Nasrud-din Albani (Shqiptari) është hadithologu më i shquar i këtij shekulli dhe përsonaliteti më i njohur i kolonisë shqiptare të Shamit (Sirisë) në Lindjen e Afërme, e cila në hapësirën kohore dyshekullore, e diktuar në rrethana të caktuara historike për t’u shkëputur nga trungu i saj në Ballkan, arriti të ruajë me përpjekje e sakrifica të ndërgjegjëshme identitetin e vet. Mbi të gjitha, pjesëtarët e saj ruajtën gjuhën, traditën, mallin dhe nostalgjinë për vendlindjen, emrin dhe krenarinë për dheun e të parëve.
Vendasit që në fillim ata i quajtën Arnautë e ndonjëherë Albanë.
Një kohë të gjatë jemi munduar ta rindërtojmë kulturën tonë me përplotë zbraztësi dhe qëndrim tepër revolucionar ose pragmatik nënshtruar interesit dhe metodës së shumicës që në të njëjtën kohë ka qenë ndër format më të mira të manipulimit, ashtu që brenda kësaj periudhe anën më të shtrenjtë të historisë, traditës, asaj lashtësie të shenjtë e kemi lënë të zbrazët nga figurat shpirtërore të popullit tonë, ose përçdoherë pas vdekjes jemi orvatur t’i gjejmë. Për fat të keq, kemi shkuar aq larg saqë kemi krijuar sisteme “me lejen tonë” që t’i dëbojmë mendjet më të njohura, xhevahirin e popullit nga trojet e veta. Një ndër ta pa dyshim është edhe emri që vetëm te ne, shqiptarët, “intelektualët” është i panjohur e ai është Nasiruddin el-Albani, emër që tregon se është bir i shtetit shqiptar.
Nasirudin Nuh Nexhati, apo siç njihet nga të gjithë si Albani (për shkak të origjinës së tij shqiptare), ka lindur në Shkodër, në vitin 1332 H (1914 M), në një familje zanatcinjësh, por fetare. Babai i tij, haxhi Nuh Nexhati, pasi studioi për disa vite me radhë në Stamboll, u kthye në vendlindjen e tij, për t’iu përkushtuar arsimimit të popullit dhe pajisjes së tij me njohuritë më të nevojshme fetare.
Me ardhjen në pushtet të Ahmed Zogut, u duk mjaft afër se Shqipëria po shndërrohej dalëngadalë në një shtet sekularist (laik) i cili mund të pengonte deri diku zhvillimin normal të jetës fetare islame, ndaj shumë familje u shpërngulën nga Shqipëria për t’u vendosur në vende të ndryshme të botës. Njëra prej këtyre familjeve ishte dhe familja e Haxhi Nuhut, e cila u vendos në Damask. Në Damask Shejh al-Albani kaloi fëmijërinë e tij dhe vijoi shkollën fillore, aty pastaj mësoi Kur’anin, texhvidin, shkencat e gjuhës arabe, fikhun e medhhebit hanefi dhe degë të tjera të Dinit, nga dijetarë të ndryshëm dhe shokë të babait të tij.
Babai i tij, i pakënaqur nga programi mësimor i shkollave të qytetit të Damaskut, e largoi atë nga shkolla dhe në të njëjtën kohë përpiloi një program të caktuar për të mësuar vetë djalin e tij.
Ai nga i ati mësoi edhe zanatin e orëndreqësit dhe u bë tejet i shkathët dhe i famshëm për këtë, duke i nxjerrë edhe të ardhurat nga kjo.
Pas një rruge të gjatë me njohjen e gjuhës arabe, të cilën arriti ta përvetësojë më së miri, ai filloi të njihej nga të gjithë për forcën e interpretimit dhe mundësitë e mëdha që kishte në të argumentuarit e vlerave gjuhësore e letrare.
Nasirudini ishte një djalë i zellshëm dhe ishte i dhënë shumë pas leximit. Ai lexonte gati çdo gjë që i binte në dorë, por interesimi i tij për shkencën e hadithit u zgjua në moshën 20 vjeçare si pasojë e një artikulli të botuar në revistën “Menar”, i cili bënte një analizë të librit të Imam Gazaliut “Ringjallja e dijeve fetare” duke vënë në dukje anët pozitive dhe negative të librit. I tërhequr nga analiza e librit në fjalë, ai vendosi që ta merrte me qera, pasi nuk kishte para të mjaftueshme për ta blerë.
Ky pra ishte hapi i parë që hodhi Albani në detin e pafund të shkencës së hadithit, në të cilën ai u bë më vonë një nga figurat më të njohura në rang botëror.
Ai u thellua më tutje në lëmën e hadithit dhe në shkencat e tij të ndryshme, përkundër dekurajimit nga i ati i vet. Përvëç kësaj, librat të cilat i duheshin nuk mund të gjendeshin në linbrarinë e të atit të tij, e cila kryesisht ishte e përbërë prej veprave të ndryshme të Fikhut hanefi, dhe meqë nuk kishte mundësi ta paguajë shumicën e librave që i nevojiteshin, ai i huazonta ato nga libraria e njohur e Damaskut “El-Maktebetudh- Dhahirijje” ose nganjëherë nga librashitësit.
