Muhaxheri: Borea nis në prill tè 2018

Kryetari i rizgjedhur i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur rreth prioriteteve të tij si kryetar për katër vitet e ardhshme.

Muhaxheri ka theksuar se ka pritur fitoren në zgjedhjet e 22 tetorit. “Kam besu që e kam besimin e qytetarëve dhe ajo u dëshmua në zgjedhjet e tetorit”, tha Muhaxheri.

Rreth projektit “Borea”, Muhaxheri theksoi se pritet fillimi i punimeve në fillim të vitit 2018.

“Projekti “Borea” besoj që në fillim të vitit të ardhëm në muajin prill ose maj do të fillojnë punimet, sipas marrëveshjes punëkryersi ka afat 2 vite që të përfundoj dy fazat e projektit, mirëpo mund të përfundojë edhe brenda një viti”, tha Muhaxheri.

Ai bëri të ditur se me realizimin e projektit punësohen 300-500 vetë që do të kujdesen në ndërtim, menaxhim dhe funksionalizim të qendrës.

Duke folur për projektet që pritet t’i përfundojë gjatë vitit të ardhshëm, Muhaxheri ka përmendur disa prej tyre.

“Gjatë vitit 2018 pritet përfundimi i murit të lumit prej Patrikanës së Pejës e deri tek ura e gegë siç e quajmë ne, vazhdim i punimeve në rrugën Maja e Zezë- Peklen-Shtupeq i vogël, vazhdimi i rrugës për Shtupeq të Madh, vazhdimi dhe përfundimi i rrugës Molika e Sakut-Shkrel-Bogë dhe vazhdimi i punëve dhe përfundimi i punëve në 2019 i rrugës Novosellë-Thelip-Shtedim dhe vazhdimi i rrugës për Melishevcë”, tha Muhaxheri.

Ai shtoi se këto janë arteriet e mëdha që e mundësojnë zhvillimin e turizmit në bjeshkët e Rugovës.

Po ashtu i pari i Pejës, ka treguar se do të ndërtohet edhe “Bulevardi i gjelbër” i cili do të jetë nga rrethi në hyrje të Pejës e deri tek rrethi i OSCE-së.

“Stacioni i trenti mbet aty ku ka qenë, afër stacionit të trenit do të ndërtohet stacioni i autobusëve dhe i taksive. Tek stacioni i autobusëve me plan zhvillimor, do ta ridestinojmë atë pjesë, do të jetë një pjesë që do të mundësoj ndërtimin e objekteve që janë në shërbim të zhvillimit të turizmit”, u shpreh Muhaxheri.

Artikulli paraprakDemarkacioni mund të jetë shkak që kjo qeveri të shkarkohet
Artikulli vijuesZeka: Kryeminister kur të dojmë ju rrëzojmë