Ministër, pse mos ta njohin Krijuesin në shkollë?!

0
138

Jashtë shkollës besimtarë, e brenda saj ateistë!

– A për këtë luftuam dhe derdhëm gjak ne a?!

– A kështu dëshironi t’i rritni fëmijët tonë a?!

– A kjo është demokracia juaj a?!

– Një djalë i ri e kishte blerë para një muaji një telefon të tipit “Erikson” dhe ishte interesuar ta dijë se kush ishte ai Eriksoni prej të cilit rrjedhë emri i telefonit dhe më në fund e kishte mësuar se Eriksoni kishte qenë një burrë nga Suedia, më tregoni, çfarë të keqe ka vepruar ky djalë në këtë rast?!

– Një vajzë e re e kishte blerë para një jave një veturë të tipit “Mercedes” dhe ishte interesuar të dijë për prejardhjen e tij dhe më në fund e kishte mësuar se Mercedesi kishte qenë një vajzë, prej të cilës e morri emrin kjo veturë, e më tregoni, çfarë të keqe ka vepruar kjo vajzë në këtë rast?!

– Komshiu im dje na solli një pite për drekë, pasi e kemi ngrënë, më pyeti familja: “Nga na erdhi kjo pite, kush e ka përgatitë?” Ju thash: “Komshiu që e kemi afër e përgatiti dhe na e solli neve”. Më tregoni, çfarë të keqe kanë bërë që më pyetën dhe çfarë të keqe bëra unë që ju përgjigja?!

– Ku është e keqja nëse djali im në shkollë mëson në shkencën e fizikës për gravitetin dhe në fund mëson se ai gravitet ka një Krijues, i Cili është Allahu?!

– Ku është e keqja nëse vajza ime në shkollë mëson në shkencën e kimisë për ujin dhe në fund mëson se ai ujë ka një Krijues, i Cili është Allahu?!
– Ku është e keqja që të gjithë të rinjtë në Kosovë krahas krijimeve dhe mrekullive të ndryshme që i mësojnë, ta njohin edhe Krijuesin, Shpikësin, Motivuesin, Furnizuesin, Arkitektin dhe Mbretin e tyre?!

– A nuk ka kaluar koha e ateizmit, a nuk i ka skaduar afati komunizmit, a nuk e shihni se laicizmit i vie era shumë e ithët, pse sipas jush Allahu “meriton” të harrohet?!

– Ku qëndron rreziku nëse djali yt e gjen në një dhomë një gjilpërë dhe pastaj vjen e të thotë: “O prindi im i dashur, e gjeta këtë gjilpërë, këtë po e kërkojmë që sa kohë, sepse kemi shumë nevojë, e di edhe kush e ka prodhuar dhe kush na e solli, andaj, të jemi mirënjohës ndaj tij?!”

