Mercedes nuk i shet vetura Qeverisë

Me 730 mijë euro institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës kanë blerë sivjet vetura të markave të ndryshme, mirëpo asnjë prej tyre nuk është Mercedes. Drejtues të gjigantit gjerman të automobilave “Daimler” patën konfirmuar në fillim të këtij viti për gazetën “Zëri” se kompanitë private (përfaqësuesit e autorizuar) nuk do të mund t’i shesin vetura Mercedes nëpërmjet tenderëve publikë institucioneve të Kosovës prej janarit 2012, gjë që tanimë po ndodh.

Sivjet nuk u është shitur asnjë veturë Mercedes institucioneve kosovare dhe në mungesë të tyre janë blerë vetura të markave tjera, si: Wolksvagen, Peugeot, KIA, Ford etj. Një vendim të tillë “baba” i veturave simbol të kualitetit dhe qëndrueshmërisë e ka marrë për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit në Kosovë, gjë që e potencon edhe “Transparency International” në raportet e publikuara.

Zyrtarët e kompanisë “Daimler Ag” kanë bërë të ditur se kanë vendosur me Kosovën të bëjnë biznes vetëm si transaksione të drejtpërdrejta, gjë që, sipas tij, garanton një shkallë të lartë të transparencës në proceset biznesore. “Ne kemi vendosur të bëjmë biznes me institucionet qeveritare dhe organizatat ndërkombëtare vetëm si transaksione të drejtpërdrejta me një numër vendesh, ku përfshihet edhe Kosova. Kjo na garanton një shkallë të lartë të transparencës në proceset biznesore”, ka theksuar më herët për gazetën “Zëri” Ute West von Vellberg, menaxher i lartë për komunikime, integritet dhe çështje ligjore në “Daimler Ag” në Shtutgard të Gjermanisë.

Zgjim Mita nga autosalloni “Mita”, diler i autorizuar i Mercedesit në Prishtinë, konfirmon për “Zërin” se gjatë këtij viti nuk e kanë shitur asnjë veturë Mercedes për institucionet e Kosovës.“Nuk e kemi shitur asnjë Mercedes sivjet për institucionet”, shprehet Mita.

Në pamundësi të shitjes së veturave Mercedes për institucionet, autosalloni “Mita” ka filluar të shesë edhe vetura franceze Renault, siç thonë drejtuesit, për ta rritur qarkullimin financiar të kompanisë.

Drejtori ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë për “Zërin” se mosshitja e veturave Mercedes për institucionet e Kosovës është vazhdimësi e imazhit negativ që ka vendi përballë kompanive serioze. “Largimi i Mercedesit që të marrë pjesë në tenderët publikë në Kosovë për shkak të korrupsionit është tregues i pastër se çfarë imazhi kemi karshi investitorëve të huaj”, shprehet Abdixhiku.

Sipas të dhënave në ueb-faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) më së shumti para publike për blerjen e veturave ka shpenzuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), 167 mijë e 400 euro nga “Kosova-Motors”, vetura të markës Ford. Kurse Ministria e Diasporës, për blerje të veturave ka shpenzuar rreth 121 mijë euro. /Tg/kohaislame

Artikulli paraprakSulmi izraelit vret dy palestinezë
Artikulli vijuesFilmi anti-islam, Hoxhallarët: S'ka protesta në Pogradec