Me Edi Ramën, shefja e diplomacisë së BE-së ka qenë më e qarta se me të gjithë.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së deklaroi pas takimit me kryeministrin se kush nuk voton Vetingun po e mban peng Shqipërinë jashtë BE-së.
“Është kënaqësi për mua që ndodhem në Tiranë. Ka kaluar një vit prej vizitës time të fundit, dhe në këtë periudhë Shqipëria ka arritur shumë. Theksin e vë tek Reforma në Drejtësi, pasi rëndësia e saj tashmë njihet edhe nga BE. Kjo ndikon edhe në çeljen e negociatave. Prioriteti është në zbatimin e Reformës në Drejtësi, të Vetingut, si dhe luftën ndaj korrupsionit, trafikut të drogës, kultivimit të lëndëve narkotike. Ne jemi besimplotë që vettingu do të zbatohet në Shqipëri. Tani e keni radhë ju.
Ne jemi të gatshëm që të shohim ecurinë në këtë drejtim. Unë kam qenë shumë e qartë në takimet e sotme. Kam thënë që ata që po përpiqen të rrezikojnë reformën, apo të ulin ritmin e tyre, do të rrezikojnë integrimin në BE. Këtë e kam thënë edhe në takimin me studentët e Tiranës. Kam vënë re se qytetarët shqiptarë e duan anëtarësimin.
Bojkoti i Kuvendi do të thotë bllokomi i komisionit të Vetingut, dhe kjo pengon edhe interesimin në BE, në një kohë kur vendi juaj ka vërtet mundësinë për të ecur përpara në rrugën e integrimit.
Është me rendësi dialogu brenda parlamentit, dhe shpresoj që kjo hapësirë të përdoret, në mënyrë që të ketë ecuri pozitive në këtë rrugë. Dera e BE është e hapur për Shqipërinë, dhe ne me zor presim t’ju urojmë mirëseardhjen. Negociatat mund të fillojnë në momentin që Reforma në Drejtësi do të fillojë të zbatohet. Besoj se është kyçe që të ketë përgatitje për zgjedhje të lira e të ndershme në këtë kohë që ka mbetur. Këshillohet që të përdoren rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe BE do t’ju mbështesë me të gjitha mënyrat tona të mundshme”, tha Mogherini.
Ndërsa kryeministri Rama nënvizoi se jemi në kohë për zbatimin e 5 prioriteteve kyçe. “Jemi të bindur se kemi hyrë në një proces të përbashkët pune që të fitojmë kohë për negociatat. Kjo do të dëshmojë se Shqipëria është gati të negociojë për anëtarësim”, theksoi Rama. Ishte fjala më e shkurtër që kreu i qeverisë shqiptare ka thënë në një konferencë për shtyp. Ngaqë duket ishte i kënaqur.