– Pastaj ku qëndron rreziku tjetër nëse djali apo vajza juaj mësojnë në shkollë në orën e mësim-besimit se prindi duhet të respektohet aq shumë, saqë sipas parimeve fetare islame as “of – oh” s’bën t’i thuhet?!
– A e shihni ju gjendjen e mjerueshme të nxënësve, se sa pak ata marrin mësime prej mësuesëve të tyre, se për edukatë s’po flasim, se si një pjesë e tyre në mungesë të frikës së Zotit vijnë në shkollë si banditë, me sjellje të çoroditura, ku një të keqe s’mund të na gjeni e të mos gjendet tek ta, ku është respekti dhe turpi i nxënësve, pse sot shumë nxënës nuk i konsiderojnë fare mësuesit apo profesorët e tyre, luajnë me ta si Tomy dhe Jerry, se sa të paktë janë ata mësues apo mësuese që janë të kënaqur me arritjet e tyre, s’po themi t’i dërgojmë në hënë, po bile ato fryte që i vjelin ata t’i sheh bota?!
– Jemi mbetë shumë prapa o ministër, me ba botën luan ne as në bisht s’kemi vend, ne po mundohemi me shënu golë, ndërsa jemi jashtë stadiumit, çfarë gjenerate po ndërtojmë, shtëpi pa kulm, pa bazë dhe pa shtylla, tri shtylla e mbajnë njerëzimin në këmbë, shtylla e arsimit, shtylla e besimit dhe shtylla e veprimit, nuk ka të katërt, dhe njëra pa tjetrën nuk vlejnë, kur e keni rrënu shtyllën e besimit, i keni dobësu edhe këto dy shtyllat tjera, çka u bë sot, pse t’i humb nderi, vlera dhe intelektualiteti mësuesit nga ana e nxënësit të tij, apo mjafton vetëm për 8 mars “të nderohet”?!
– A jeni të kënaqur me punën që po e bëni, mos po ju lavdëron kush, a pajtoni me atë se si sot shumë nxënës krenohen me injorancën e tyre, bile thërrasin në atë se “shkollës askush nuk ia ka pa hairin”, deri kur do të lejoni ndryshkjen e armaturës së popullit të quajtur rini, po rinia evropiane ju duket ateiste, jo o burrë, edhe atje mësohet për Zotin, unë sa e di baba i komunistëve Enver Hoxha ka vdekur, bile e di se edhe eshtrat i janë kalbur, e çka u bë sot, shek.XXI, me shku fëmiu im në shkollë dhe më në fund ta sjellë në shtëpi formulën: “Mësuam për gjithësinë, mësuam për fenomenet e natyrore dhe shoqërore, mësuam për të mirat e shumta që na rrethojnë, por nuk mësuam të kujt janë ato?!”
– Pastaj më thotë mua se “unë dhe ai jemi bijt e majmunit, shimpanzës së kopshtit zoologjik, se ne burojmë nga Xhunglat e lashta, nga jeta primitive, etj”, deri kur kështu?!
– Pse Ai që krijoi çdo gjë me përsosmëri dhe përpikshmëri mendoni se “mëson keq”, ju mendoni se vdekja e anës shpirtërore është “zgjidhje”, sepse ashtu ju i ndihmoni materializmit të ec para, mendoni se një nxënës apo nxënëse nuk ka nevojë për mësimet dhe porositë e Allahut në shkollë, se jashtë shkollës mund të qëndroj besimtar, mirëpo brenda saj duhet me qenë ateist, të mësojë për të mirat, por të harroj të kujt janë ato?!
– Jo, mësim-besimi e ndërton atë fuqishëm, e bën atë njeri të kompletuar, model për të tjerët, sepse ai nxënës pastaj nuk e shan, nuk e fyen dhe nuk e nënvlerëson mësuesin e tij, por e lavdëron dhe dashuron si babën e tij, mësuesi për të bëhet drita e syve, bëhet gjallëria e mendjes, sepse një mendje që nuk ujitet me dituri thahet, me të vërtet thahet.
– Përveç kësaj, ai ose ajo mëson se libri i Allahut Kur’ani stimulon në mësime në 850 ajete, gjithashtu mëson se duhet të jetë gjithmonë punëtor, frytdhënës, i dobishëm, i urtë, i butë, i mëshirshëm, i drejtë, ndihmëtarë, sakrifikues dhe i ndershëm, pastaj ai mëson se duhet të bëhet kuadër dhe shtyllë e fortë e shoqërisë, larg nga pabesimi, larg nga padituria, larg nga papuna, larg nga dukuritë dhe cilësitë negative, mirëpo, gjithmonë duke qenë sikur bleta, e cila i thithë vetëm lulet më të bukura, pa dëmtuar askënd dhe nuk prodhon vetëm se më të bukurën e më të shijshmen.
– Kësi kalibri prodhon mësim-besimi, andaj, pse mos ta fuqizojmë mësim-besimin në institucione arsimore, pse mos ta njohin Krijuesin në shkollë, të kujt janë ato dituri dhe të mira që ju ua jepni nxënësve në shkollë dhe ata i marrin prej jush, pse gjithmonë të mësohet vetëm për të mirat e Krijuesit dhe asnjëherë të mos flitet e shkruhet për Të, a keni përgjigje të sinqertë, urdhëroni, po presim … ?!

 

Autor: Labinot Kunushevci