Perëndimi është paradoksalisht dominant në skenën botërore, ndërsa po gërryhet nga brendapërbrenda.
Kultura perëndimore, nuk është dukur kurrrë më parë kaq e gjithë-pushtetshme. Shikoni 30 universitetet që renditen si më të mirat në botë; ato janë të gjitha amerikane, britanike, apo evropiane – megjithëse këto renditje janë të bazuara kryesisht në përsosmërinë e departamenteve të tyre në shkencë, inxhinieri, mjekësi, dhe shkenca kompjuterike, sesa nga departamentet në gjuhën angleze dhe sociologji.
Bregu Perëndimor Amerikan ka ndryshuar stilin e jetesës së përditshme të botës me “Amazon”, “Apple”, “Facebook”, “Google” dhe “Yahoo”. Shtrirja në të gjithë botën e kulturës së lirë pop të SHBA-së, është e frikshme. Psikodramat e Hollivudit, vulgariteti i rrepit, shfaqjet televizive reality, trupat me tatuazhe dhe me pirsing, e çmendura Majli Sajrus e gjejnë rrugën e tyre, nga Nili në Kepi Horn, shkruan Victor Devis Hanson në revisten “National Review”.
Shtetet e Bashkuara, pavarësisht shkurtimeve të fundit buxhetore në fushën e mbrojtjes, zotërojnë një fuqi ushtarake tradicionale më të madhe, se gati gjithë pjesa tjetër e globit e marrë së bashku. Sipërmarrësit amerikanë të naftës kanë ndryshuar ekuilibrat globale të energjisë. Miliona emigrantë largohen nga shtëpitë e tyre për të hyrë në Evropë – jo në Rusi, Kinë apo Indi. Dhjetë për qind e Meksikës jeton në Shtetet e Bashkuara. Sondazhet në Meksikë sugjerojnë se gjysma e popullsisë së mbetur meksikane, do të preferonte të jetonte në veri, pra në SHBA, një komb ndaj të cilit siç dëshmohet nga sondazhet, ata janë natyrisht armiqësorë.
Ata që në mënyrë abstrakte e mallkojnë Perëndimin – po aq sa elitat perëndimore – duan shumë që të jetojnë brenda tij. Zërat e fortë anti-perëndimorë në Lindjen e Mesme, zakonisht janë diplomuar në universitetet perëndimore dhe jo në Gaza. Horge Ramos është një kritik i ashpër i mizorisë të supozuar amerikane ndaj emigrantëve të paligjshëm – aq shumë saqë u largua nga Meksika për Amerikën, dhe u bë një qytetar i saj (Si është e mundur kjo, duke pasur parasysh paragjykimin amerikan kundër emigrantëve?), dhe merr një pagë disa milionë dollarëshe, duke punuar rrjetin jo-latin në gjuhën spanjolle Univision, ndërsa fëmijët i çon në shkolla private, për t’i mbrojtur ata nga njerëzit e zakonshëm. Tani kjo është fuqia e Perëndimit. Alternativat janë jotërheqëse.
Muhamed Xhavad Zarif, Pervez Musharaf, dhe Muhamed Morsi, të gjithë kanë jetuar në Perëndim për periudha të gjata kohore, deri kur pushtetit politik i ktheu në shtëpi. Rusia e Putinit është një kleptokraci e vjetër dhe e pashëndetshme. Kina s’do ta kapërcejë kurrë rrethin e tregut të lirë të konsumerizmit kapitalist, por dhe autokracinë shtetërore komuniste.
India, ashtu si Brazili, është gjithnjë e korruptuar, dhe përherë thuhet se ka plot potenciale. Neo-komunizmi e ka asfiksuar Amerikën Latine. Kombet afrikane janë ende shoqëri fisnore, nën një mbulesë të hollë statiste. Lindja e Mesme është aktualisht kryesisht e para-civilizuar. (Tigrat Aziatikë, u kanë shpëtuar këtyre fateve, duke u bërë kryesisht Perëndimorë.) Dhe në epokën tonë të çuditshme, sëmundjet e Botës së Tretë identifikohen në çast dhe bien ndesh me alternativat e qytetëruara që ofron Perëndimi.
