Liberalizimi i vizave shton përpjekjet për luftë kundër korrupsionit

Instituti Demokratik i Kosovës/Transparency International Kosova ka vlerësuar se politika e papërgjegjshme është e gatshme që të rrezikojë të ardhmen, mirëqenien dhe liberalizimin e vizave e të gjithë qytetarëve vetëm për të mos prishur pazaret në fushën e prokurimit.

Ky institut këtë e bazon në faktin se shkarkimi i anëtarit të bordit të OSHP-së nga Kuvendi i Kosovës, Bajram Zogiani, erdhi 4 muaj pasi që ishte arrestuar nën dyshimin e bazuar se ka marrë pjesë në trafikim me qenie njerëzore.

KDI thotë se Zogiani tash e 14 muaj gjendet në paraburgim dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka marrë pagë të rregullt nga buxheti i Kosovës.

Ndërsa, sipas KDI-së, shkarkimi i tij erdhi vetëm pasi që Bashkimi Evropian e vendosi si kriter për liberalizim të vizave largimin e personave nga bordi i OSHP-së që janë të akuzuar për vepër penale.

“Ngjashëm, kryetari i OSHP-së Hysni Hoxha dha dorëheqje me 15 janar 2016, vetëm pak ditë para hyrjes në fuqi të ligjit të ri që kërkonte që anëtaret e OSHP-së të mos jenë të akuzuar apo të dënuar për ndonjë vepër penale”, thotë KDI në një komunikatë për media, raporton Koha.

Instituti Demokratik i Kosovës/Transparency International Kosova thekson më tej se ndikimi i faktorit politik vazhdon të ketë rolin primar në funksionimin e institucioneve të pavarura luan politika, thënë më mirë në emërimet apo shkarkimet në pozita drejtuese të organizatave të pavarura që emërohen nga Kuvendi.

“OSHP është njëri prej këtyre shembujve. Që nga gushti i 2013-ës deri në mars 2014 OSHP mbeti pa të pesë anëtarët e bordit, pasi që Qeveria u vonua me dorëzimin e propozimeve në Kuvend. Veç kësaj, me rastin e emërimit të anëtarëve të rinj të bordit, Kuvendi e shpërfilli rekomandimin e bordit të pavarur përzgjedhës, që kishin shqetësime në lidhje me disa prej të emëruarve, duke përfshirë një hetim aktual të korrupsionit”, vlerëson KDI.

Duke parë këto zhvillime dhe praktika, KDI thërret Kuvendin që të rishikojë bazën ligjore për agjencitë e pavarura që i raportojnë këtij institucioni.

Kjo, thotë KDI, nënkupton aplikimin e sanksioneve për krerët apo anëtarët e bordeve të institucioneve të pavarura në rast të performancës jo të kënaqshme apo akuzave për vepra penale.

“Gjithashtu, mosmiratimi i raporteve të tyre vjetore nga Kuvendi duhet të bartë sanksionin e shkarkimit të këtyre udhëheqësve”, vlerëson Instituti Demokratik i Kosovës/Transparency International Kosova.

Artikulli paraprakRefugjatët në Greqi, me harta të Shqipërisë në duar
Artikulli vijuesNë Ferizaj, një femër tenton të vetëvritet