Policia mohon përdorimin e dhunës ndaj VV-së

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një grup prej 10 deri 15 personash, të dyshuar si aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, rreth orës 11:00 janë tubuar te selia e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për të shkruar në rrethojën e kësaj selie parullën “UN FAIR”.

Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani tha se për shkaqe sigurie policia ka intervenuar dhe të njëjtit i ka larguar nga ai lokacion. Kelani thonë se ndaj protestuesve nuk është përdorur dhunë, ashtu siç ka pretenduar Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk raportohet që ka ndodhur ndonjë arrestim. Është përdorur një metodë policore që turma e atyre personave të largohet për shkaqe të sigurisë së pritjes dhe vizitës se Ban Ki-moonit. Nuk është përdorur dhunë, është përdorur një forcë e nevojshme e zyrtarëve policorë, në mënyrë që ata persona të largohen…pra, është përdorur sprej policor”, tha Kelani, transmeton REL.

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ndërmarrë sot këtë aksion, duke shkruar parullën UN – FAIR (pandershmëri) në hyrje të ndërtesës së UNMIK-ut.

Aksioni i sotëm është ndërmarrë në ditën kur Kosovën po e viziton sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakMigrena, shkaqet dhe trajtimi
Artikulli vijuesAnonimiteti në internet