Namazi dhe lloji më i keq i hajnisë

0
598

Namazi dhe lloji më i keq i hajnisë
Pjesa e vetme që të mërzitë gjatë rrugës për të gjetur drejtimin e duhur, është atëherë kur e humbet atë. Ka shumë mënyra për të rënë, por asnjë rënie nuk është më tragjike se rënia e dikujt në fe.
Nganjëherë, del ndonjë motër dhe vendos ta largojë mbulesën dhe të jetojë një mënyrë tjetër jetese. Herë të tjera, shfaqet ndonjë vëlla që, më parë ishte aktiv në komunitet, por pastaj përzihet me një rreth të gabuar. Në secilin rast, në njëfarë mënyre dhe në një moment, vëllezërit dhe motrat tona biejnë aq thellë…
Për fat të keq, këto raste nuk janë të pazakonshme. Nganjëherë, ne nuk mund të ndihmojmë, veçse t’i shikojmë e të pyesim vetën: Si? Pse?
Ne habitemi se si dikush që dikur ka qenë shumë fetar, të largohet aq larg nga rruga (e vërtetë).
Duke menduar për këtë, ne nuk e kuptojmë se përgjigja mund të jetë më e thjeshtë se që mendojmë. Njerëzit biejnë në të gjitha llojet e mëkatit, por është vetëm një mëkat që këta njerëz e kanë të përbashkët. Një emërues i përbashkët i bashkon këta njerëz që e jetojnë një jetë plot mëkate. Pa marrë parasysh nëse ai njeri ka qenë më parë në rrugë të drejtë dhe ka rënë, apo personi nuk ka qenë kurrë në rrugë të drejtë, një gjë është e sigurtë: personi fillimisht e ka zhvlerësuar, e ka braktisur, e ka vendosur anash, ose e ka injoruar namazin para se të devijonte.
Nëse dikush falet, por vazhdon të jetojë një jetë plot mëkate, namazi që e fal ai është vetëm ushtrim gjymtyrësh – jo i zemrës apo shpirtit. E shihni, namazi e ka një karakteristikë kruciale e që shpesh nuk vihet re. Përveç që është një takim i shenjtë me Krijuesin tonë, namazi është një mburojë prej më të patundshmeve. Allahu thotë: “Prediko çkado që të shpallet nga Libri dhe kryeje faljen! Falja, me të vërtetë të pengon nga amorali dhe nga çdo gjë e keqe; të përmendurit (falja) e All-llahut është më e madhe, ndërkaq All-llahu e di se çka bëni.” (Kur’an, 29:45)
Kur dikush vendos ta braktisë namazin, ata, gjithashtu, braktisin edhe mburojën. Është e rëndësishme të kujtojmë se kjo braktisje e namazit, nuk ndodh përnjëherë, por ndodh në faza. Fillon me shtyerjen e namazeve nga koha e tyre e caktuar, pastaj duke i bashkuar ato. Më pastaj kthehet në humbje të të gjitha kohëve të namazit. Duke mos e kuptuar, mos falja e namazit bëhet normë.
Ndërkohë, diçka tjetër ndodh e që nuk mund të shihet. Në çdo namaz të shtyer apo të humbur, një betejë e fshehtë zhvillohet: beteja me shejtanin. Me braktisjen e namazit, njeriu e ka ulur mburojën që i ishte dhënë nga Allahu, dhe futet në fushë-betejë pa ndonjë mbrojtje. Tani, shejtani mund të ketë pushtet të plotë. Për këtë të vërtetë, Allahu thotë: “Kush mbyll sytë para këshillave të Zotit, atij ia shoqërojmë një djall që nuk i ndahet kurrë.” (Kur’an, 43:36)
Pra, nuk duhet t’i vijë çudi askujt se neglizhimi i namazit është hapi i parë drejt rrugës për devijim. Këta që janë larguar nga rruga, duhet vetëm të shikojnë prapa se ku ka filluar; dhe ata do të gjejnë se e tëra filloi me namazin. E njejta përputhet në mënyrë të përkryer edhe anasjelltas. Për ata të cilët duan t’i ndryshojnë jetët e tyre, e gjitha fillon me fokusim dhe përpjekje për të perfeksionuar namazin. Kur e kthen namazin si prioritet – para shkollës, punës, kënaqësive, socializimit, shoping-ut, televizionit, lojrave – vetëm atëherë mund ta ndryshosh jetën tënde për të mirë.
Ironia e kësaj të vërtete është se shumë njerëz mashtrohen duke menduar se, njëherë duhet të ndryshojnë e, pastaj t’ia fillojnë namazit. Kjo mënyrë e të menduarit është hile e rrezikshme e shejtanit, i cili e di se namazi i jep njeriut karburantin dhe udhëzimin e nevojshëm për ta ndryshuar jetën. Kjo është e ngjajshme sikur me një shofer, vetura e të cilit është e zbrazët, por që këmbëngul në mbarimin e udhëtimit pa e mbushur me karburant. Personi nuk do të shkojë gjëkundi. Dhe në të njejtën mënyrë, njerëzit përfundojnë në pozicionin e njejtë me vite të tëra: duke mos u falur dhe mos i ndryshuar jetët e tyre. Shejtani i sfidoi dhe fitoi.
Duke vepruar kështu, ne i kemi lejuar atij të vjedhë nga ne gjënë më të çmuar. Shtëpitë dhe veturat tona janë aq të çmuara për ne, saqë ne kurrë, as që do mendonim t’i lëmë të pambrojtura. Kështu, ne paguajmë qindra dollarë në kompani sigurimi për t’i mbajtur ato të sigurta. Ndërsa, fenë tonë e lëmë të pambrojtur, për t’u grabitur nga hajni më i keq – një hajn që iu zotua vetë Zotit se do të jetë armiku ynë i pamëshirshëm, derisa të ndodhë Dita e Fundit. Një hajn, i cili nuk na vjedh thjesht disa metale të gdhendura me një simbol të Mercedesit. Por një hajn, i cili po na vjedh shpirtin tonë që zgjatë përherë, dhe biletën për Xhenetin e përjetshëm.
Yasmin Mogahed, “Reclaim Your Heart”
Përktheu: Festim Klinaku
Përkujtuesi Ditor