Merkel: Qëllimi i marrëveshjes me Turqinë, mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se marrëveshja e arritur mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë për refugjatët sirianë krahas mbrojtjes së njerëzve ka si qëllim ndarjen në mënyrë të drejtë mes vendeve të BE-së të barrës që refugjatët i kanë sjellë Turqisë si dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Merkel në një intervistë në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” ka folur për marrëdhëniet mes Turqisë me Gjermaninë dhe vendeve të tjera të BE-së.

Ndaj pyetjes nëse Presidenti Recep Tayyip Erdoğan e ka zhgënjyer apo jo në disa çështje Merkel është përgjigjur se “jo, dhe se personalisht e njeh prej vitesh. “Unë do të marr pjesë në Samitin Botëror Humanitar që do të mbahet në Stamboll dhe me presidentin e Turqisë do të bisedoj rreth të gjitha çështjeve të rëndësishme. Qëllimi i marrëveshjes BE-Turqi është ndarja e drejtë e barrës dhe mbrojtja e kufijve të jashtëm të vendeve të BE-së”, – u shpreh Merkel.

Ndërsa ndaj pyetjes nëse është në interesin e të gjithëve marrëveshja në lidhje me refugjatët Merkel ka deklaruar se: “Kategorikisht besoj se kjo është në interes të Gjermanisë, Evropës dhe palës turke. Dhe kryesisht në interes më të madh për ato që largohen nga lufta dhe të atyre që bien në duart e trafikantëve të qenieve njerëzore. Turqia është një partner i rëndësishëm, fqinjë i drejtpërdrejtë i Evropës. Gjithashtu do të kishim nevojë për një marrëveshje të tillë edhe sikur në Evropë të kishim një politikë të përbashkët plotësisht ashtu siç dëshiroj, edhe sikur të gjithë vendet e Evropës të tregonin një solidarizim të drejtë. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kuptojmë shkaqet e largimit të refugjatëve nga vendet e tyre.”

Duke vënë në dukje se duhet të ofrohen mundësi sa të munden ndaj refugjatëve që të qëndrojnë në vendet e tyre Merkel u shpreh se: “Turqia me 3 milionë sirianë në vend ka marrë një përgjegjësi të madhe. Dhe me të drejtë kërkon ndarjen e barrës. Trafikimi në masë të madhe të njerëzve në bregdete dhe mbytja ende e njerëzve në detë nuk është as në interes të Turqisë. Një prej qëllimeve kryesore të marrëveshjes BE-Turqi është mos dorëzimi i Detit Egje trafikantëve. Në këtë çështje janë arritur përparime të rëndësishme. Ne duhet të qëndrojmë të lidhur me përgjegjësitë tona nëse do të marrim seriozisht vlerat që ne evropianët i shprehim vazhdimisht, ku edhe të pranojmë refugjatë, por edhe të luftojmë kundër shkaqeve që refugjatët largohen nga vendet e tyre.”

Ndër të tjera Merkel ka vënë në dukje se ndjekin me shqetësim disa zhvillime në Turqi. “PKK është një organizatë terroriste. Ne, gjermanët kemi këtë pikëpamje. Por ne gjithashtu dëshirojmë që edhe populli kurd të zërë vendin e tij në të drejtat e barabarta në Turqi dhe të kenë një të ardhme të mirë”, – u shpreh më tej Merkel.

Ndërsa në lidhje me liberalizimin e vizave të planifikuar për qytetarët turq, kancelarja gjermane Merkel ka deklaruar se: “Liberalizimin e vizave e diskutojmë që prej vitesh. Palët në vitin 2013 përgatitën një dosje që përfshin kushtet për liberalizimin. Këto janë në lidhje me standardet në Turqi dhe parashikojnë ndryshimet në këtë vend.”

 

Artikulli paraprakJa pse nuk duhet t’i vishni pantallonat kështu!
Artikulli vijuesDështimi i utopisë