Mbrëmë nuk ka pasur incidente të shënuara, në dhe rreth vendit ku po qëndrojnë me tenda qindra protestues të udhëhequr nga funksionarë të lartë të BDI-së, konfirmojnë për Portalb nga Sektori i Punëve të Brendshme të Shkupit.
“Situata gjatë natës së mbrëmshme ka qenë e qetë, nuk është shënuar asnjë incident përveç atyre paraprake, ku u dogj një palmë, u prish gur-themeli dhe rrethoja e kryqit”, tha për Portalb, zëdhënësja e SPB-Shkup, Liza Bendevska.
Rikujtojmë se pas marshit të djeshëm protestues, i udhëhequr nga funksionarët e lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, protestuesit kanë vendosur të qëndrojnë në vendin ku është paraparë të vendoset kryqi gjigand në Komunën e Butelit, siç thonë ata, derisa Komuna e Butelit ta tërheq vendimin e saj.
Protestuesit pas marshit, e kanë prishur gur-themelin dhe rrethojën e kryqit, gjithashtu është djegur edhe një palmë, ndërkaq në po të njëjtin vend janë vendosur 4 tenda më të vogla dhe dy më të mëdha. /Portalb