Komandanti i formacionit opozitar Revolucionarët Rakkaha, Ebu Ibrahim, pretendon se forcat e armatosura kurde dhe Ushtria Çlirimtare e Sirisë kanë marrë kontrollin e plotë mbi qytetin kufitar sirian Kobani dhe se kanë shtypur forcat e organizatës ISIS, raporton Anadolu Agency (AA).
Komandanti Ebu Ibrahim, në deklaratën e tij për AA, ka thënë se forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Sirisë, Peshmerge dhe grupet e tjera të armatosura kurde në tërësi kanë marrë kontrollin mbi qytetin e Kobanit, ndërsa përleshjet me forcat e ISIS janë duke vazhduar në rrethinën e qytetit.
“Kobanin e kemi pastruar nga të gjitha elementet e ISIS-it. Vazhdojnë operacione të pastrimit të vendeve përreth. Disa familje po kthehen në shtëpitë e tyre në qytetin i cili aktualisht ndodhet nën kontrollin e Ushtrisë Çlirimtare të Sirisë dhe forcave kurde”, ka thënë Ebu Ibrahim.
Observatori për të Drejtat e Njeriut në Siri tha gjithashtu se forcat ISIL-it janë dëbuar plotësisht nga Kobani dhe se përleshjet aktualisht vazhdojnë në fshatrat përreth.
Nga observatori po ashtu njoftojnë se forcat opozitare dhe ushtarët kurd janë duke kontrolluar ndërtesat për shkak të rrezikut ngase ISIS para largimit nga qyteti kanë vendosur mjete shpërthyese.
Konfliktet e forcave opozitare siriane, të mbështetura nga grupet kurde, kundër ISIS-it, në Kobani vazhdojnë tashmë prej 4 muajsh, ndërsa sot janë intensifikuar në fshatra në jugperëndim të qytetit. Avionët e forcave të koalicionit të udhëhequra nga SHBA-të kanë kryer edhe sot mbi Kobanin fluturime vëzhguese.