Nga Nada Dosti
Vendimi i qeverisë shqiptare për të pranuar një kontigjent muxhahidinësh iranianë, siç quhen ndryshe pjesëtarët e opozitës iraniane në ekzil, ka bërë që opinioni në Shqipëri të fokusohet tek ta, të gërmojë, të qëmtojë, të pyes, e sigurisht të komentojë mbi ta.
Zëra të ndryshëm institucionalë janë treguar të qetë rreth këtij zhvillimi, ndërkohë që ata shoqërorë ziejnë deri diku; aq më tepër nga fakti i disa detajeve islame në paraqitjen e tyre, siç është dhe shamia.
Dhe kjo, ka bërë që të ketë një shpërthim islamofobie në rrjetet sociale, e ngatërruar keqas me muxhahidinofobi, edhe pse mes dy domeneve ka shumë pak lidhje, veç një elementi fizik pra të jashtëm.
Por le të sjellim një shembull të një lënde gazetareske spekullative, që shërben më pas për të ushqyer masat e paditura të njerëzve që gëlojnë me komente keqdashëse në rrjete sociale.
Gazeta Blic, duke marrë me screenshot një foto nga një video e publikuar në Ora News, e bën kopertinë të një lajmi i cili është një gjysëm përkthim nga The Huffington Post me titull: “Muxhahedinët në Shqipëri, The Huffington Post: Një rrezik për popullsinë vendase”.
Ndërkohë, titulli bie në kundërshtim me një pjesë të përmbajtjes; në një moment citon Ora News-in e ndërsa vetë titulli i intervistës në këtë ekran, ishte:“Muxhahedinët në Shqipëri, Sevim Arbana: Asnjë rrezik nuk vjen nga strehimi i tyre”.
Kuptohet që fotoja ilustruese dhe titulli janë aspekti i parë që tërheq vëmendjen e publikut dhe shumica mund të mos shkojnë përtej kësaj. Fotot të cilat janë përzgjedhur për të folur në lidhje me temën kanë qenë gjithmonë të femrave muxhahedine të cilat mbajnë mbulesën islame. Po përse pikërisht përdoret imazhi i femrave dhe jo i meshkujve muxhahidinë?!
Çfarë pasojash mund të sjellë ky lloj përfaqësimi dhe portretizimi në lidhje me imazhin e femrës muslimane shqiptare?!
Para pak ditësh, në faqen e tij në Facebook, Olsi Bocka ka postuar një foto ku shfaqen tre gra të mbuluara në rrugët e Tiranës. Fotoja shoqërohet me dixhiturën e mëposhtme:
“Tashmë pjesë e përditshmërise: tre gra muxhahedine (nga 3000 që do të strehohen në vendin tonë) të organizatës ish-terroriste iraniane MEK (People’s Mujahedin of Iran) duke ecur qetësisht në qendër të qytetit pasi kanë bërë pazarin.”
Ndërsa në Perëndim islamofobia prej kohësh është përvetësuar si një mjet për të emërtuar çdo musliman si një terrorist të mundshëm, në Shqipëri duket se po përdoret e njëjta teknikë kohët e fundit duke përdorur imazhe të tilla dhe duke e barazuar çdo femër me shami dhe ndoshta me pak tipare esmere me një “muxhahidine” të MEK-ut.
Kjo bëhet duke e ditur mirë se masa e popullit me shumë mundësi nuk arrin ta bëjë dallimin. Ne nuk njihemi si popull multikulturor, të aftë dallojmë lehtësisht racat, ngjyrat, e aq më tepër mënyrën e mbartjes së shamisë nga iranianët, turket apo shqiptaret. Dhe si rrjedhojë ndër njerëz të thjeshtë krijohet panik, frikë, islamofobi dhe më e pakta paragjykim dhe dyshim ndaj çdo femre me shami. Ashtu siç duket dhe nga komentet në postimin e Olsi Bockës:
“Sokol: Vërtetë janë import? nuk janë prodhim vendas?”
“Besa: Mund te jene dhe turkesha xhanem. Lagjja ime is full of”
Më e pakta që duhet thënë në të tilla raste është se grupi i grave muxhahidine, gjithashtu dhe burrave, janë sekt politik. Pra, tek ata nuk është feja apo besimi arsyeja primare e të qënit larg vendit të tyre. Ndërsa veshja e tyre, edhe pse me elementë të besimit islam, ka dhe një komponente tradite. Dhe kjo ndodh tek shumë popuj të Lindjes.
Edhe e kuptueshme të kihet një lloj frike ndaj atij grupim, që vjen dhe nga mosnjohja ose dhe nga fakti se duke qënë të përndjekur politikisht mund të na hapin telashe.
Dhe kjo është deri diku normale, deri sa nuk kalohet caku dhe zhytemi në islamofobi…për shkak të një shamie mbi kokë!