Ministrit Agani i kërkohet Ligji për sigurimin shëndetësor

Me 31 vota për, 18 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar mocionin e propozuar nga deputetja e AAK-së Time Kadriaj dhe grupi nënshkrues, me të cilin i kërkohej ministrit të Shëndetësisë që në të ardhmen të zbatojë vendimet e Këshillit Pavarur Mbikëqyrës lidhur me konkursin e drejtorëve të QKUK-së dhe zyrtarët e lartë në MSH përkatësisht specializantët.
Pika 2 e këtij mocioni, siç raporton KTV, kërkon që ministri Agani sa më shpejt të nxjerrë në Kuvend Ligjin për sigurime shëndetësore. Pika 3 kërkon që MSH-ja të respektojë Ligjin për menaxhimin e financave publike, sidomos kur është fjala për procedurat e tenderimit.

Ky mocion kërkon gjithashtu që në seanca e rregullta të raportohet për sistemin e informimit shëndetësor në Kosovë, gjendjen në planifikimin e kuadrove, gjendjen në sistemin shëndetësor primar, sekondar dhe terciar, gjendjen e Agjencionit të Produkteve Medicianale të Barnave.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani kundërshtoi pikat 1 dhe 3 duke thënë se këto pika janë në kundërshtim me Ligjin për shëndetësinë.

Interpelanca e sotme e ministrit Aganit me deputetët ka përfunduar me një sërë akuzash drejtuar Aganit, i cili u akuzua për keqmenaxhim, korrupsion dhe mungesë të barnave.

Agani më së shumit ka marrë kritika nga LDK-ja dhe VV-ja, e kjo e fundit ka kërkuar edhe dorëheqjen e tij. /Telegrafi/

Artikulli paraprakNikolliq kërkon falje për krimet në Bosnjë
Artikulli vijuesÇeku falënderon Turqinë për ndihmë ndaj FSK-së