VLERA JOTE SI GRUA

VLERA JOTE SI GRUA
“Kur njëri nga shoqëruesit e Profetit alejhi selam hyri në një qytet që t’ua kumtojë mesazhin e Islamit, ai e bëri këtë shumë bukur duke thënë: “Kam ardhur që t’ju liroj nga skllavëria e robërve dhe t’ju sjell në robërinë e Zotit të robërve.”
Kjo fjali ngërthen në vete një thesar të fuqishëm. Brenda këtyre fjalëve është çelësi i fuqizimit dhe rruga e vetme dhe e vërtetë e çlirimit (nga robëria).
E shikoni, në momentin që ti apo unë lejojmë diçka që ta përcaktojë suksesin tonë, dështimin tonë, lumturinë tonë, apo vlerën tonë, përveç Krijuesit tonë, atëherë ne kemi hyrë në një robëri të heshtur, por që është shkatërruese. Ajo gjë që e përcakton vlerën time si person, suksesin apo dështimin tim është ajo që më kontrollon mua.
Kjo është Zoti im.
Zoti, i cili ka përcaktuar vlerën e gruas, ka marrur forma të ndryshme përgjatë kohës. Një nga standartet më të përhapura të krijuara për gruan është standarti i meshkujve. Por, ajo çka ne shumë shpesh e harrojmë është se Zoti e ka nderuar gruan duke i dhënë asaj vlerë në raport me Të, jo në raport me meshkujt. Sidoqoftë, përderisa disa ideologji e kanë larguar Zotin nga skena, nuk ka mbetur standart tjetër, përveç atij të meshkujve. Si rezultat, gruaja u detyrua ta gjejë vlerën e saj në raport me një mashkull. Dhe, kështu, ajo ka pranuar një supozim të gabuar. Ajo ka pranuar se mashkulli është standarti dhe, si rrjedhim, një grua kurrë nuk mund të jetë një qenie e plotë njerëzore derisa të ngjasojë si një mashkull: standarti.
Kur një mashkull i preu flokët shkurt, edhe ajo deshi t’i prejë shkurt. Kur një mashkull iu bashkua ushtrisë, edhe ajo deshi t’i bashkohet ushtrisë. Kur një mashkull piu cigare apo alkool, ajo, gjithashtu, deshi të pijë cigare dhe alkool. Ajo deshi t’i bëjë këto gjëra, për asnjë arsyje tjetër, por veç pse “standarti” i kërkoi ato.
Ajo që nuk e ka kuptuar ajo është se Zoti u ka dhuruar dinjitet edhe meshkujve edhe femrave në veçoritë dalluese të tyre – jo në ngjashmëritë e tyre. Kur ne i pranojmë meshkujt si standart, atëherë çdo gjë që është unike dhe femërore bëhet e ulët dhe e dobët. Të qenurit e ndjeshme është ofendim, të qenurit nënë gjatë gjithë kohës është degradim. Në betejën mes racionalitetit stoik (që konsiderohet si mashkullor) dhe dhembshurisë vetëmohuese (që konsiderohet si femërore), racionaliteti ishte ai që mbizotëroi.
Posa pranuam se çdo gjë që një mashkull e ka dhe e bën është më e mirë, të gjitha që pasuan ishin veç reagime të nxituara dhe të pamenduara mirë: nëse meshkujt e kanë, edhe ne e duam atë. Nëse meshkujt falen në rreshtat e parë, ne mendojmë se kjo është më mirë, kështu që edhe ne dëshirojmë të falemi në rreshtat e parë. Nëse meshkujt i prijnë namazit, ne mendojmë se imami është më afër Zotit, kështu që dëshirojmë që edhe ne t’i prijmë namazit. Në një moment, ne pranuam nocionin se të qenit në një pozicion udhëheqësie në këtë botë ka më shumë ndikim se sa pozicioni afër me Zotin.
Por, një grua muslimane nuk e degradon vetën e saj në këtë mënyrë. Ajo e ka Zotin si standart. Ajo e ka Zotin që t’i japë asaj vlerë; asaj nuk i nevojitet një mashkull që ta bëjë këtë.
Pasi që na janë dhënë privilegje si gra, ne vetëm i degradojmë vetët tona kur mundohemi të bëhemi diçka që s’jemi – dhe, sinqerisht – nuk duam të jemi: një mashkull. Si gra, ne kurrë nuk do ta arrijmë lirinë e vërtetë, derisa të ndalemi së përpjekuri për t’i imituar meshkujt dhe që ta vlerësojmë bukurinë në veçoritë dalluese tonat që Zoti na ka dhuruar.
Dhe, akoma, në shoqëri është një tjetër “zot” i përhapur që u ka përcaktuar grave vlerën e tyre. Dhe ky është i ashtuquajturi “standarti i bukurisë”. Nga koha kur kemi qenë të vogla, ne si gra, na është mësuar një mesazh shumë i qartë nga shoqëria. Dhe ai mesazh është: “Bëhu e hollë, joshëse dhe atraktive.
Apo… bëhu askushi!”