Por, ashtu si në shekullin e pestë para Erës Sonë, në Athinë dhe më vonë Romën republikane, ka shenja se Perëndimi po shkatërrohet – dhe madje kjo po ndodh shpejt. Sëmundja e përbashkët perëndimore, është e vjetër dhe ciklike. Ajo u përshkrua kohë më pare nga një grup kritikësh klasikë, nga Tukididi dhe Aristofani, tek Taciti, Petroniusi, Plutarku, Suetoni dhe Prokopi.
Në rastin e Amerikës moderne, Britanisë, dhe Evropës, begatia materiale absolute e krijuar nga kapitalizmi i tregut të lirë dhe pronës private të mbrojtur ligjërisht, e kombinuar me lirinë e individit, ka krijuar një lloj mërzie. Kjo e fundit është rezultat logjik i kësaj përzierje vdekjeprurëse, të bollëkut dhe argëtimit.
Nuk është vetëm se perëndimorët harrojnë se kush u dha atyre këtë begati, por ata kanë prirjen për të mallkuar paraardhësit anonimë, të cilët kanë punuar shumë, por pa një kuptim modern të shijes dhe korrektesës politike. Sigurisht, deri më tani, qytetërimi perëndimor po ecën përpara, pavarësisht nga paralajmërimet periodike, se “qielli është rënie”, një jehonë që i pëlqen Friedrih Niçes, Osvald Shpenglerit, dhe H.G Uellsit.
Por a po ecën si më parë?
Merrni në konsideratë eksodet e vazhdueshme, nga Bota e Tretë drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Reagimi nga ana e vendeve pritëse është kryesisht paraliza, teksa kontradiktat e vetëquajtura të liberalizmit perëndimor e fshikullojnë realitetin e vështirë, se perëndimorët janë të gatshëm të pranojnë miliona të huaj të varfër, që vijnë në masë.
Perëndimorët janë ngritur mbi parimet e “drejtësisë” dhe “barazisë” në epokën e globalizimit dhe të komunikimit të çastit: Nëse sudanezët apo oaksakanët, janë të privuar nga kontrolli vjetor shëndetësor, apo kanë nevojë për udhëzime mbi ndryshimet klimatike, Brukseli dhe Uashingtoni janë po aq fajtorë për gjendjen e tyre, sikur të kishin lënë në baltë sllovakët apo alabamasit e tyre.
Elitat janë të përjashtuara për shkak të parave dhe ndikimit të tyre, nga pasojat e të jetuarit në mesin e miliona afrikanëve, arabëve, ose latino-amerikanëve të cilët i neverisim për shkak se i cilësojmë më pak të mirë-lidhur me njëri-tjetri dhe qënie jo-liberale. Por vini re se nuk ka elitë perëndimore që dëshiron të përballet me shkakun e sëmundjes: domethënë, që dështimi në Botën e Tretë për të adaptuar idetë perëndimore të qeverisë konsensuale, barazisë ndërmjet gjinive, kapitalizmit të tregut të lirë, lirisë individuale dhe meritokracisë transparente, logjikisht çon të kaosi dhe varfëria.
Perëndimi ka frikë të shpjegojë pse jo-perëndimorët vuajnë, dhe çfarë mund të bëhet për t’u dhënë fund mjerimeve të tyre. Për ta bërë këtë, do duhet të jetë imperialist dhe neo-kolonial. Elitat perëndimore mohojnë jashtëzakonshmërinë e tyre, dhe çdo arsye për privilegjin që gëzojnë, përveçse fajin për përmendjen e Trinisë së Shenjtë të “racës / klasës / gjinisë”.
Ata nuk guxojnë ta lidhë islamin me islamikët e ISIS-it, që shkatërron thesaret arkeologjike të botës dhe pret koka, djeg të gjallë, mbyt dhe copëton të krishterët që cilësohen si heretikë. Në fakt, komentatorët perëndimorë shkojnë aq larg, sa të japin paralajmërime të nxehta se ne nuk duhet të ngatërrojmë burimin e këtij vrulli nihilist, me islamin radikal.
