Migrena, shkaqet dhe trajtimi

Migrena është një sëmundje neurologjike me dhimbje pulsative të kokës e shoqëruar me nause, vjellje, ndjeshmëri ndaj dritës, zërave dhe ndaj aromave.

Simptomet

Fillon me simptome prodromale (para ardhje se dhimbjes/semundjes), gjysmë ore deri një orë para kokëdhimbjes: me eufori, depresion, lodhje, puls të shpejtuar, anoreksi.
Pastaj vijon dhimbja e fortë e kokës në të shumtën e rasteve vetëm nga njëra anë, por jo gjithnjë. Gjatë aktiviteteve trupore keqësohen simptomet. Shpesh shoqërohet kokëdhimbja me të përziera, të vjella, fotofobi (ndjeshmëria ndaj dritës) dhe fonofobi (ndjeshmëria ndaj zërave të lartë).

Faktorët të cilët ndikojnë dhe shkaktojnë dhimbje koke janë: stresi, ndryshimi i bioritmit, mungesa e gjumit, ushqimi (djathi, çokollata, çaji, bananet, lajthia, arra, bajamja), alkooli, droga, ndryshimi atmosferik si dhe ndryshimi hormonal tek femrat.

 

Format

Eksitojnë dy lloje kryesore të migrenës: migrena me aurë dhe migrena pa aurë. Aura zgjatë deri më 60 minuta. Ajo paraqitet me halucinacione optike.


Komplikimet

Migrena kronike: më shumë se 15 ditë në muaj kokëdhimbje.
Statuti i migrenës: 72 orë pa ndërprerje të dhimbjes së kokës.
Infarkti i migrenës: dëmtimi i trurit si pasojë e migrenës.


Prevalenca (Përhapja)

Nga migrena vuajnë 18 % e grave dhe 6 % e meshkujve. Ajo manifestohet për herë të parë rreth moshës 25 deri 45 vjeçare. Deri në pubertet vuajnë meshkujt dhe femrat në përmasa 1 me 1 pastaj në moshën e rritur femrat vuajnë 3 herë më shumë se meshkujt.

 

Diagnoza

Diagnoza e migrenës bëhet nga pyetja e saktë e pacientëve si dhe nga studimi i historisë së sëmundjeve të pacientëve. Metoda speciale laboratorike për diagnozën e migrenës nuk ekzistojnë. Pra migrena është sëmundje e cila me mjete të mjekësisë nuk mund të verifikohet pa probleme. Mirëpo me ndihmën e Elektroencephalografisë (EEG), Computertomografisë (CT), Ultrazërit, mund të përjashtohen dhimbjet e shkaktuara nga tumoret, gjakderdhja në tru, etj.

 

Patogjeneza

Edhe pse patogjeneza nuk është plotësisht e sqaruar, mendohet se migrena shkaktohet nga çlirimi i një substance kimike të quajtur serotoninë ose 5HT në gjak, që shkakton ndryshime në enët e gjakut në tru. Se çfarë ndodh me saktësi është ende e paqartë, por një numër shkaqesh janë identifikuar, të cilat ndryshojnë nga personi në person. Në më të shumtën e rasteve ndodh një kombinim faktorësh që çojnë në krizë, ku mund të përfshihen faktorë ushqyes si çokollata, fruti i portokallit, limoni, brumërat, djathërat, alkooli (veçanërisht vera e kuqe), kafeina, mungesa e vitaminave, ushqime të përpunuara.

