Pas përmbushjes së të gjitha kërkesave dhe procedurave ligjore, Ministri i Financave Avdullah Hoti sot nënshkroi marrëveshjen për Garanci Shtetërore me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me anë të së cilës mundësohet marrja e kredisë për Trafikun Urban për blerjen e 51 autobusëve.
Ministri Hoti dhe Drejtoresha e BERZH-it sot nënshkruan marrëveshjen për Garanci Shtetërore, e cila garanton kredinë në shumë prej 10 milion eurove, para këto të cilat do t’i vihen në dispozicion Ndërmarrjes Publike Komunale Trafiku Urban, njofton Ministri Hoti përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Kjo kredi do të shfrytëzohet për blerjen e 51 autobusëve të ri, të cilët do t’i shtohen flotës së Trafikut Urban dhe do ta ndihmojnë ndërmarrjen në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.
Ky investim pritet të të përmirësojë gjendjen financiare të ndërmarrjes me flotën e re dhe moderne, por të njëjtën kohë edhe të reduktojë ndjeshëm ndotjen e ajrit në qytet, marrë parasysh që autobusët do të kenë standardin e emetimit Euro 6.
Ofrimi i Garancisë Shtetërore nga ana e Ministrisë së Financave e mundëson marrjen e kredisë dhe siguron kushte më të volitshme financiare, të cilat përkthehen në periudhë kthimi prej 12 viteve dhe normë interesi prej 1% + Euribor. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ministria e Financave do të procedojë për miratim në Qeveri Projektligjin i cili pastaj dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës