Vazhdon paqartësia se çfarë epilogu do të merr ndërtimi i kryqit në Komunën e Butel. Nga BDI zotohen se do t’i përcjellin rrugët institucionale për ta ndaluar ndërtimin e kryqit, për faktin se e cilësojnë si jo legal, ndërkaq nga ana tjetër Komuna e Butelit kërkon mbështetje nga MPB për të krijuar kushte për ndërtimin e kryqit, raporton Portalb.
Komisioni i formuar nga ana e BDI-së për ta vazhduar luftën institucionale për ndalimin e kryqit në Butel ka bërë kërkesë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme deri te Këshilli i Inspektorateve, te Inspektorati shtetëror për urbanizëm dhe ndërtimtari, te Inspektorati i Ministrisë së vetëqeverisjes lokale dhe në vet Ministrinë, si dhe Sekretariati administrativ shtetëror.
Në deklaratën e tij për Portalb, këshilltari i BDI-së në Butel, Naim Saliu vërteton se dy sekretariate veçmë kanë kthyer përgjigje.
“Sipas përgjigjeve të letrave nga Inspektoratet, duhet të vendosë Ministria e vetëqeverisjes lokale. Në konsiderojmë se ndërtimi i kryqit nuk është normë ligjore, e gjitha është antiligjore”, tha për Portalb Naim Saliu.
Konkretisht, nga Këshilli i inspektorateve dhe Sekretariati i administratës shtetërore gishtin e kanë drejtuar ka Ministria e vetëqeverisjes lokale, gjegjësisht Inspektorati shtetëror për vetëqeverisje lokale.
“Këshilli i inspektorateve në përputhje me Kërkesën tuaj ka dërguar urdhër deri te Inspektorati shtetëror administrativ dhe te Inspektorati shtetëror për vetëqeverisje lokale. Duke pasur parasysh se nuk bëhet fjalë për objekt ndërtimor të kategorisë së parë, në vend se Inspektorati shtetëror për ndërtimtari dhe urbanizëm, Këshilli i inspektorateve ka kërkuar nga Komuna Butel të sigurojë inspektor kompetent ndërtimor, që është i autorizuar për realizimin e mbikëqyrjes së inspektoratit mbi objektin e këtij lloji. Pas realizimit të mbikëqyrjes nga institucionet e lartpërmendura Këshilli i Inspektorateve do të ju informojë me raport shtesë”, shkruhet në letrën e Këshillit të inspektorateve drejtuar këshilltarëve të BDI-së në komunën e Butelit, Naim Saliu dhe Ardian Bunjaku.
“Mbikëqyrje për procesin e sjelljes dhe mbikëqyrjes së ligjshmërisë së proceseve të Komunës kryen Sekretariati shtetëror për vetëqeverisje lokale”, porosisin nga Sekretariati administrativ shtetëror. Nga aty arsyetohen se pse nuk mund ta bëjnë mbikëqyrjen e jashtëzakonshme, që e kërkojnë nga BDI. Sekretariati shtetëror për vetëqeverisje lokale është pjesë e Ministrisë së vetëqeverisjes lokale.
Kujtojmë se me Ministrinë e vetëqeverisjes lokale udhëheq Lirim Shabani, kuadër i BDI-së. Portalb edhe pse ka insistuar të marrë përgjigje nga i njëjti për t’u sqaruar rreth çështjes, ministri nuk u është përgjigjur thirrjeve tona. Nga zyra e tij për marrëdhënie me publikun na kanë thënë se ai është në një takim dhe se në moment kur të del nga takimi do të kenë përgjigje për pyetjen tonë.