Pra ne dëgjojmë një kolumnist të “New York Times” apo një aparatçik të BE-së, të cilët nuk do të hiqnin dorë kurrë, qoftë edhe me 1 përqind nga mënyra e tyre e jetesës, por do të kritikonin vlerat që sigurojnë vazhdimësinë e saj – në kuptimin që kritika do të zbusë pergjegjësinë e tyre, dhe s’do të merret shumë seriozisht. Me siguri 100 honduras nuk do të flejnë në sallat e “Upper West Side”-it të dikurshëm, dhe 500 somalezë nuk do të fushojnë jashtë, në verandën e ndonjë vile në Portofino.
A nuk mundet dot vallë Harvardi dhe Stenfordi të ftojnë emigrantët e rinj nga Amerika Qëndrore, që ndodhen ilegalisht në vend, të kalojnë verën në strehët e tyre bosh dhe fushat e papërdorura të basketbollit? Studentët latinë në “UC Irvine”, pohojnë që mbajtja e flamurit amerikan, është një akt mikro-agresioni, madje edhe kur ata dënojnë mosgatishmërinë amerikane, për të hapur kufijtë për një tjetër 10 përqind meksikanësh, të cilëve, me sa duket, nuk ua ndjen fare për mikro-agresionet.
Liberalët e bardhë që mbështesin lëvizjen “Jeta e zezakëve ka rëndësi”, gjatë muajve të fundit shpesh kanë marshuar, duke brohoritur për vdekjen e “derrave”, intelektualët e kontekstualizojnë zemëratën e tyre – e gjitha ndërsa policët qëllohet, dhe ndonjëherë edhe vriten.
Është shumë më e lehtë të fajësosh një polic të vjetër të bardhë, sesa një burokrat në shërbimet sociale ose karrieristin Al Sharpton, gjallërimet raciste të të cilit predikohen në mungesë të të tjerëve. Në Perëndim ligji – shenjtëria e të cilit e ndërtoi qytetërimin perëndimor – është shndërruar në një shaka. Viktima e parë në një shoqëri të mërzitur dhe që do të jetë revolucionare, është ligjshmëria.
Në San Françisko, feredalistët e e rinj kërkojnë që statutet federale të emigracionit të mos zbatohen në qytetin e tyre, ndërsa nga ana tjetër insistojnë që një nëpunës i vogël në Kentaki të burgoset për zhvlerësimin e një dekreti të Gjykatës së Lartë, që lejon martesën e homoseksualëve. Edhe e ardhmja e Bashkimit Evropian është e zymtë. Nuk mund të përcaktohet dot se çfarë është një evropian. Për pasojë, pse kufijtë e tij të mos bëhen porozë? Kush e vendos që një gjerman nuk duhet të dalë në pension në moshën 67-vjeç, ndërsa një grek mund ta bëjë këtë që në moshën 55-vjeçare?
Mëkati i borxheve shtrihet tek kombet më të pasura, të cilët kishin para për të dhënë hua dhe për të fituar prej tyre, jo të varfërit që huazuan në mënyrë të pakujdesshme. Kështu që planet e shpëtimit janë pak më shumë sesa një rishpërndarje e vonuar. Evropa është duke u pakësuar, për shkak se rritja e fëmijëve cilësohet si një grackë, ndërsa shteti e siguron kujdesin ndaj moshës së tretë, pa patur nevojë për mbështetjen e familjes – derisa paratë ikin jashtë.
Europa nuk beson më në mbrojtjen e vet, dhe kjo në mënyrë të shkëlqyer e kontekstualizon agresionin e Vladimir Putinit, si një lloj oratori athinas rreth viteve 340 Para Erës Sonë, që siguronte bashkëqytetarët e tij se Mbreti Maqedonas Filipi II ishte thjesht një macho i çmendur. Rezultoi se pasi liria siguron zhvillimin, atëherë kjo arritje mund të konsumohet nga “drejtësia” dhe “barazia”.
