"Mustafa e Vuçiqi frikohen nga reagimi i qytetarëve"

Arritjen e marrëveshjes për gjykatën në veri të Kosovës, në mes të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij serb Aleksandër Vuçiq, analistët e shohin me rezervë. Disa atë e quajnë kompromis të dhimbshëm me probleme për të ardhmen.

Emir Azemi, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress se marrëveshja e arritur është një hap pozitiv.

 

Sipas tij, nuk ka vend për panik, ndërsa në kompromise të tilla është normale që palët nuk mund të fitojnë njëjtë.

 

“Duke marrë parasysh se kompromisi interpretohet nga palët ndryshe, atëherë mund të them shumë hapur se palët nuk mund të fitojnë njësoj. Por, ky është një hap pozitiv, sepse kthehet ligjshmëria dhe funksionalizimi i jurisprudencës në veriun e Republikës së Kosovës. Mendoj se qytetarët e Republikës së Kosovës duhet ta kenë të qartë se sistemi gjyqësor është unik”, ka thënë Azemi.

 

Ai ka përmendur edhe Gjykatën Supreme me seli në Prishtinë, për të cilën tha se është instanca më e lartë në rast të ndonjë paqartësie.

 

Sa i përket çështjes së sigurisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë lëvizjes në veri dhe punës së tyre në përgjithësi në atë pjesë, ai tha se nuk do të ketë probleme.

 

“Një pjesë e gjykatës do të jetë në jug të qytetit, një afër varrezave myslimane në veri, si dhe një pjesë tjetër në Lagjen e Boshnjakëve në veri. Kjo nënkupton se do të jetë një trekëndësh i lëvizjes në aspektin gjeografik, që me fillimin e funksionalizimit të marrëveshjes do të funksionojë pa probleme”, theksoi Azemi, duke shtuar se largimi i barrikadës mbi urë tani është më se i domosdoshëm.

 

Kryeredaktori i Radio Kontakt Plus në veri të Mitrovicës, Zhelko Tvërdishiq, thotë se marrëveshjen e Brukselit rreth gjyqësorit është më e rëndësishmja e arritur deri tash, ndërsa kritikon mos transparencën e mjaftueshme rreth saj duke thënë se kjo po lë hapësirë për interpretim të ndryshëm.

 

“Kjo marrëveshje është dashur të prezantohet në plotëni dhe t’ju thuhet qytetarëve çka në fakt nënkupton ajo. Kështu, tani kemi një version nga Beogradi të cilin e thotë Aleksandar Vuçiq, dhe diçka tjetër kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Por, konsideroj se të dy kryeministrat kanë frikë nga reagimi i qytetarëve dhe kjo është arsyeja që kjo marrëveshje nuk po bëhet publike në plotësi”, ka thënë ai.

 

Tvërdishiq u shpreh se nuk do të ketë probleme sa i përket sigurisë dhe lëvizjes së gjyqtarëve e prokurorëve në veri, duke potencuar se në rast të pengesave janë organet gjegjëse të cilat duhet të kujdesen për sigurinë e tyre.

 

Në lidhje me fatin e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” në veri, ai tha se kjo është “punë e Beogradit” e cila duhet ta zgjidhet bashkë me Prishtinën.

 

“Duhet të gjenden vende të punës për ata njerëz, sepse ndryshe kjo do të shkaktonte tronditje sociale dhe trazira”, thotë ai.

 

Gazetari Gazmend Morina, ka pranuar se me marrëveshjen e gjyqësorit janë bërë kompromise të dhimbshme.

 

“Serbët si gjithmonë do ta minojnë funksionalizimin e kësaj marrëveshjeje dhe do të ketë probleme të mëvonshme me shkuarjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri, ngase do të ballafaqohen me presione të ndryshme”, ka thënë Morina, duke shtuar se “Mbrojtja Civile” është ende aktive në veri. /KP/

Artikulli paraprakDhjetë vjet në hasmëri, për një “lojë fëmijësh”
Artikulli vijuesTransferimi i policëve, faleshin në orar pune