Ai u bë i përhumbur në shkencën e Hadithit në atë masë, saqë nganjëherë e mbyllte shitoren (punëtorinë) e tij dhe qëndronte në një prej bibliotekave të Damaskut deri në 12 orë në ditë, duke e ndërprerë punën e tij vetëm për namaz – madje nuk shkonte as të hante, por i merrte dy shujta të lehta me vete. Leximi i gjatë, e bënte të ishte më këmbëngulës dhe më kërkues nga vetvetja. Për shkak të këtij përkushtimi drejtoria e bibliotekës i dha atij një dhomë të posaçme për studim, si dhe një çelës për të hyrë në bibliotekë para hapjes së zakonshme të saj. Shpesh ai mbetej duke punuar nga mëngjesi herët e deri pas jacisë. Gjatë kësaj kohe ai krijoi disa vepra të dobishme.
Pas një kohe ai filloi të mbajë mësime dyjavore, të cilat ndiqeshin nga nxënës të diturisë dhe nga mësimdhënës të universitetit, në të cilat ai u mësonte libra të ndryshëm të Akides, të Fikhut, të Usulit dhe të shkencave të Hadithit.
Kapja e tij pas Librit të Allahut, Sunnetit dhe pas kuptimeve të paraardhësve të devotshëm (Es-Selef Es-Salih), nënkuptonte natyrshëm që ai do të binte nganjëherë në kundërshtim me dijetarët lokalë, të cilët verbas pasonin kuptime dhe dispozita të caktuara, e sidomos binte në kundërshtime me dijetarë të sekteve të ndryshme.
Shejh Albani u ballafaqua me shumë kundërshtime në përpjekjet e tij për të promovuar Tevhidin dhe Sunnetin, por ai qëndroi në këtë duke duruar me këmbëngulje.
Pra për shkak të aktivitetit të tij të pandërprerë dhe përpjekjeve të tij të palodhura në shërbim të Sunetit, ai u bë pre e shpifjeve të shumë ziliqarëve, ndaj dhe futet në burg ku qëndron gjashtë muaj. Pasi del nga burgu, ai iu përgjigj ftesës së Universitetit Islamik të Medinës për të mbajtur leksione rreth shkencës së hadithit, ku shërbej edhe si anëtar i këshillit të Universitetit. Në këtë detyrë a
i qëndroi tri vite, mirëpo shpifjet e ziliqarëve nuk munguan as atje ndaj, për shkak të shkarkimit nga detyra, ai detyrohet të kthehet përsëri në Damask. Qëndrimi i tij në këtë qytet nuk zgjati shumë, pasi u detyrua që të largohej për në Jordani, Liban, Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’u kthyer e për t’u vendosur përfundimisht në Aman, kryeqytetin e Jordanisë. Ai vizitoi për Da’vet dhe për ligjërime vende të ndryshme si: Katarin, Egjiptin, Kuvajtin, Emiratet, Spanjën dhe Anglinë.
Opusi i tij tani përfshin mbi 136 vepra shkencore, prej të cilave 16 prej tyre janë kritika shkencore, 55 vepra dorëshkrime të pabotuara, 29 vepra të botuara disa herë, 30 cenzurime shkencore në lëmin e shkencës së hadithit, 6 retushime të librave të njohur si: El-Uluv, Sahih Muslim, Sahih Buhari, Shemail
Muhammedije etj. Për këtë ai konsiderohet në botën islame si një nga autorët më prodhimtarë të shekullit tonë, në fushat e hadithologjisë, letërsis artistike arabe, historisë, kritikës letrare, sociologjisë, etikës, pedagogjisë etj. Nxënësit e tij janë shumë dhe përfshijnë shumë dijetarë të ditës së sotme si: Shejh Hamdi Abdul-Mexhid es-Selefin, Shejh Muhammed ‘Ed Abbasin, Dr. Umar Sulejman el-Eshkarin, Shejh Muhammed Ibrahim Shakrahun, Shej Mukbil ibn Hadi el-Vadi’un, Shejh Ali Khushshanin, Shejh Muhammed Xhemil Zejnon, Shejh Abdurr-Rrahman Abdus-Samedin, Shejh Ali Hasan Abdul-Hamid El-Halabin, Shejh Salim el-Hilalin dhe Shejh Abdurr-Rrahman Abdul-Halikun.
Më 2 Tetor 1999 kur Hoxha me famë shkodran ndërroi jetë e gjithë bota muslimane shkroi për këtë shqiptar me famë.
Fatkeqësisht duhet thënë se Nasrud-din Albani edhe pse i gjakut tonë, dhe megjithëse krijimtaria e tij shkencore dhe letrare kap një periudhë mbi 30 -vjeçare, në Shqipëri mjerisht njihet pak, dhe, më saktë, nuk njihet me madhështinë e tij intelektuale.