MJEKËT PO IKIN

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në një konferencë për media të mbajtur të premten, ka folur për zhvillimin e resurseve njerëzore në shëndetësinë kosovare. Agani ka bërë të ditur se, Ministria që ai drejton ka ndërmarrë masa për të parandaluar migrimin e mjekëve kosovarë, dukuri kjo që mbetet shqetësuese për sistemin publik shëndetësor të vendit, njofton Kosovapress.

Ministri Agani ka shprehur brengosjen e tij lidhur me ikjen e mjekëve nga sistemi publik shëndetësor në spitalet private, si dhe migrimin e tyre në vendet e rajonit, duke thënë se dukuria e tillë në masë të madhe cenon suksesin e reformës së sistemit shëndetësor, reformë kjo që sipas Aganit, është në fazën përfundimtare.

Megjithatë, Agani vlerëson se Ministria e Shëndetësisë ka arritur që të ndërmarrë masa sistematike që këtë dukuri në masë të madhe ta zvogëlojë.

Ai si masa parandaluese ka përmendur zhvillimin e dy konkurseve publike të specializimeve brenda të cilëve janë ndarë gjithsej 503 specializime, prej tyre 341 për mjekësi të përgjithshme, 103 për stomatologji, 7 për farmaci, 13 specializime të ndryshme me financim të MSh-së për veteranët e luftës. 26 specializime për nevojat e spitalit regjional të Mitrovicës, 18 specializime për mjekët e Kosovës Lindore, si dhe 1 specializim për mjekët shqiptarë nga Mali i Zi.

“Këto dy konkurse kanë ndikuar në masë të madhe që mjekët, stomatologët, farmacistët tanë të kenë një perspektivë më të qartë në vendin e tyre dhe që kjo periudhë e tranzicionit nga kjo gjendje emergjencës shëndetësore kah një sistem bashkëkohorë i menaxhimit publik të shëndetësisë do të tejkalohet më lehtë, duke iu falënderuar këtyre masave. Ne jemi këto ditë duke e rrumbullakuar plotësisht këtë program të specializimeve dhe shumë shpejtë do të fillojnë të ndahen edhe kontratat e para në mënyrë që programi i shkollimit specialistik të fillojë me 1 tetor në lëmit e ndryshme specialistike”, ka thënë ai.

Problem akut krahas mundësimit të shkollimit specialistik për mjekët, farmacistë, stomatolog, sipas Aganit paraqet edhe papunësia ekzistuese e kuadrit të përfunduar specialistik pasi që janë të evidentuar rreth 150 specialistë të cilët presin punë e që për shkaqe financiare nuk kanë mundësi të punësohen në sistemin publik të shëndetësisë.

“Për të zbutë problemin në këtë drejtim ne kemi arritur që në fillim të këtij viti të sigurojmë pagat për 64 specialistë të rinj për t’u punësuar, gjysma e tyre në QKUK, ndërsa gjysma tjetër në spitalet rajonale. Pra bëhet fjalë për 64 pozicione, ky konkurs është në fazën përfundimtare të vlerësimit sot përfundon dita e fundit e ankesave të kandidatëve që kanë pas pakënaqësi në proces dhe pas vendimit të komisionit për ankesa do të kemi edhe listën përfundimtare të pranuarve. Ndërsa 86 specialistë të tjerë që ngelin pa punë ne do të hapim konkursin e ri shumë shpejt, besoj me miratimin e ligjit të ri për shëndetësi”, ka thënë ai.

Ministri Agani ndër të tjera ka premtuar se deri më 1 janar të vitit 2013, të gjithë mjekët që kanë përfunduar specializimin do të jenë të punësuar, duke shtuar se të njëjtit nuk do të kenë nevojë të kërkojnë punësim jashtë vendit.

Me këto politika Ministria e Shëndetësisë po bën përpjekje që të ndalojë largimin dhe migrimin e mjekëve kosovarë jashtë vendit, pasi që perspektiva momentale në Kosovë është duke u zbehur.

Po ashtu, sipas Aganit, përkujdesja për resurset njerëzore në sektorin e shëndetësisë nuk përfundon vetëm me punësimin dhe mundësimin e tyre, por do të angazhohen vazhdimisht në përkrahjen e tyre profesionale, duke ndarë fonde të veçanta për trajnime individuale të punëtorëve shëndetësore, si dhe fonde të veçanta financiare për shoqata profesionale, organizimin e konferencave të ndryshme, simpoziumeve etj.kohaislame

Artikulli paraprakVlorë, sekuestrohet një ton kanabis
Artikulli vijuesTURQIA DHURON PESË AUTOAMBULANCA