Kështu, na është thënë që të vëmë “make-up” dhe të veshim fundet e shkurta të tyre. Na udhëzuan që t’i dorëzojmë jetët tona, trupat dhe dinjitetin tonë për qëllimin e të qenurit të bukura. Ne besuam se pa marrë parasysh se ç’bëjmë, ne vlejmë vetëm atëherë kur e arrijmë shkallën e të qenurit të bukura për meshkuj dhe kënaqjen e tyre. Ata të kanë bërë ty të besosh se trupi yt është krijuar që t’i reklamojë veturat e tyre.
Por, ata gënjyen!
Trupi yt, shpirti yt është krijuar për diçka më me vlerë. Shumë, shumë me vlerë.
Allahu thotë në Kur’an: “Më i lavdëruari ndër ju tek Allahu është ai që më së shumti i ruhet Atij.” (49:13)
Pra, ti je e lavdëruar dhe e nderuar. Por, jo në raport me meshkujt – qoftë për të qenë si ata, apo për t’i kënaqur ata. Vlera jote si grua nuk përcaktohet nga madhësia e belit, apo nga numri i meshkujve që të pëlqejnë. Vlera jote si një qenie njerëzore përcaktohet nga një shkallë më e lartë: shkalla e devotshmërisë dhe ndershmërisë. Dhe, qëllimi yt në jetë, pavarësisht çfarë thonë revistat e modës, është shumë më madhështor se të dukurit bukur për meshkuj.
Plotësimi ynë vie nga Zoti dhe lidhja jonë me Të. Dhe, sërish, ne, kur kemi qenë të vogla, si gra, na është mësuar se ne kurrë nuk do të plotësohemi derisa të vijë një mashkull që të na kompletojë neve. Sikur Kinderella, na është mësuar se ne jemi të paafta derisa një princ të vijë të na shpëtojë neve. Sikur Bukuroshja e Fjetur, na është mësuar se jeta jonë nuk fillon, derisa të vijë një princ joshës të na puthë neve. Por, kjo është e vërteta: asnjë princ nuk mund të të plotësojë ty dhe asnjë kalorës nuk mund të të shpëtojë ty! Vetëm Zoti mundet.
Princi yt është veç një qenie njerëzore. Zoti mund ta çojë atë tek ti që të jetë shoqëruesi yt, jo shpëtimtari yt. Freskija e syve të tu – jo ajri në mushkëritë e tua. Oksigjeni yt është Zoti. Shpëtimi dhe plotësimi yt janë në afërsinë e Tij – jo në afërsinë e çfarëdo gjëje të krijuar. Jo në afërsinë e një princi, jo në afërsinë e modes, bukurisë apo stilit.
Prandaj, unë ju kërkoj juve të çmësoni. Ju kërkoj juve të ngriteni dhe t’i thuani botës se ti nuk je robëreshë e askujt – as e modës, as e bukurisë dhe as e meshkujve. Ti je një robëreshë e Zotit dhe vetëm e Tij. Të lus që t’i thuash botës se ti nuk je këtu për t’i kënaqur meshkujt me trupin tënd; Ti je këtu që ta kënaqësh Zotin. Andaj, atyre që duan të të ‘çlirojnë’ ty, vetëm buzëqeshju dhe thuaju: “Faleminderit për asgjë.”
Thuaju atyre se ti nuk je këtu për të dalë në pah. Dhe trupi yt nuk është për konsumim publik. Sigurohu që bota ta dijë se ti kurrë nuk do të shnëdërrohesh në një objekt, apo në një palë këmbësh për të shitur këpucë. Ti je një shpirt, një mendje, një robëreshë e Zotit. Vlera jote përcaktohet nga bukuria e shpirtit tënd, zemrës dhe moralit. Andaj, ti nuk i adhuron standartet e tyre të bukurisë; ti nuk iu nënshtrohesh standartit të tyre të modës. Nënshtrimi yt është në diçka më të lartë.
Prandaj, në përgjigjien e pyetjes se ku dhe si një grua mund ta gjejë fuqizimin, e gjej vetën të drejtuar në thënien e shoqëruesit të Profetit tonë alejhi selam. E gjej vetën të udhëhequr në përceptimin se çlirimi dhe fuqizimi i vërtetë qëndron vetëm në lirimin e vetës nga të gjithë zotërat tjerë, nga të gjitha definicionet dhe standartet tjera.
Si gra muslimane, ne jemi çliruar nga kjo skllavëri e heshtur. Nuk na nevojitet standarti i bukurisë apo i modës që e ka krijuar shoqëria që ta përcaktojë vlerën tonë. Neve nuk na nevojitet të bëhemi sikur meshkuj që të jemi të lavdëruara e të nderuara, dhe nuk na nevojitet të presim për një princ që të na shpëtojë apo të na plotësojë neve.
Vlera jonë, nderi ynë, shpëtimi ynë dhe kompletimi ynë qëndron jo në robër.
Por, në Zotin e robërve!”
Yasmin Mogahed, “Reclaim Your Heart”
Përktheu: Festim Klinaku

Artikulli paraprakMinistri Hoti nënshkruan garancinë shtetërore për autobusët e Prishtinës
Artikulli vijuesAuditori gjen se shpenzimet telefonit të Jahjaga ishin mbi 45 mijë euro