NATO rrit sigurinë e forcave të armatosura të Shqipërisë

Që nga fillimi i marrëdhënieve NATO-Shqipëri më 1992, vendi ka reformuar e përmirësuar dramatikisht forcat e armatosura të tij, masat e tij të sigurisë e si rezultat, ekonominë e tij.

Falë përpjekjeve të reformave, bërjes së forcave të armatosura të vendit më profesionale, më shumë se 5,000 ushtarë shqiptarë janë përfshirë në pesë vende si pjesë e misioneve ndërkombëtare të NATO-s, OKB-së e BE-së.

“Me kontributin e saj në operacionet ndërkombëtare mund të themi se Shqipëria është transformuar e tëra nga një vend që konsumon siguri [në] një vend që prodhon siguri,” i tha SETimeskoloneli në rezervë Thimi Hudhra, shefi i Qendrës për Analizat e Mbrojtjes.

Marrëdhëniet NATO-Shqipëri nisën më 1992, kur Shqipëria u bashkua me Këshillin e Bashkëpunimit Verior Atlantik e u zgjeruan kur vendi u bashkua me Partneritetin për Paqe më 1994. Aleatët e NATO-s nënshkruan protokollet mbi pranimin e Shqipërisë më 9 korrik 2008 e vendi u bë një anëtar i plotë i Aleancës më 1 prill 2009.

“Kur flasim për reformat në mbrojtje e marrëdhëniet civile-ushtarake, ndikimi i NATO-s është i dukshëm e i padiskutueshëm. Anëtarësimi në NATO jo vetëm që zgjidhi dilemat tona të sigurisë, por garantoi gjithashtu prirjen aq të dëshiruar perëndimore të Shqipërisë,” i tha SETimesIlir Gjoni, zëvendës/kryetar i Komitetit Parlamentar mbi Sigurinë.

Përveç kësaj, vendi ka bërë përparim në shkatërrimin e municioneve të mbetura, që janë një rrezik sigurie.

Historia komuniste e Shqipërisë u shënua nga një grumbullim masiv të armëve e municione me origjinë shqiptare, kineze e sovjetike. Qindra depo u vendosën anembanë Shqipërisë duke mbajtur më shumë se 100,000 ton municione.

Ky arsenal i hatashëm i armëve të papërdorura kurrë degradoi me kohë e u bë i rrezikshëm për ata që jetonin pranë. Një moment përcaktues ndodhi më 15 mars, 2008 kur një shpërthim në një fabrikë çmontimi municioni në Gërdec vrau 26 vetë.

“Që nga ajo ditë, siguria ka qenë përparësia jonë,” i tha SETimesEkrem Spahia, Zëvendës/Ministër i Mbrojtjes. “[Më shumë se] 60,982 ton municion u çmilitarizua nga shtatori 2009 deri më 30 prill, 2012. Rreth 31,000 ton mbeten për t’u hequr. Me këtë ritëm, i gjithë procesi i çmilitarizimit do të përfundojë brenda [kuadrit kohor] të 2013-tës,” tha Spahia.

Për shkak të sigurisë së rritur, zyrtarët shqiptarë thonë se integrimi në NATO ka rritur gjithashtu rrjedhën e turistëve e investimet e huaja.

“Anëtarësimi në NATO ka sjellë gjithashtu një valë turistësh në nivele të papara më parë . Për herë të parë në jetën time, këtë verë kam parë në Shqipëri [një] grup turistësh me një udhërrëfyes që mbante flamurkë,” i tha SETimesArjan Starova, zëvendës/ministër i mbrojtjes.

Në gusht 2012, Kryeministri Sali Berisha tha se ky vit vuri një rekord të ri në numrin e turistëve në Shqipëri, pasi rreth 3 milionë vizitorë ishin në vend, krahasuar me 2.7 milionë vitin e kaluar.

Sipas Ministrit të Kulturës, Turizmit e Sporteve Aldo Bumçi, u krijuan 51,000 vende të reja pune këtë vit për shkak të turizmit. Rritja e sektorit ka kontribuar me 2.1 miliardë euro për ekonominë, apo 21 përqind të PKB-së.

Në shtator, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen e falënderoi Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani për kontributin e vendit të tij pranë aleancës.

“Si një anëtare e re e aleancës sonë, Shqipëria mund të jetë një shembull për mbarë rajonin,” tha Rasmuseni.

Ndryshe nga shumica e çështjeve, integrimi në NATO ka mbështetjen e plotë nga të gjitha partitë politike të vendit.

Artikulli paraprakMarrëveshjet rajonale për informacionin e klasifikuar rrisin sigurinë rajonale
Artikulli vijuesKonsumatorët kosovarë kërkojnë cilësi më të mirë në prodhimet ushqimore vendase