Policia ka sekuestruar dhe asgjësuar një ton drogë të llojit kanabis sativa, ka arrestuar në flagrancë një person dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë, pas një aksioni të ndërmarrë në fshatin Bulsharë të rrethit të Mirditës.
Në operacionin e koduar “Oroshi”, Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Viktor Kola, banues në fshatin Bulsharë të Mirditës dhe u shpallën në kërkim Akelian, Albert dhe Marte Gjoka, që të tre banorë të fshatit Bulsharë.
Arrestimi dhe shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi gjatë një kontrolli të ushtruar janë gjetur 2 parcela të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa. Njëra parcelë ishte e korrur dhe materiali bimor ishte ne proces tharje me një peshë prej 931 kilogramësh, e cila u asgjësua me anë të djegjes.
Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 thasë me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa me një peshë prej 57 kg, e cila ishte bërë gati për t’u hedhur në treg. Në parcelën tjetër u gjetën 155 rrënjë kanabis sativa, të cilat u asgjësuan po me anë të djegjes.
Policia po punon për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, që akuzohen kultivim, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike./TCH