshmit e luftës dhe akteve të dhunës. Ai ka pohuar se vështirë se do të japim llogari para Allahut për fëmijët e braktisur në uri, në mos arsimim dhe të cilët janë braktisur drejt vdekjes, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Görmez, mori pjesë në një aktivitet të organizuar plotësisht nga fëmijët me temë “Fëmijët dhe Ditëlindja”. Aktiviteti u organizua nën kujdesin e Bashkisë së Ankarasë dhe fondacionit humanitar dhe arsimor për shërbimet sociale në qendrën kulturore Kocatepe në Ankara.
 
Ai ka mbajtur një fjalim në këtë aktivitet duke i cilësuar fëmijët si “drita e syve”, ku ndër të tjera  u shpreh se: “Profeti solli në botë parimet që mund ti quajmë si ‘Deklarata e të drejtave të fëmijëve’, por sot fëmijët janë viktimat dhe më të pafajshmit e luftës dhe akteve të dhunës. Vështirë se do të japim llogari para Allahut për fëmijët e braktisur në uri, në mos arsimim dhe të cilët janë braktisur drejt vdekjes”.
 
– “Ka nevojë për një kontratë mëshire”-
 
Kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë, Prof. Dr. Mehmet Görmez ka pohuar më tej se: “Njerëzimi ka nevojë për dhembshurinë që Allahu iu ka dhënë fëmijëve në shpirt”. Ai theksoi se duke parë situatën në të cilën ndodhen fëmijët në ditët e sotme në vende të ndryshme në botë si në Afrikë, Azi, Amerikën Latine e deri në Euro-Azi, vërehet se është pakësuar mëshira e njerëzimit. Görmez, duke theksuar më tej se mëshira e njerëzimit është në humbje, ai tha se: “Njerëzimi nëse dëshiron të mësojë mëshirën të cilën jemi të detyruar ta ndërtojmë mbi tokë, ato mund ta mësojnë atë vetëm duke parë në zemrën e fëmijëve, në shpirtin dhe në jetën e tyre”.
 
Görmez, ka vazhduar më tej: “Njerëzimi sot ka nevojë seriozisht për një kontratë mëshire. Sot njerëzimi ka nevojë, të ri-gjejë përsëri njerëzimin. Fjala dashuri sigurisht është e bukur, por nuk mund të krahasohet me fjalën mëshirë. Fjala mëshirë është një koncept i lartë që përfshin moralin, drejtësinë, dashurinë. Për këtë arsye Allahu ka zgjedhur fjalën më të bukur për Profetin- ‘Ne të kemi dërguar ty si mëshirë për tërë botërat’. Prandaj dhe Zoti ynë na dërgoi një Pejgamber të dashur i cili është i mëshirshëm. Ai Profet më parë humbi babin dhe më pas nënën e tij, dhe duke përjetuar vështirësitë më të mëdha që mund të përballet një fëmijë ai  përparoi drejt rrugës si Profet. Kur ai u bë baba ai përjetoi gjithashtu të gjithë dhimbjet e fëmijëve të tij përveç Hz. Fatimes. Allahu na dërgoi një Profet i cili jetoi të gjitha dhimbjet që mund të jetojnë njerëzit. Kjo nuk është një rastësi”.
 
– “Vështirë se mund ta japim llogarinë ndaj Allahut për fëmijët që braktisen drejt vdekjes”-
 
Görmez, i cili nënvizon se të mëdhenjtë (autoritetet) vështirë se do të japin llogarinë para Allahut për fëmijët e braktisur në uri, në mos arsimim dhe të cilët janë braktisur drejt vdekjes, u shpreh  gjithashtu se: “Nëse dita e kiametit do të vinte për botën nga një mëkat i madh, ky kiamet do vinte ngase njerëzit mbi tokë nuk përmbushin të drejtat e fëmijëve, nuk i mbrojnë ato dhe se janë të pamëshirshëm kundër tyre. Sot në të gjitha luftërat më të pafajshmit të cilët përballen me dhunën janë fëmijët, drita e syve tanë, lumturia e zemrave tona. Ato po përballen me persekutimin më të madh”.
Artikulli paraprakBanorët e Malinës: Kush na e dërgoi Policinë, Jankullovska apo Ahmeti?
Artikulli vijuesPrapaskenat e prodhimit të Mercedesit sportiv më të bukur ndonjëherë (FOTO)