Një debat në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit u pezullua të mërkurën, pasi ministri i jashtëm spanjoll Alfonso Dastis humbi ndjenjat dhe duhej të merrte kujdes mjekësor, shkruan RT.
Dastis ishte në radhën e dytë të audiencës duke ndjekur një bisedë të Bankës Botërore për të luftuar pabarazinë kur pësoi një humbje ndjenjash.
Sipas medias spanjolle ‘El Mundo’, pas marrjes së ndihmës mjekësore nga një mjek, ministri i jashtëm rifitoi vetëdijen e plotë.
Incidenti ndodhi gjatë një diskutimi që përfshinte Presidentin e Kolumbisë Juan Manuel Santos, Presidentin e Grupit të Bankës Botërore Jim Yong Kim dhe Winnie Byanyima të Oxfam International.
“Më falni se dikush është sëmurë në audiencë … a mund të telefononi një mjek?”, thotë moderatoja Susanne Wille.
Para incidentit, Dastis mund të shihej i ulur pas Mbretit Felipe VI të Spanjës me kokën e tij të përkulur. Pas ndihmës së mjekut, ministri 62-vjeçar ishte në gjendje të shoqëronte mbretin në një takim me presidentin francez Emmanuel Macron, sipas njoftimeve në mediat spanjolle.