Migrimi ilegal po zbraz shkollat, 5200 nxënës lënë Kosovën

Ikjet masive nga Kosova nuk kanë të ndalur. Kjo ka ndikuar në numrin e nxënësve në shkolla ku po vërehen shumë mungesa.

Azem Guri, këshilltar politik në Ministrinë e Arsimit ka deklaruar për Indeksonline se numri i nxënësve që kanë lënë bankat shkollore për t’u nisur drejt vendeve të perëndimit gjatë muajve të fundit është bërë shumë shqetësues.

 

“Sipas statistikave të fundit që posedon Ministria e Arsimit është një shifër alarmuese e nxënësve që kanë lënë bankat shkollore. Janë afro 5200 nxënës nga e gjithë Kosova që tashmë kanë emigruar”, ka thënë Guri. Ai u shpreh se shifrat e fundit nuk janë definitive për arsye se numri I atyre që po e lenë Kosovën çdo ditë e më shumë po rritet.

 

“Kjo shifër prej 5200 mund të jetë edhe më e madhe. Në këtë shifër janë kryesisht nxënësit e klasave të 5 dhe të 6”, ka deklaruar ai.

 

Edhe komunat e Kosovës shprehen të alarmuara nga braktisja e shkollës nga nxënësit.

 

Prishtina prinë me numrin më të madh të nxënësve të ikur 822, Ferizaj 432, Podujeva 438, Vushtrri 406, Skenderaj 118 nxënës, Obiliq 140, Kaçaniku 155, Istogu 103, Shtime 106. Edhe nga Gjakova sipas këtyre statistikave kanë ikur një numër madh që është 400 nxënës. Ndërkaq nga Gjilani kanë ikur 350 nxënës.

 

Ndërkohë, deri në këtë periudhë numri i nxënësve që e kanë lënë shkollën është më i vogël në këto komuna: Dragash 6 nxënës, Fushë Kosova 21, Drenasi 22, Hani i Elezit 8, Kamenica 50, Klinë 56, Lipjan 338, Malishevë 52, Mitrovicë 30, Novobërd 15, Pejë 13, Rahovec 40, Shtërpc 3, Suharekë 53 dhe Vitia 50.

Artikulli paraprakRrahje në Shkup, një i therur, pesë të arrestuar
Artikulli vijuesMinistria e Arsimit dhe SASHK-u arritën marrëveshje, greva ndërpritet prej nesër fillon mësimi