Por, në vitet e fundit është grumbulluar evidencë, sipas së cilës kjo sëmundje është të paktën pjesërisht një kanalopati (ang. channelopathy). Kanalopatitë janë sëmundje kryesisht gjenetike, që kanë si shkak një çrregullësi të përçimit të joneve në kanalet jonike të membranave celulare. Shtysa kryesore e kësaj hipoteze ishte zbulimi që Migrena Familiare Hemiplegjike (ang. Familial Hemiplegic Migraine, FHM), megjithëse një formë e rrallë migrene, është një sëmundje trashëguese e tipit autozomal dominant me mutacione të gjeneve në kromozomin e 19, që bëjnë kodimin e kanaleve të kalciumit (Ca2+) të veçanta për neuronet. Kjo shpjegon edhe faktin që bllokuesit jospecifik të kalciumit kanë rol preventiv në këtë patologji.
Shumë premtuese qe për një kohë të gjatë hipoteza e “spreading depression” (e vëzhguar së pari më 1944 nga Leao në trurin e lepurit pas shpimit me gjilpërë), por mosvërejtja e këtij fenomeni tek njerezit in situ e ka pothuajse shuar entuziazmin në këtë drejtim.
Mekanizmi që sjell dhimbjen e kokës në rastin e migrenës, i studiuar për një kohë të gjatë nga Moskowitz, është postuluar si më poshtë:
Fillimisht migrena gjenerohet në trungun e trurit (Truncus cerebri). Por substanca e trurit në vetvete nuk dhemb, janë meningjet (cipat e trurit) e enët e gjakut ato që dhembin. Kështu me anë të një sistemi trigeminovaskular (sidomos V1), nervat aferente sensoriale trigeminale perivaskulare stimulohen dhe sjellin çlirimin e neuropeptideve vazoaktive (ndër të tjerash Substancën P, NO), që rezultojnë në zgjerimin/fryerjen lokale të enëve të gjakut e shkaktimin e informacionit qendror nociceptiv. Pasojnë një varg impulsesh dhimbjeje të neuroneve qendrore të rangut të dytë e të tretë, si dhe aktivizimi i trungut të trurit , që sjell simptomat anësore. Fakti që simptomat prodromale, si p.sh. aura, skotome, që vijnë nga procese qendrore, si p.sh. nga korja okcipitale, shpjegohen shume mirë nga modeli i mësiperm, pasi ato nuk varen nga mekanizmi i dhimbjes, por direkt nga gjenerimi qendror i migrenës.

Shkaktarët
Faktorët hormonalë: menstruacionet, hipertensioni apo menopauza
Faktorët fiziologjik: presioni i lartë i gjakut, dhimbjet e dhëmbëve, dhimbjet e syve, sinozitet apo bllokimi i hundëve
Streset emocionale: zemërimi apo depresioni, emocionet e forta, shokimet, çlirimi i tensioneve, çlirimi nga streset.
Streset fizike: mbilodhja, aktiviteti, ndryshimi i rutinës, çrregullimet e gjumit, çrregullimet seksuale.
Faktorët ambientalë: ndryshimi i klimës, lagështira, zhurmat, zërat e lartë, drita.
Faktorët ushqyes: çokollata, portokalli, limoni, brumërat, djathërat, alkooli (veçanërisht vera e kuqe), kafeina, mungesa e vitaminave, ushqime të përpunuara

Mjekimi i migrenës

Terapia e migrenës bëhet në dy shtylla: terapia akute (afat shkurtër pas paraqitjes se dhimbjes) dhe terapia profilaktike (parandaluese).

Si metoda pa medikamente vlen të përmenden qetësimi në dhoma të errëta pa zhurmë, terapia aromatike dhe trajnimi autogjen.

Ilaqet natyrore
Në mjekësinë popullore për të lehtësuar dhimbjet e migrenës rekomandohen disa bimë kuruese. Një prej këtyre bimëve është bari i bletës, e cila është një bimë mjaft e njohur në mjekësinë popullore. Prej kohësh çaji i përftuar nga kjo bimë ka ndihmuar në parandalimin dhe lehtësimin e shumë sëmundjeve. Një rol të rëndësishëm lulebleta luan në qetësimin e dhimbjeve të migrenës. Çaji rekomandohet kryesisht kur ajo karakterizohet nga dhimbje të forta të kokës dhe sidomos në gjysmën e saj. Në këtë rast këshillohet të pihet menjëherë një gotë çaj Barlete. Shumë shpejt të sëmurët do shohin rezultatet e shkëlqyera të bimës.
Përdorimi i vajit të farës së zezë është një tjetër ndihmë për të sëmurët me migrenë. Doza normale për të rritur është: Një lugë çaji në mëngjes dhe një në mbrëmje ose 2-3 kapsula në ditë, ndërsa për fëmijë nën 8-vjeç, gjysma e sasisë së lartpërmendur. Marrja e dozës orale, aplikimi në ballë, ose ne pjesën me dhimbje është një kurë shumë e mirë për të lehtësuar dhimbjet. Migrena luftohet me sukses edhe nëse përdoret çaji i përfituar nga bima kualitative dhe e shëndosh bari shumëfletësh në përzierje me bimën kualitative dhe të shëndoshë fara e zezë. Nga kjo përzierje duhet të pihen tre filxhan çaji në ditë derisa të eliminohet sëmundja./kohaislame.com

Artikulli paraprakNjë grua algjeriane agjëron vitin e 111
Artikulli vijuesPolicia mohon përdorimin e dhunës ndaj VV-së