Policia në Paris është akuzuar se po vënë jetën e emigrantëve në rrezik, duke u rrëmbyer batanijet e tyre në zemër të dimrit.
Médecins Sans Frontières (Mjekët pa Kufij) paralajmëruan gjithashtu për “dhunën sistematike policore” ndaj qindra emigrantëve, të cilët janë të detyruar të flejnë nëpër rrugët e Parisit, për shkak të mbipopullimit të qendrës së vetme për pritje të refugjatëve në kryeqytet.
MSF ka akuzuar policinë se po ngacmon emigrantët duke i zgjuar në mes të natës, duke përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata, dhe duke mos i lejuar që të ulen ndërkohë që ata presin në radhë për një vend në strehimore, në lagjen veriore pariziane të La Chapelle.
Organizata ka përmendur disa praktika, kur është dashur që t’u ndihmojnë njerëzve me hipotermi në javën e fundit, ndërkohë që temperaturat kanë rënë nën zero.
“Në zemër të dimrit, shërbimet publike duhet të jenë në gjendje që të sigurojnë strehim për gjithë emigrantët, si një çështje urgjente. Në vend të kësaj, forcat e rendit po konfiskojnë mbulesat e tyre ose po i detyrojnë ata që të qëndrojnë në këmbë në një linjë pritjeje për orë të tëra, në një përpjekje qesharake për t’i larguar këta njerëz të përvuajtuar nga opinioni publik. Ky mohim i realitetit nëpërmjet përdorimit të dhunës duhet të ndalet”, ka thënë koordinatori i programit MSF Corinne Torre për The Independent.
Megjithatë, Ministri francez i Punëve të Brendshme, Bruno Le Roux, mbrojti policinë të dielën duke bërë thirrje për dhënien fund interferimit në punët e saj.
Parisi hapi qendrën e parë humanitare në nëntor, pas mbylljes së një kampi të madh të improvizuar, për mijëra emigrantë të zhvendosur.
Pas mbylljes, qeveria njoftoi një politikë të tolerancës zero ndaj strehëzave në skaje të rrugës, të detyruar me vendosjen e rrethimeve dhe një prani të rritur të patrullave policore.
Qendra ka qenë vazhdimisht e mbushur gjatë disa javëve të fundit, me 100 deri 150 emigrantë të cilët presin në radhë për pranim çdo ditë, shpesh duke fjetur jashtë për disa ditë para se një vend të vihet në dispozicion, raportoi MSF. /tesheshi.