Amerika po e evropianizon vetveten, diçka kjo e çuditshme, duke patur parasysh se evropianët kanë patur përherë drojë, se helenizmi i tyre do të varrosej nën katolicizmin e pagdhendur amerikan. Ajo për të cilën shqetësohet Perëndimi nuk është varfëria, por pabarazia: askush nuk argumentoi se protestuesit në Ferguson nuk kishin smartfonë, atlete të shtrenjta, ujë të ngrohtë në shtëpitë e tyre, ajër të kondicionuar dhe mjaftueshëm për të ngrënë – ata protestuan për barazi. Majkëll Braun nuk ishte i kequshqyer ose në nevojë për cigaret që deshi të vidhte. A është kjo një rënie ciklike, si dikur Çamberleni që u pasua nga një Çërçill, që nga ana e tij u pasua nga një Etli, dhe përfundimisht në një Theçer, ose Karteri që lindi Reganin, dhe më pas Obama, i cili humbet Kongresin dhe mbështetjen e vendit?
Sigurisht, barazia dhe drejtësia janë lukse parazitare, që varen së pari nga produktiviteti perëndimor, që është e korra e lirisë personale dhe ekonomike. Deri më tani, Perëndimi ka qenë me fat. Gjeneratat e tanishme të ripërshpërndarjes nihiliste, kanë Robespierrët apo Leninët e tyre. Ata bëjnë dëme, por tani për tani jo të mjaftueshme, për të rrezikuar arkitekturën e privilegjeve të tyre. Al Gore vijon që të udhëtojë me avion në mbarë botën, për të hetuar mbi ndryshimin e klimës. Barak Obama nuk do të dalë në pension, si fqinji i përbuzur në Çikago.
Al Sharpton nuk do të urdhërojë policinë, të qëndrojë larg nga pragu i tij i shtëpisë. Uoren Bafet dhe Bill Gejts, besojnë tek të drejtat pronësore. Mark Zukerberg supozon se ka të drejtë të blejë deri dhe pronën e fqinjëve të tij për të krijuar mbrojtje ndaj atyre, që sipas tij duhet t’u lejohet të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, pa ndjekur procedurat e emigrimit ligjor.
Edhe Xhorxh Soros shumicën e kohës, u përmbahet ligjeve financiare ndërkombëtare. Të paktën tani për tani, ne jemi në një cikël të rënies të Perëndimit, duke pritur ose për një tjetër Çërcill, Theçër apo Regan për të na nxjerrë nga kjo gjendje – ose për një armik ekzistencial, të huaj apo vendas, të një fuqie dhe rreziku të tillë, sa i gjithë progresi ynë do të venitej. Nëse, Zoti na ruajt, Putini lëviz drejt shteteve balltike, nëse Irani nis një raketë bërthamore kundër Izraelit, nëse Koreja e Veriut qëllon me predha kimike ndaj Seulit, nëse Kina anekson Tajvanin, nëse në një tjetër sulm të ngjashëm terrorist më atë 11 Shtatorit, një duzinë avionësh Boing 757 rrëzon “Sears Tower”, nëse norma e interesit mbi borxhin kombëtar prej 20 trilionë dollarësh do të prekë 7 përqindëshin, nëse kontrollet e sigurimeve shoqërore fillojnë të luhaten, ose në rast se Wall Street pëson të njëjtën goditje si në vitin 2008, atëherë Majli Sajrus do të ecë në rrugën e Britni Spirsit, Barak Obama në atë të Xhimi Karterit, ndërsa lëvizja “Black Live Matters” (Jeta e zezakëve ka rëndësi) në rrugën e “Është një gjë e zezë, ju nuk do ta kuptonit”.
Atëherë pranitë televizive të Keitlin Xhenerit dhe Kardashianëve do të zhduken si indulgjenca dekadente e një shoqërie, që nuk mund t’i përballojë më ato. Nga bujaria në mërzitje, nga dekadenca në panik, për t’u rizgjuar: kjo ka qenë gjithmonë mënyra ciklike e Perëndimit. Mallkimi i tij, ka qenë se ciklet e nihilizmit zgjasin për aq kohë sa ato janë të panevojshme, ka shkruar Victor Devis Hanson në “National Review”. /bota.al/